Tragjedi e madhe, flamujt në gjysmë shtizë

U nisën bashkëkombës e bashkëqytetarë të mi me qindra e me mijëra. U nisën drejt kryeqytetit të allesh-vereshit – Stambollit. U nisën me ëndrrat e ylberit nën sqetull për të parë gjithçka, përveç tmerrit, e për të blerë gjithçka, përveç vdekjes! U nisën për të shkuar, por jo edhe për të mos u kthyer. U nisën të përcjellë me dashurinë e më të dashurve dhe me urime më të mira që burojnë nga thellësitë e zemrës. U përcollën me dëshirën për t’u parë më të gëzuar e më të hareshëm: të lumtur e të mbushur më përshtypjet më të mira nga qytetit i ëndrrave dhe shpresave.  Por… por.., ëndrrat, planet, dëshirat, pritshmëritë.., u këputën në mes, u tretën si fjollë bore, u shkrumbuan si fije kashte. Bashkë me të edhe ata vetë. O Zot! Tmerri mbërtheu dhe zija kaploi tërë gjeografinë tonë. Piskama arriti në secilin vesh tonin, pikëllimi u ngul në secilën zemër. Vdekja është shtrigë e ligë, edhe sikur të bjerë mbi një pemë të vetme, mbi një filiz të vetëm, por të rrëmbejë shumë njerëz, ç’emër do të vësh? Prej tyre edhe gonxhe të njomura me vesën e parë.

Trishtim, trishtim për humbjen e njeriut të zemrës, e veçmas të njerëzve që humbën jetën tragjikisht, siç është rasti me 45 viktimat. Këta që humbën jetën në fatkeqësinë e trafikut, në Bullgarinë fqinje, është i një shkalle dhe intensiteti të paparë. Dyzet e pesë jetë të këputura, disa përgjysmë, e disa në pranverën e tyre të hershme. Dhe jo pak, por dymbëdhjetë të tillë. Dymbëdhjetë filiza, një numër sish sa kishin filluar të lëshojnë bulëzat e para. S’ka më tragjike se sa të jesh pa të tashme e pa të nesërme. Ky fat i gjeti ata në autostradën e vdekjes, e jo në atë të jetës. Shkuan në kryeqytetin e ëndrrave të botës, për të “jetuar” pak jetë anadollake, për të harruar pak hallet e sikletet e jetës në vendbanimet e tyre, për të blerë një kujtim për nipin a mbesën, për nënën a babën, për motrën a vëllain. Dhe në çastin kur këto dhurata do të dorëzoheshin, s’ mund ta dijë njeri se kush do ishte më i lumtur – dhuruesi apo marrësi. Këta që pritnin dhuratat, mbetën vetëm me mallin, mall ky që vjen vetëm, i pastër, pa asnjë shtytje – pos vetë mallit. Ashtu vijnë vetëm shpezët dhe shiu – dhe ata familjarë që humbën jetën, do të vijnë ndërmend.

Eh, kur ndalet koha dhe shiu në shi, mosha në trup të njeriut, lumi në lum dhe udha në udhë, rritet vetëm dhembja. Fryma, frymë s‘merr…

Madje, këtu do mbetet dhembje në pritje të lindjes, dhembje për mungesën e tyre… Mos na qoftë e shkruar kurrë më, të këtilla ndarjesh njerëzore, ndonëse tragjedi patëm më herët, ne shqiptarët, një të ngjashme dhe të gjithë ne të gjallët po mbytemi në det lotësh… Ndjenjë dramatike…

Po sikur të mos mjaftonte kjo tragjedi, del një i çmendur dhe “pjell” një tragjedi tjetër: me tre viktima në Gllogjan. Dy të rinj me ëndrrat në horizont.

Dhe e keqja bëhet edhe më e keqe kur ndodh në prag feste, dhe atë cilës festë: Festës së Flamurit. Dhe në vend që flamujt të valojnë mbi shtizë, ata ulen në gjysmën e saj. Zoti qoftë me ne

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button