fbpx

Nuredini dha detaje se si RMV me Ligjin e ri për mbeturina, synon ta reduktojë përdorimin e plastikës (VIDEO)

Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, në konferencën e sotme për media tha se, nuk ka ligj për qese, por ka ligj për menaxhimin e mbeturinave. Ai sqaroi para gazetarëve se, nuk bëhet fjalë për diçka të re dhe se standardet janë sikurse të ligjit të vjetër, shkruan Portalb.mk.

Nuredini tha se, kjo është paralajmëruar që nga viti 2019, ndërsa shtoi se esenca e ligjeve dhe masave të këtilla është që të ruajnë shëndetin e qytetarëve, pasi plastika është e dëmshme.

“Kjo do të thotë se prodhuesit mund të vazhdojnë të prodhojnë qese plastike që janë bio degraduese deri më 1 qershor 2023. Por, ne si Qeveri, si ministri, propozimi ynë ka qenë që një qese të kushtojë 10 denarë, deputetët kanë kërkuar që një qese të jetë 20 denarë dhe ne kemi ndërmarrë qëndrim të përbashkët që një qese të jetë 15 denarë. Ideja nuk është që të akumulojmë mjete prej kësaj, por ideja është që të reduktojmë përdorimin e plastikës në shtetin tonë. Sepse, disa plastika i sjellin dëm tokës dhe ujit dhe do të jetë në ushqimin dhe ujin tonë”, tha ai.

Ministri i Ekologjisë theksoi se qëllimi është që, të reduktohet përdorimi i plastikës, ndërsa kjo do të bëhet duke filluar nga qeset e plastikës që përdoren më së shumti. Në këtë mënyrë, shitësit lejohen që të shesin vetëm qese bio degraduese, të cilat nga sot kushtojnë 15 denarë. I pyetur nëse qeset e letrës do të kushtojnë më shumë ai, tha se shitësit mund të vazhdojnë të japin falas qese nga letra, por është vendim që mund ta marrë vet çdo shitës. Ai po ashtu theksoi se, mjetet e mbledhura nga shtija e qeseve do të shfrytëzohen për projekte të ekologjisë.

“Tash ka me siguri dallim të çmimit aty, por ideja është që të ulim përdorimin e plastikës… Ne do të informojmë në mënyrë të hapur dhe transparente në kuartalin e parë të vitit 2022 se sa mjete kemi në atë fond dhe çfarë do të bëjmë me ato mjete. Ideja është që ato mjete të investohen në mënyrë të drejtpërdrejt në projekte për mjedis jetësor, në përmirësimin e standardeve tona. Kemi ligj të vjetër, standardi i njëjtë do të përdoret edhe në ligjin e ri. Ne do të vazhdojmë me standardet e njëjta deri më 1 qershor në 2023, prodhuesit do të kenë kohë një vit e gjysmë të ndryshojnë standardet”, tha Nuredini.

Sa i përket qeseve të zeza që përdoren për mbeturina, ai tha se nuk do të ketë shtrenjtim të tyre.

Prej sot në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi Ligjin i ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga ambalazhi, sipas të cilit një qese plastike për pazar në markete dhe shitore do të kushtojë 15 denarë. Deri tani, dyqanet paguanin nga 1 deri 10 denar për një qese pazari. Gjithashtu, prej sot për herë të parë, vendoset edhe ndalesa e përdorimit të paketimeve plastike për një përdorim në zonat e mbrojtura.

Marketet dhe dyqanet tani duhet të japin qese plastike bio degraduese, ndërsa nga fotot që ka siguruar Portalb.mk, mund të vërehet se marketet kanë filluar edhe përdorimin e qeseve të letrës.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button