Vetëm Remenski ka paraqitur kandidaturën për kreun e LSDM-së, pritet të njëjtën ta bëjë edhe Kovaçevski

Frosina Remenski, ish-nënkryetarja e LSDM-së, e cila nuk është më pjesë e kryesisë së partisë, sot ka dorëzuar kandidaturën për kryetare të partisë, pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme brendapartiake pas dorëheqjes së Zoran Zaevit, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Kjo është kandidatura e parë për kryetar të ri të LSDM-së pasi të premten e kaluar Bordi Qendror i partisë shpalli zgjedhjet e drejtpërdrejta pas dorëheqjes së Zaevit, i cili ishte lider i partisë nga viti 2013, në dy mandate, ndërsa në mandatin e tretë qëndroi vetëm tetë muaj.

Nga Komisioni zgjedhor i LSDM-së për “360 gradë” konfirmuanse deri më tani në selinë e partisë ka mbërritur vetëm kandidatura e Remenskit, e cila pas zgjedhjeve presidenciale të 2019-ës nuk mbeti në listën e nënkryetarëve të partisë, kur Zaev paralajmëroi ndryshime të mëdha kadrovike, gjegjësisht “fshesë”) në udhëheqjen e partisë dhe në pushtetin ekzekutiv. Menjëherë pas kësaj, ajo ishte e dyshuar dhe më pas e paditur në rastin Lidhja ndërkombëtare, për të cilin gjykimi është ende në vazhdim. Remenski nuk është pjesë e kryesisë së re të LSDM-së, e cila u zgjodh në kongresin e sivjetshëm dhe nuk është deputete në parlamentin aktual.

Në përbërjen e mëparshme parlamentare, si deputete e LSDM-së, ka qenë nënkryetare e Kuvendit, ndërsa para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 ka qenë Ministre e Punës dhe Politikës Sociale në qeverinë e parë të përkohshme, e cila u formua në përputhje me marrëveshjen e Përzhinos.

Pritet që sot kandidaturën për kryetar ta paraqesë edhe zëvendësministri aktual i Financave dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili konsiderohet si favorit i Zaevit për pasardhës të tij.

Nga Komisioni zgjedhor i LSDM-së thonë se ende nuk është mbyllur lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme brendapartiake, të cilat do të mbahen më 12 dhjetor, pasi është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit aktiv të anëtarëve.

Të shtunën filloi procedura për kandidim dhe organizim të zgjedhjeve brendapartiake në LSDM, e cila është e hapur deri më 3 dhjetor, gjegjësisht deri pasnesër, ndërsa kandidaturat mund të dorëzohen nga ora 08:00 deri në 16:00.

Sipas Rregullores së LSDM-së për kriteret dhe procedurën e kandidimit dhe zgjedhjes së kryetarit, për pozicionin  e liderit mund të kandidojë person i cili ka qenë anëtar i partisë së paku pesë vjet dhe është zgjedhur në kongres anëtar i njërit prej organeve të partisë, nën-kryetar, sekretar i përgjithshëm, anëtar i Këshillit qendror ose mbikëqyrës.

Remenski sot tha se kandidon për kryetare të LSDM-së, duke pasur parasysh aktivizmin e deritanishëm të saj socio-politik dhe partiak, në, siç thotë ajo, ditët dhe kohët kur LSDM-ja ishte përballur me një situatë të vështirë opozitare, kur merrte vendime serioze shtetformuese dhe kur luftonte për të ruajtur unitetin në parti.

“Sot, dorëzimi i kandidaturës sime ka një tjetër simbolikë. Po paraqes kandidaturën time në ditët e aktivizmit të gruas për luftën kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe dhunën me bazë gjinore, diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe mostolerancën në përgjithësi. Pres mbështetjen e socialdemokratëve, kolegëve të mi brenda partisë dhe natyrisht nga të gjithë anëtarët që e njohin karakterin tim, qëndrueshmërinë time në qëndrime dhe gjithçka që ka kontribuar në një luftë dhe bashkëpunim të përbashkët në vitet e fundit. Vizioni im për LSDM-në për pesë vitet e ardhshme është fitues në të gjitha proceset me të cilat ballafaqohet dhe vetëm në atë mënyrë me një vizion dhe strategji të tillë mund të arrihet maksimumi në atë që do të thotë organizim partiak”, tha Remenski.

Në lidhje me pretendimet se Kovaçevski është favorit i kryesisë aktuale të LSDM-së, Remenski thotë se nuk domethënë se gjithçka është e qartë.

“Sigurisht që kolegu dhe miku im tashmë ka mbështetje të fortë në qeveri, duke qenë se edhe ai është pjesë e kabinetit qeveritar. Kjo sigurisht është e kuptueshme. Nuk mendoj se kjo do të ishte luftë idesh të kundërta, por një garë mendjesh dhe sa herë që mendjet bashkohen për të njëjtin qëllim dhe për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve, rezultati nuk mund të mungojë. Sigurisht, çdo kandidat që hyn në një garë aludon për fitore. Nuk shoh fare se kjo kandidaturë e imja nuk do të rezultojë me rezultat serioz që do të thotë ndikim serioz në vendimet e mëtutjeshme politike dhe partiake”, tha Remenski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button