U shkarkua drejtori i “Tetova Transport”, e paqartë mënyra e funksionimit të autobusëve

Filluan të qarkullojnë përsëri autobusët e transportit publik të Tetovës pasi dje ndaluan së funksionuari dhe u pozicionuan në parking. Është shkarkuar edhe drejtori i ndërmarrjes publike “Tetova Transport” Darko Spirovski. Këtë e njoftoi sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Qytetarët ende nuk e kanë të qartë mënyrën e qarkullimit të autobusëve, pasi mënyra e funksionimit të tyre ndryshon shpesh, shkruan Portalb.mk.

Kasami sot tha se dha urdhër të shkarkohet drejtori, të caktohet drejtor tjetër ushtrues detyre dhe nga i njëjti do të pret raport se për çfarë bëhet fjalë.

“Informatat të cilat i kam edhe kjo ndërmarrje ka funksionuar mos të them jashtë ligjit, por jo në përputhje me ligjin sepse ndërmarrja ka funksionuar, ka gjeneruar të ardhura por nuk ka pasur të punësuar. Një ndërmarrje nuk mund të funksionojë pa pasur drejtor dhe të punësuar, kemi një ndërmarrje publike e cila funksionon pa i plotësuar kushtet elementare. Pres drejtori të cilin do ta caktojë të më japë raport për të cilën do të informoj opinionin.” tha Bilall Kasami.

Qytetarët ende nuk e kanë që qartë se kur qarkullojnë autobusët e kur jo. Autobusët dje ndaluan që qarkulluari ndërsa sot gazetari i Portalb.mk pa tre herë autobus të transportit publik duke qarkulluar në qytet. I pyetur nga Portalb.mk për mënyrën e funksionimit të autobusëve, Kasami u përgjigj kështu:

“Unë sot kam shkarkuar drejtorin aktual dhe për një periudhë të shkurtër pres një raport se çfarë ndodh në ndërmarrje, përmenda se ka keqpërdorime aty por duhet të kemi informata burimore nga menaxhmenti që ti ndajmë.”

Autobusët sot në Tetovë:

Autobusët dje në parking:

NP “Tetova Transport”, juridikisht e themeluar, realisht nuk ka të punësuar

Transporti publik i Tetovës, që nga lëshimi në funksion i saj vazhdimisht po përballet me sfida të ndryshme. Vetëm para dy javëve transporti publik ndaloi së funksionuari, arsyeja e ndërprerjes së katër linjave ishte ndërprerja e furnizimit me naftë nga pompa e benzinës. Më pas u vendos që të funksionojë vetëm linja numër një.

Kasami para disa ditëve tha se transporti publik është një nga shkeljet eklatante të menaxhmentit të kaluar. Me këtë ndërmarrje ka udhëhequr Darko Spirovski.

“Ndërmarrja e transportit publik juridikisht është e themeluar, realisht nuk ka asnjë të punësuar dhe gjitha veprimet bëhen në kundërshtim me ligjet. Gjithë të punësuarit janë në komunë dhe funksionojnë në kuadër të ndërmarrjes, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse pres një raport të detajuar për të cilin do të informoj mediat.” tha Kasami.

Ndërkaq, edhe vetë tani më ish-drejtori i kësaj ndërmarrjeje e ka konfirmuar për Portalb.mk se kanë shumë sfida përpara sepse janë ndërmarrje e re.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Megjithatë, problemi me kaosin në komunikacion në këtë qytet ende nuk është zgjidhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button