fbpx

Çfarë pas zgjedhjeve në Bullgari – zgjidhje apo thellim i antagonizmit?

Hristijan Ilievski

Së fundmi në Republikën e Bullgarisë janë mbajtur zgjedhjet e treta parlamentare me radhë, kësaj radhe së bashku me zgjedhjet presidenciale, të cilat synojnë tejkalimin e krizës politike në të cilën ndodhet vendi pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për formimin e qeverisë.

Maqedonia me interes të veçantë i ndjek zhvillimet në Sofje, sepse edhe perspektiva evropiane e Maqedonisë varet nga rezultati politik atje. Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes janë në nivelin më të ulët historik deri më tani, megjithëse ka kaluar viti i katërt nga nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, e cila do të promovonte epokën e re në marrëdhëniet maqedono-bullgare, e bazuar në miqësi, bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Vetoja e vendosur nga qeveria e Borisovit ka ngritur një mur të madh midis dy vendeve, duke kontaminuar të gjithë përparimin e bërë në afrimin e dy popujve, kështu që sipas sondazheve të realizuara, vetëm 8% e bullgarëve besojnë se vetoja duhet të hiqet dhe se Bullgaria duhet t’i japë mbështetje të pakushtëzuar Maqedonisë,kurse nga ana tjetër përqindja e qytetarëve maqedonas që besojnë se Maqedonia ka bërë shumë lëshime në periudhën e kaluar dhe se nuk ka hapësirë për lëshime shtesë kur është fjala për çështjen maqedono-bullgare është 54%.

Kur e gjithë kjo vihet në peshore, bëhet pothuajse e pamundur të arrihet një zgjidhje, jo vetëm për shkak të polarizimit të thellë mes dy shoqërive, por edhe për shkak të qëndrimeve kombëtare që mbajnë të dyja vendet, të cilat janë votuar në parlamentet e Maqedonisë (2021) dhe Bullgarisë (2019), prej të cilave vështirë se mund të heqësh dorë pa pasur pasoja negative politike dhe duke pasur parasysh situatën e ndërlikuar politike në vendin tonë dhe në vendin e tyre, është praktikisht e pamundur të arrihet një zgjidhje në një afat të shkurtër, edhe pse bëhet fjalë për një mosmarrëveshje absurde dhe një veto që nuk vendoset për kritere evropiane, por për arsye historike që nuk kanë asnjë kontakt me realitetin.

Bllokimi i Komisionit për çështje historike

Ndoshta një nga sinjalet më domethënëse se jemi në qorrsokak dhe se nuk ka rrugëdalje nga problemi janë qëndrimet e anëtarëve të komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike. Konkretisht, bashkëkryetari i komisionit nga pala bullgare, Angel Dimitrov, pak ditë para takimit të caktuar për t’u mbajtur më 21 dhe 22 tetor ka shprehur kritika mjaft të ashpra në opinion, jo vetëm ndaj Maqedonisë, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Dimitrov akuzoi BE-në dhe SHBA-në se shfaqin standarde të dyfishta ndaj Bullgarisë dhe se ushtronin presion të jashtëm ndaj tyre dhe se homologët e tij maqedonas ishin ruajtës të miteve historike që nuk mund të çonin përpara punën e komisionit. Ai praktikisht ka paralajmëruar dështimin e takimit edhe para fillimit të tij, duke përforcuar qëndrimin bullgar se nuk do të dorëzohen dhe nuk do të bëjnë lëshime sa i përket kësaj mosmarrëveshjeje pavarësisht presionit të jashtëm që besojnë se po ushtrohet ndaj tyre.

