fbpx

Diskutim në panel në konferencën “E-Shoqëri.mk”: Nxënësit nga zonat rurale kanë frikë nga paraqitjet publike

Të rinjtë nga zonat rurale nuk kanë qasje në mediat lokale dhe rajonale, është vërejtur ndërgjegjësim i pamjaftueshëm për edukimin mediatik, e po ashtu edhe aktivizmi rinor është i zhvilluar dobët. Të rinjtë nuk janë as të motivuar dhe as të interesuar të përfshihen në ndonjë aksion lokal ku do ta përfshinin promovimin mediatik. Kjo u theksua në diskutimin në panel “Përvojat nga edukimi joformal i të rinjve për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik” që u mbajt në kuadër të konferencës së 17-të “e-Shoqëri.mk”.

Të rinjtë tregojnë pak aktivitet në sektorin civil, sepse presin të marrin diçka në këmbim, e në fakt ata duhet të jenë që japin për komunitetin dhe shoqërinë, theksoi Zhaklina Cvetkovska nga Qendra për Arte Audio dhe Audio-Vizuale Mediatike nga Kriva Pallanka.

Ky është konkluzioni i projektit “Edukimi mediatik për qëndrimin kritik të të rinjve”, i cili u zbatua në komunat e Kriva Pallankës, Kratovës dhe Rankovcës, në të cilin u përfshinë 80 nxënës të klasës së nëntë. Bëhet fjalë për komuna që janë nga më të neglizhuarat dhe më pak të zhvilluara, komuna me mundësi të kufizuara për të rinjtë, sepse të rinjtë atje nuk kanë qasje në mediat lokale dhe rajonale, veçanërisht në mediat informative që do të promovonin politika dhe probleme rinore, thotë Cvetkovska.

“U pa një vetëbesim shumë i ulët për paraqitje publike tek nxënësit, dhe për këtë arsye mendoj se një nga sfidat kryesore me të cilat duhet të merren institucionet arsimore, por edhe familjet, është forcimi i vetëbesimit te nxënësit e shkollave fillore. në mënyrë që ata të jenë më të sigurt në vetvete dhe në kapacitetet e tyre dhe të jenë në gjendje të shprehen publikisht. Kjo është veçanërisht vlen për zonat e vogla, ku të rinjtë ndihen inferiorë ndaj zonave të mëdha urbane dhe besojnë se janë nuk janë të përgatitur sa duhet për t’u përballur me moshatarët e tyre” – theksoi Cvetkovska.

Ajo tha se arsimi joformal është ende thelbësor në fushën e edukimit mediatik, sepse me reformat e reja në arsim, pritet të futet edhe edukimi mediatik, kështu që arsimi joformal nuk duhet ta zvogëlojë rëndësinë e tij, sepse reformat dhe rezultatet do të arrihen së shpejti.

“Edukimi mediatik depërton në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe është me të vërtetë e rëndësishme për të gjithë në shoqëri, veçanërisht për të rinjtë të cilët janë subjekt i shumë propagandave, dezinformatave dhe qendrave të fuqisë që mund t’i manipulojnë” – tha Cvetkovska.

Nxënësit e shkollave fillore nga zonat rurale janë më të pranishëm në Instagram dhe TikTok

Si sfida më të mëdha për edukimin mediatik të të rinjve në zonat rurale, Cvetkovska e theksoi mungesën e mediave lokale dhe rajonale, prandaj duhet të mendohet se si të rritet prezenca mediatike atje, dhe mbi të gjitha informacionet për ngjarjet lokale. dhe aksionet rinore në zonat lokale. Sipas saj, mbetet edhe nevoja për arsimim digjital, si dhe tejkalimi i pasigurisë gjatë paraqitjeve publike.

“Nxënësit kishin problem kur duhej të flasin para kamerës dhe t’i shprehin pikëpamjet e tyre” – tha Cvetkovska.

Sipas anketave të bëra, vetëm një pjesë e vogël e nxënësve të shkollave fillore, gjegjësisht 25 për qind, kanë ndjekur përmbajtje informative, kurse shumica e tyre janë fokusuar në përmbajtje argëtuese. Ata ishin kryesisht të pranishëm në Instagram, TikTok dhe Twitter, ku më shpesh shikonin dhe shpërndanin fotografi dhe video. Gjithashtu u vu re se vetëm 10% e të rinjve ishin të pranishëm në rrjetin social Facebook.

Cvetkovska theksoi se hulumtimi i tyre ka treguar se shumë të rinj nuk bëjnë dallim mes ueb-faqes dhe rrjetit social, gjë që është dëshpëruese. Nxënësit e këtyre komunave nuk kanë ditur të përmendin asnjë gazetë, revistë apo gazetë të përditshme. Vetëm pak vetë e dinin se çfarë ishte censura, propaganda, interesi publik dhe opinioni publik. Në të njëjtën kohë, vetëm 15 për qind thanë se e dinin se një lajm duhet të verifikohet nga të paktën dy burime.

