fbpx

Izraeli kërkoi qasje më të ashpër ndaj Iranit në bisedimet bërthamore

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett më 5 dhjetor u bëri thirrje fuqive perëndimore që të kenë një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit në bisedimet për të frenuar programin bërthamor të Teheranit.

Këto komente ai i bëri teksa zyrtarët kryesorë izraelitë të mbrojtjes dhe inteligjencës janë nisur në Uashington, pas dështimit të bisedimeve për marrëveshjen bërthamore të Iranit., transmeton REL.

Izraeli ka shikuar me shqetësim teksa fuqitë perëndimore u takuan me Iranin për të biseduar për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Në rundin e ri të bisedimeve që u mbajtën këtë javë në Vjenë të Austrisë, Irani sugjeroi se gjithçka që është diskutuar në rundet paraprake, duhet të rinegociohen. Irani po ashtu nuk po ngadalëson përparimet në programin e tij bërthamor, duke vënë edhe më tej në rrezik bisedimet, që shihen si vendimtare për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Bisedimet në Vjenë kishin për qëllim rivendosjen e kufizimeve ndaj programit bërthamor të Iranit. Rundi në Vjenë, që u mbajt këtë javë, ishte rundi i parë i bisedimeve pas pesë muajsh pauzë.

Izraeli kundërshton marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke thënë se pakti nuk ofron kufizime të mjaftueshme ndaj programit bërthamor të Teheranit dhe nuk adreson përfshirjen ushtarake të Iranit në shtetet që janë në kufi me Izraelin.

“I bëj thirrje çdo shteti që negocion me Iranin në Vjenë që të ketë qasje të ashpër dhe t’ia bëjë të qartë Iranin se nuk mund të pasurojë uranium dhe të negociojë në të njëjtën kohë”, tha Bennet.

“Irani duhet të paguajë çmim për shkeljet e tij”, shtoi ai.

Izraeli nuk është pjesë e bisedimeve, por ka treguar gatishmëri që të ketë linja komunikimi me aleatët evropianë dhe amerikanë gjatë bisedimeve, që rinisën në Vjenë.

Shefi i inteligjencës së Izraelit, David Barnea është nisur për në Uashington, ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz do të qëndrojë në SHBA javën e ardhshme, për takime me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid javën e kaluar ishte në Londër dhe Paris për të diskutuar lidhur me bisedimet bërthamore me aleatët evropianë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button