RMV, prej sot një qese plastike do ta paguani 15 denar – fillon edhe ndalesa për përdorimin e plastikës në zonat e mbrojtura

Prej sot një qese plastike për pazar në markete dhe shitore do të kushtojë 15 denarë, kjo në përputhje me Ligjin e ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga ambalazhi. Deri tani, dyqanet paguanin nga 1 deri 10 denar për një qese pazari. Gjithashtu, prej sot për herë të parë, vendoset edhe ndalesa e përdorimit të paketimeve plastike për një përdorim në zonat e mbrojtura, transmeton Portalb.mk.

Më 4 tetor, pasi Kuvendi i miratoi ligjet, kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini thanë se këto ligje do të mundësojnë evropianizimin përfundimtar të menaxhimit të mbeturinave, përfundimisht do të zgjidhet ky problem që ishte akumuluar me dekada dhe do të ndërpritet zinxhiri i menaxhimit të keq me mbeturinat.

“Si Ministria, ashtu edhe Qeveria po punojmë fort për investime në arritjen e funksionalitetit të sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave përmes qendrave zhvillimore, sigurimit të pikave të grumbullimit dhe seleksionimit, ndërtimit të infrastrukturës së standardizuar me stacione transferimi dhe deponive rajonale, si dhe pastrimit dhe mbylljes së të gjitha deponive të pa standardizuara, gjegjësisht deponive të egra dhe bërllogjeve. Kjo është rruga jonë për menaxhim modern dhe evropian të mbeturinave dhe mjedis të shëndetshëm dhe ftoj sektorin privat dhe qytetarët që të jenë partnerë tanë në arritjen e këtij qëllimi të përbashkët”, tha ministri Nuredini pas shpalljes së ligjit të ri.

Tarifa prej 15 denarë për qeset e biodegradueshme do të duhet të regjistrohet dhe të transferohet në fond të veçantë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ekzistojnë alternativa të panumërta për materialet natyrore dhe konsiderojmë se për fillim, të paktën në zonat e mbrojtura natyrore, mund të japim shembull me ambalazhimin miqësor ndaj mjedisit”, tha Nuredini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button