Nxënësit e shkollave fillore as që e dinin se çfarë ishte gjithëpërfshirja (inkluziviteti), empatia dhe rregullat bazë të sjelljes së mirë në internet. Gati 40 për qind thanë se ishin përballur me rreziqe nga interneti dhe për këtë kryesisht i kanë njoftuar shokët/shoqet dhe prindërit, më rrallë mësimdhënësit.

Vetëm 33 për qind e nxënësve të shkollave fillore thanë se kishin hasur në edukimin mediatik në arsim, ndërsa 77 për qind thanë se mediat kishin pak ose aspak ndikim në pikëpamjet e tyre. Një përqindje e madhe e nxënësve të shkollave fillore thanë se nuk u besojnë mediave.

Interneti u ka ndihmuar 87 për qind të nxënësve të klasës së nëntë të mësojnë, por kryesisht nëpërmjet përdorimit të “Wikipedia”-s për sa i përket përmbajtjes mësimore.

Projekti përfshinte disa aktivitete si anketa, punëtori interaktive dhe edukative dhe aksione rinore online për edukimin digjital. Projekti kishte për qëllim të ndikojë në inkurajimin e aktivizmit rinor dhe njohjen e bazave të edukimit mediatik.

Pas zbatimit të projektit, ka pasur një rritje prej 29 për qind të njohurisë për edukimin mediatik tek nxënësit e shkollave fillore.

“Madje 74 nxënës kanë filluar ta njohin edukimin mediatik në arsim. Në fillim ata nuk njihnin asnjë zhanër bazë të gazetarisë, por më pas i njoftuam ata për zhanret bazë të gazetarisë dhe i njoftuam me mënyrën e përgatitjes së tekstit, informacionit, por edhe të përzgjedhjes së lajmeve. Kemi arritur një rezultat të madh edhe në fushën e edukimit digjital. Pas edukimit, nxënësit e shkollave fillore e dinin se çfarë është propaganda, censura, interesi publik dhe i kanë rritur për 45% njohuritë për atë se nga sa burime duhet të verifikohet një lajm” – tha Cvetkovska.

Institucionet duhet ta përfshijnë edukimin mediatik në arsim

Violeta Gligoroska, koordinatore e programeve në Fondacionin Metamorfozis, tha se rezultatet dhe konkluzionet e këtyre hulumtimeve duhet të njihen edhe nga institucionet, ndërsa mjetet e promovuara arsimore duhet të bëhen pjesë e mjeteve ndihmëse mësimore në avancimin e lëndës Edukimi mediatik në arsimin formal.

“Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) nuk e ka njohur mundësinë që t’i përdorë dhe t’i marrë parasysh materialet e përgatitura nga Qendra për ASHAAM nga Kriva Pallanka, dhe t’i shpërndajë nëpër shkolla për t’u përdorur si mjete ndihmëse mësimore dhe si mjet i mundshëm për edukimin e mëtutjeshëm, jo vetëm për këta nxënësve të rinj të shkollave të mesme dhe fillore që janë arsimuar joformalisht, por kjo ka mundur të ndahet edhe në nivel të bashkëpunimit ndërkomunal në mbarë vendin” – theksoi Gligoroska.

Ajo shtoi se ka pasur një interesim të paparë për materialet për edukimin mediatik që janë prodhuar nga grantistët në kuadër të projektit “Mendim kritik për qytetarët me aftësi mediatike – KriThink”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Edukimi mediatik nuk mund, nuk duhet dhe nuk është vetëm një lëndë. Ai është një fushë multidisiplinare që kërkon përfshirjen e shumë palëve të interesuara nga institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe ekspertë të mediave, për të arritur një qasje gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare ndaj të rinjve, nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për atë se në çfarë drejtimi dhe si ta avancojmë sektorin e mediave, e me këtë edhe edukimin mediatik në shkollat fillore dhe të mesme” – tha Gligoroska.

Ndryshe, sot u mbajt dita e dytë e edicionit të sivjetshëm të konferencës e-Shoqëri.mk e cila gjithsej do të zgjasë 4 ditë. Ngjarja mbahet në format hibrid, me ç’rast pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në ngjarje drejtpërdrejt në ditën e fundit, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të mund t’i ndjekin seancat online përmes platformës ZOOM dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Agjendën e konferencës e-Shoqëri.mk mund ta shihni këtu: Agjenda-е-Shoqëri.mk-2021

Sesionet e ditës së dytë të konferencës mund t’i ndiqni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button