fbpx

Fauci nuk ka thënë se maskat shkaktojnë pneumoni bakteriale

Dr. Anthony Fauci dhe kolegët në vitin 2008 kanë shkruar një punim në të cilin thuhet se viktimat e gripit spanjoll të vitit 1918 kanë vdekur nga pneumonia bakteriale e shkaktuar nga gripi. Mirëpo, në punim nuk përmenden aspak maskat dhe askund nuk shkruan se ato janë burim i pneumonisë bakteriale. Maskat parandalojnë përhapjen e viruseve dhe nuk mund të shkaktojnë pneumoni bakteriale. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që mbajtja e maskës të jetë një pjesë normale gjatë shoqërimit me njerëzit e tjerë. Sipas Qendrës Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, maskat janë një barrierë që pengon spërklat tuaja  që krijohen gjatë frymëmarrjes të arrijnë deri te njerëzit e tjerë, shkruan Vërtetmatësi

Një përdorues i rrjeteve sociale publikoi një postim dhe fotografi në koment që shoqëron të njëjtin postim, me të cilët në mënyrë të gabuar pretendon se gjatë pandemisë të gripit spanjoll të vitit 1918, njerëzit kanë vdekur nga pneumonia bakteriale e shkaktuar nga maskat. Në postim gjithashtu thuhet se Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive (NIAID) dhe një anëtar kyç i grupit të punës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, e ka ditur këtë dhe për këtë ka shkruar që në vitin 2008. Kjo nuk është e vërtetë.

PËR JU QË I MBANI MASKAT ME QEJF

Fauci e ka ditur se 30 milionë njerëz knë vdekur nga pneumonia bakteriale, e shkaktuar nga mbajtja e maskave…

Njerëzit i kanë kushtëzuar, o maskë o burg.

Foton do e bashkëngjis në koment sepse këtu do e bllokojnë…thuhet në postim.

Dr Anthony Fauci dhe kolegët e tij vërtetë kanë shkruar punim në vitin 2008  në të cilin thuhet se  viktimat e gripit spanjoll të vitit 1918 kanë vdekur nga pneumonia bakteriale e shkaktuar nga gripi.

Në punim nuk përmenden aspak maskat dhe askund nuk shkruan se ato janë burim i pneumonisë bakteriale, siç thuhet në postim. Ky pretendim është hedhur poshtë edhe nga shërbimi për verifikimin e fakteve të „US Today“.

Fauci dhe të dy kolegë – Dr. David Morens dhe Jeffrey Taubenberger kanë ekzaminuar indet e mushkërive dhe mostrat e autopsisë të marra nga viktimat e gripit spanjoll të vitit 1918, si dhe gjetje të tjera të publikuara nga ajo kohë. Grupi zbuloi shumë lloje bakteresh që dihet se shkaktojnë pneumoni – një infeksion që shkakton inflamacion të alveolave të mushkërive.

Rezultatet u krahasuan me mostrat e indeve dhe baktereve të marra nga pandemitë e mëvonshme, veçanërisht nga pandemia e gripit aziatik e vitit 1957 dhe pandemia e gripit të Hong Kongut e vitit 1968, sepse që të dy virusët përgjegjës ishin pasardhës të gripit spanjoll.

Vdekjet nga këto pandemi të mëvonshme gjithashtu kanë ndodhur si pasojë e pneumonisë bakteriale, por Fauci dhe kolegët kanë vënë re dallime në “spektrin dhe shkallën e pneumonisë bakteriale dytësore “, që mendohet se ka qenë për shkak të përparimeve në mjekësi si antibiotikët dhe vaksinimi kundër gripit , si dhe faktorët demografikë dhe socialë.

Fauci dhe bashkautorët e tij shpjegojnë se infeksioni primar i gripit mund të kishte lehtësuar zhvillimin e pneumonisë bakteriale dhe të vriste pacientët, sepse virusi ka shkatërruar mbrojtjen fizike dhe imunologjike të trupit.

Në punim nuk përmenden aspak maskat dhe askund nuk shkruan se ato janë burim i pneumonisë bakteriale.

Koronavirusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë me të tjerët përmes spërklave që lirohen gjatë frymëmarrjes. Ato përhapen nëpërmjet ajrit kur kolliteni, teshtini, flisni, bërtisni ose këndoni, e më pas mund të thithen nga njerëzit pranë jush.

Maskat janë një barrierë e thjeshtë për të parandaluar që spërklat tuaja që lirohen gjatë frymëmarrjes të arrijnë të tjerët. Studimet tregojnë se maskat, kur vihen mbi hundë dhe gojë, reduktojnë spërkatjen e pikave, thuhet në udhëzimet e Qendrës Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC).

Duhet të vini maskë, edhe nëse nuk ndiheni keq. Kjo për shkak se disa studime kanë treguar se njerëzit me Kovid-19 që nuk manifestojnë simptoma (asimptomatik) dhe ata që nuk ende nuk kanë manifestuar simptoma (parasimptomatik) mund ta transmetojnë virusin te njerëzit e tjerë. Mbajtja e një maske ndihmon në mbrojtjen e njerëzve rreth jush nëse jeni të infektuar, por nuk keni simptoma, shkruan në uebfaqen e CDC.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandojnë që mbajtja e maskës të jetë një pjesë normale gjatë shoqërimit me njerëz të tjerë. Prandaj theksojnë që përdorimi, ruajtja dhe pastrimi ose heqja duhur e maskave janë hapa qenësorë që ato të jenë sa më efikase.

Maskat parandalojnë përhapjen e viruseve dhe nuk mund të shkaktojnë pneumoni bakteriale. Ky pretendim, përveç se është i pavërtetë, është edhe i palogjikshëm.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button