Joveski nuk përjashton hetimin për aksidentin e autobusit edhe në Maqedoninë e Veriut

Në një intervistë për “360 Shkallë”, prokurori publik i RMV-së, Ljumobir Joveski, tha se është e mundur hapja e procedurës për krime të mundshme në vend, lidhur me aksidentin e trafikut në Bullgari të autobusit “Besa Trans” në të cilin vdiqën 45 persona, transmeton 360 Shkallë.

Në pyetje do të merren edhe persona nga institucionet vendore, por për shkak të hetimit Joveski nuk ka dhënë emra.

Si autobusi i “Besa Trans” ka kaluar kufirin shtetëror pa licencë, si është regjistruar, si është organizuar vetë kompania – këto janë vetëm disa nga gjërat që janë duke u hetuar aktualisht nga Prokuroria Publike e RMV-së, thotë Prokurori publik i RMV-së, Ljubomir Joveski.

Një pjesë e këtyre procedurave kryhen në kuadër të procedurës para-hetimore që kryen Prokuroria Publike Bullgare, por kjo nuk do të thotë se në vend nuk do të hapet asnjë procedurë.

“Menjëherë pas aksidentit kemi filluar me mbledhjen e këtyre të dhënave dhe para së gjithash këto të dhëna do t’ua japim organeve kompetente të Republikës së Bullgarisë sepse në radhë të parë është detyrë që të sqarohen rrethanat e ndodhjes së kësaj tragjedie trafiku. Por, në të njëjtën kohë, prokuroria analizon këto të dhëna dhe shqyrton se si automjeti apo autobusi ka kaluar kufirin shtetëror, me sa pasagjerë, në cilën dalje kufitare ka shkuar, me çfarë dokumentesh është regjistruar kalimi i tij. Fakti që ky mjet ka dalë disa herë nga vendi dhe është kthyer është i saktë. Ne do të shqyrtojmë gjithashtu pjesën e regjistrimit të automjetit dhe procedurën e regjistrimit. Nëse prokuroria merr vesh se është kryer një krim, do të veprojë në përputhje me rrethanat, përkatësisht do të veprojë në bazë të ligjit dhe do të fillojë procedurë ndaj personave të caktuar për të cilët ka dyshime për kryerje të krimit.” tha Ljubomir Joveski.

Në lidhje me atë se a ka dalë prokuroria me prova apo njohuri për përgjegjësinë penale të institucioneve, organeve apo personave nga vendi. Joveski tha se ka informacione të tilla fillestare, por nuk deshi të ndaj më shumë detaje për shkak të hetimit të procedurës.

“Ne kemi njohuri fillestare. Mirëpo, për të mos dëmtuar rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës, në këtë moment nuk do t’i shpallim publikisht të gjitha provat që i kemi para se t’i analizojmë ato të dhëna, t’i kontrollojmë ato, të mbledhim të dhëna të plota nga institucionet kompetente dhe vetëm pastaj të shohim nëse ka dyshime dhe për çfarë krimi bëhet fjalë.” tha Joveski.

Kreu i prokurorisë konfirmoi se një numër personash tashmë janë marrë në pyetje, por do të thirren edhe të tjerë.

“Ne po marrim në pyetje persona të caktuar dhe për nevojat tona dhe të Prokurorisë Publike të Republikës së Bullgarisë mund të na duhet të marrim në pyetje rreth 20 persona. Por duke qenë se kjo procedurë është konfidenciale, parahetimore, nuk do të ndalem se cilët persona do të marrim në pyetje.” tha Joveski.

Në mesin e atyre njerëzve, ka nga ata që janë të angazhuar në institucionet vendase.

“Do thërrasim njerëz që besojmë se kanë njohuri për ngjarjet specifike që do të hetojmë. Sigurisht që këtu nuk paragjykoj, disa nga gjërat janë nga procedura administrative, por do të ndalemi vetëm në elementet penalo-juridike që janë në interes të prokurorisë.” tha Joveski.

Ndryshe, sot  prokurori publik Lubomir Joveski njoftoi se materialet për hetimin e aksidentit të autobusit janë dorëzuar te zëvendës prokurori publik i qarkut të Prokurorisë publike të Pernik-ut, Biser Jordanov Mihajllov dhe hetuesiit të Shërbimit hetimor kombëtar të Bullgarisë Mlladen Hristov Petrov.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button