Nga ana tjetër, profesori Vanço Gjorgjiev, i cili është pjesë e komisionit maqedonas, papritmas njoftoi se po jep dorëheqje nga komisioni për, siç thotë ai, përpjekje të hapura për ndikim politik në punën e komisionit, të cilat kulmuan në takimin e rregullt me ​​nderhyrje direkte ne punën profesionale nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve te Jashtme. Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar shprehimisht se nuk ka pasur presion mbi punën e komisionit nga ana e ministrisë. Gjithashtu, sipas Gjorgjiev, qëndrimet e paraqitura në mbledhjen e fundit nga anëtarët e tjerë të pjesës maqedonase të komisionit, jo vetëm që janë në kundërshtim me Rezolutën për vijat e kuqe të Maqedonisë të miratuar në Kuvendin e Maqedonisë, por në kundërshtim edhe me interesat kombëtare maqedonase.

Retorika në prag të zgjedhjeve

Kur është fjala për temën “Maqedonia” në fushatën zgjedhore bullgare, fokusi kryesor ishte te qytetarët maqedonas që ndjehen si bullgarë, pozita e tyre në shoqërinë maqedonase dhe të drejtat e tyre. Kryeministri teknik bullgar Janev tha se ata e mbështesin integrimin evropian të Maqedonisë, por që Maqedonia duhet të njohë të drejtat e atyre qytetarëve që e identifikojnë veten si bullgarë, pa u shtypur dhe persekutuar, siç konstaton ai.

Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe ish-kryeministri dhe lideri i partisë më të madhe politike në Bullgari – GERB, Bojko Borisov, sipas të cilit kushti për mbështetjen bullgare për Maqedoninë varet nga fakti nëse komuniteti bullgar do të përfshihet apo jo në kushtetutën maqedonase, duke shtuar se për shkak të Maqedonisë, BE-ja ka mundësi që ta poshtëronte Bullgarinë.

Ndoshta shembulli më i qartë se politika bullgare si fokus kryesor tani ka çështjen me qytetarët maqedonas që deklarohen si bullgarë është takimi i presidentit bullgar Rumen Radev me shoqatat dhe organizatat e bullgarëve në Maqedoni. “Bullgarët maqedonas, barazia e tyre në jetën politike, sociale, kulturore dhe ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përmbushja e rreptë e Marrëveshjes së Miqësisë e vitit 2017 janë çelësi i derës drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Radev pas takimit me këto shoqata dhe organizata.

Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare

Në fillim të muajit tetor, në qytetin Brdo të Sllovenisë u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili duhej të shënonte një lloj vazhdimësie të mbështetjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Sa i përket Maqedonisë, i ashtuquajturi Plani 5+1 në Samit u përmend si një përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, kurse u prezantua shkurtimisht nga ministri i jashtëm Bujar Osmani. Propozimi parasheh që gjuha maqedonase të emërtohet në Bashkimin Evropian dhe Bullgaria të ketë një deklaratë të njëanshme për qëndrimin e saj për emërtimin e gjuhës. Për planin 5 + 1 nuk flitet publikisht prej javësh, duke pasur parasysh faktin se kemi pasur zgjedhje si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari, ndaj fokusi nuk ishte gjetja e një zgjidhjeje.

Nga ana tjetër edhe SHBA-të kanë interes që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet sa më shpejt, sepse bëhet fjalë për dy anëtarë të NATO-s dhe çdo konflikt mes dy vendeve anëtare e dobëson Aleancën dhe i lë hapësirë ​​fuqive të treta për të depërtuar në rajon. Më 20 tetor, në një deklaratë të përbashkët nga Borrell dhe Blinken pas takimit të tyre në Uashington, ata njoftuan se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin zotuar të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor për të mbështetur përparimin e rajonit.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor – Gabriel Escobar, ngritën çështjen e pakicës maqedonase në Bullgari dhe mosrespektimin e 16 vendimeve të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut gjatë diskutimit në Kongres me grupin e Miqësisë Maqedono-Amerikane. Gjithë kësaj mund t’i shtohet edhe shkresa dërguar ambasadorit bullgar në Uashington nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve e cili thekson se bllokada e Sofjes duhet të hiqet sepse është krejtësisht në kundërshtim me strategjinë amerikane dhe është në dobi dhe në interes të palëve të tjera.

