fbpx

Kujtimi për Elsën

Në vjeshtën e vitit 1948 në qytetin e Shkodrës lindi Elizabeta Pustina, vajza e Hiqmete Turkeshit dhe Remzi Pustinës. Elsa, siç e thërrisnin që në fëmijërinë e saj, u rrit në një familje me tradita të theksuara patriotike e intelektuale që trashëgonin origjinë elitash në Tiranë dhe Dibër. Elsa kishte dy vëllezër: Agronin, i cili la gjurmë në fushën e mjeksisë dhe Afrimin, inxhinier i dalluar. Edukimin fillor ajo e nisi në Dibër dhe pastaj vazhdoi në Shkup. U dallua në të gjitha nivelet arsimore me rezultate të shkëlqyeshme e posaçërisht edhe si njohëse e disa gjuhëve të huaja, teksa ata që e njohën s’e harrojnë dot zërin e saj sa gazmor po aq dhe engjëllor.

U martua në Tetovë me dr. Abdylbari Abazin, mjek, pioner i ortopedisë shqiptare nga një familje e vjetër qytetare, intelektuale e patriotike. Së bashku, me vlera të përcjella ndër breza prej të parëve të tyre, do ta ndërthurin ambientin, ngrohtësinë dhe dashurinë në një familje me fëmijë të dalluar.

Në Tetovë, Elsa emërohet si ligjëruesja e parë e gjuhës angleze në sh.f. “Liria”. Nxënësit e admironin dhe arsimtarja Elizabeta vazhdon edhe sot të jetë një shembull i personalitetit dhe i ligjërimit për t’u ndjekur. “Edukata dhe shpirti i saj arsimdashës hapën dyer të reja në jetën e brezave të rinj” shprehet akademik Alajdin Abazi.  Përderisa, siç e përshkruan kolegia dhe shoqja e saj e afërt, znj. Miriban Alili: “Ajo mbetet si një ndër personat më pozitiv dhe frymëzues për gjeneratat e reja që kemi njohur. Njëherit, dallohej me respektin që kishte për të moshuarit, kolegët dhe nxënësit”.

Në vargun e kontributit për zhvillimin e arsimit në Tetovë, ajo nuk iu shmang gjurmëve të të jatit, prof. Remzi Pustinës, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm dhe sakrificë për arsimin në gjuhën shqipe në Tetovë dhe më gjerë.

Personaliteti, virtytet, karakteri dhe sharmi i saj mbeten akoma të freskëta në kujtimin e njerëzve që e njohën, e deshën dhe e respektuan. Ishte një Zonjë e përkushtuar që kryente me devotshmëri të gjitha përgjegjësitë, ashtu si një grua di të marrë përsipër: rritjen, edukimin, formimin dhe shkollimin e fëmijëve të saj.

Kështu, gjithçka shkonte për mrekulli, me shumë ngjyra jete. Ndërkohë, lëvizja e akrepëve të orës ndiqej rregullisht dhe për çdo mëngjes kishte zgjime të hareshme. Të gjithë në shtëpi mëngjeseve rendnin pas obligimeve të tyre, për t’u rikthyer e për t’u bashkuar në mbrëmjet që ishin ende më të bukura. Pikërisht në kulmin e këtij ambienti të ndritshëm, në pritje të Festës së flamurit, tek e priste ardhjen e më të afërmve, krejt befasisht në mbrëmjen e 27 nëntorit të vitit 1991, Elsa jonë shumë e dashur i mbylli sytë përjetësisht. Elsa, u nda nga kjo jetë, u nda shumë herët nga familja dhe fëmijët, për të cilët nuk kishte kursyer mundin as dashurinë, megjithëse nuk arriti të përjetojë asnjë nga gëzimet dhe arritjet e tyre.

Absolutisht, fatet nuk mund të vendosen dhe as nuk duhet ankuar për këtë, por gjurmët  që la Elsa në këtë jetë mbeten si dritë dhe udhërrëfim i fuqishëm. Aq të qëndrueshme ishin dashuria dhe vlerat që ajo la në familjen dhe në rrethin e saj, sa edhe sot, pas tridhjetë vitesh, kujtimi për të vazhdon të jetë i freskët. Mbase, nuk mjafton një jetë e tërë për shuarjen e dhimbjes dhe mallit për largimin e parakohshëm të saj.

Data e largimit të Elsës nga kjo botë përkon me festën e fundit të nëntorit. Tani, pas tridhjetë vitesh, para vajzave të saj vezullon figura rrezatuese e mbretëreshës së tyre, sikur të ishte dje duke bërë përgatitjet, ato nga më të veçantat, ato për kremten e madhe kombëtare.

Majlinda, Lejla, Ardiana, Miranda dhe Hyrija

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button