Duke pasur parasysh se është e qartë se Maqedonia do të ketë nevojë për përkrahjen e partnerëve të saj strategjikë në këtë kontest, mesazhet e tilla janë inkurajuese, gjegjësisht është mirë të dihet se qëndrimet tona kuptohen nga bashkësia ndërkombëtare, duke përmirësuar kështu të paktën pak pozicionin tonë, në këtë mosmarrëveshje absolutisht asimetrike.

Rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari

Fitues i zgjedhjeve parlamentare është lëvizja “Vazhdojmë ndryshimin” e udhëhequr nga Kiril Petkov (ministër i ekonomisë në qeverinë teknike të mëparshme), tani kandidat për kryeministër dhe Asen Vasilev (ministër i financave në qeverinë teknike të mëparshme), tani sërish kandidat për postin ministror të financave. Ata paralajmëruan një qasje të ndryshme për mosmarrëveshjen me Maqedoninë, e cila nuk do të bazohet vetëm në histori, por edhe në kulturë, infrastrukturë, bashkëpunim ekonomik dhe afarist, por nuk japin asnjë garanci se vetoja mund të hiqet në dhjetor dhe e konsiderojnë të nevojshme se duhet kohë dhe fitimi i besimit të ndërsjellë që do të ndërtohej përmes më shumë komisioneve ekspertësh në disa fusha. Petkov dhe Vasilev mbështesin presidentin aktual Radev në kandidaturën e tij për një mandat të dytë dhe pritet të jenë forca kryesore politike në qeverinë e ardhshme.

Forca e dytë politike në zgjedhje e zhvilluara është partia GERB e Bojko Borisov-it, për të cilin opinioni ynë tashmë është i mirëinformuar dhe qëndrimet e të cilit dihen prej kohësh. GERB është partia që vuri veton ndaj Maqedonisë dhe që dëmtoi besueshmërinë e gjithë BE-së jo vetëm në vend por edhe në rajon. GERB pritet të mbetet në opozitë për shkak të mungesës së kapaciteteve të koalicionit për të formuar një qeveri të mundshme.

Ata ndiqen nga DPS-ja, ose Partia e Turqve e quajtur ndryshe, e cila mbështeti kandidatin e GERB, pastaj vijojnë socialistet BSP dhe ITN-ja e Slavi Trifonov, të cilët mbështesin kandidatin Rumen Radev.

Ajo që mund të pritet është formimi i qeverisë mes partive që e mbështetën Radevin për president, PP-ja, BSP-ja dhe ITN-ja, duke shtuar edhe BD-në, respektivisht partinë Bullgaria Demokratike. Këto katër parti, të ashtuquajturat anti-GERB ose anti-Borisov, kanë mjaft deputetë në parlamentin e ri për të formuar një shumicë parlamentare dhe një qeveri të qëndrueshme. Negociatat mes tyre vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme dhe presidenti dhe mbrojtësi i atij koalicioni pritet të rizgjedhet Rumen Radev, si njeriu me fuqinë më të madhe politike në Bullgari për momentin.

Duke qenë se dy nga këto katër parti kanë një qëndrim të fortë për Maqedoninë, është e vështirë të pritet që vetoja të hiqet aty për aty, madje edhe po të arrihej një marrëveshje që do të zhbllokonte rrugën maqedonase euro-integruese, kjo do të thoshte se Maqedonia të ketë bërë kompromise të vështira dhe të dhimbshme për të arritur një zgjidhje, duke pasur parasysh qëndrimet e ngurta të Bullgarisë.

Jemi përpara një procesi të gjatë, të vështirë dhe të mundimshëm për të cilin është e nevojshme që të gjitha subjektet politike që përfaqësojnë qytetarët të kenë një qëndrim të qartë dhe të prerë.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button