Dezinformatat po i zbrazin pikat e vaksinimit në Tetovë dhe Gostivar

Në Tetovë ka rënë në mënyrë drastike interesimi për vaksinim, e me këtë edhe nevoja për punonjës mjekësorë dhe pika për imunizim. Në korrik dhe gusht, në ditë janë vaksinuar mbi 1500 qytetarë, kryesisht me dozën e parë. Tani vaksinohen 200 deri në 300 persona në ditë, dhe gjysma e tyre me dozën përforcuese, pra me dozën e tretë. Dezinformatat janë një nga arsyet kryesore se pse njerëzit, e sidomos të rinjtë, e humbasin interesin për imunizim, transmeton Vërtetmatësi. 

Shkruan: Zoran Dimovski

Nga katër pikat e vaksinimit që verën e kaluar kanë funksionuar në Tetovë, tashmë në dispozicion të qytetarëve është vetëm një pikë vaksinimi, në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

“Vërtetmatësi” vizitoi pikën e vaksinimit në Tetovë. Ata thonë se nuk janë të kënaqur me numrin e të imunizuarve. Imunizimi që gjatë verës zhvillohej me një ritëm të shkëlqyer, tani duket se po shuhet. Ata shtojnë se ditët e fundit ka një rritje të vogël të numrit të të interesuarve  për vaksinim, ndoshta për shkak të masave të paralajmëruara nga Komisioni për sëmundje infektive, por përsëri kjo nuk është një rritje e mjaftueshme.

DEZINFORMATAT E DËMTOJNË PROCESIN E IMUNIZIMIT

Arsyet kryesore për rënien e interesit janë zvogëlimi i rasteve pozitive me koronavirus si dhe i hospitalizimeve, gjë që ndikon në relaksimin e qytetarëve. Por, nga ana tjetër, dezinformatat e ndryshme që po përhapen kryesisht në rrjetet sociale, kanë ndikim të madh tek të rinjtë.

Xharie Asani, koordinatore e pikës së vaksinimit në Tetovë, thotë se ka pasur raste kur të rinjtë kanë ardhur në pikën e vaksinimit për të pyetur nëse vaksina “Pfizer” shkakton sterilitet.

Unë u them se është një gënjeshtër absolute, disa do të më dëgjojnë, por disa i besojnë një dezinformate të tillë dhe largohen të pavaksinuar, na tregon Asani.

Xharie Asani, koordinatore në pikën e vaksinimit në Tetovë
Foto: Vërtetmatësi

Ajo thekson se dezinformatat i bëjnë dëm të madh procesit të imunizimit.

Interesi është ende i ulët, por presim të rritet, dezinformatat se vaksinat janë të dëmshme duhet të marrin fund. Nga ato ndikohen më së shumti të rinjtë, besojnë gjithçka që lexojnë në internet. Prandaj, për vaksinat duhet t’i dëgjojnë mjekët dhe ekspertët. Ndodh që të vijnë dhe presin që njëri prej tyre të vaksinohet. Thonë se do presin të shohin nëse atij do t’i ndodhë diçka, e pastaj të vaksinohen edhe të tjerët, thotë Asani.

MJEKËT APELOJNË: VAKSINAT JANË TË SIGURTA

Doktor Ratko Davidovski,  punonjës në Qendrën e shëndetit publik në Tetovë, thotë se dezinformata ka që nga fillimi i pandemisë, e që kryesisht qarkullojnë në rrjetet sociale. Dr. Davidovski si shembull i thekson dezinformatat se vaksinat shkaktojnë sterilitet. Ai thekson se qytetarët nuk duhet të përdorin burime jo të besueshme. Njëkohësisht ai thekson se ka disa studime që vërtetojnë se vaksina nuk ka absolutisht asnjë lidhje me sterilitetin.

Përkundrazi, disa studime kanë treguar se virusi Kovid-19 gjatë infeksionit shkakton një ndryshim afatshkurtër të spermatogjenezës, pra uljen e numrit të spermatozoidëve. Prandaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të vaksinohemi. Kemi shembuj për një numër të madh shtatzënash që janë vaksinuar. Për sa i përket përbërjes së vaksinave, më konkretisht përbërësve që e stabilizojnë vaksinën, ato janë në përqendrime që janë në përputhje me përqendrimet e lejuara në ujin e pijshëm. Bëhet fjalë për përforcues, stabilizatorë dhe konservues. Stigma zakonisht ka të bëjë me kripërat e aluminit, të cilat janë përforcues, dhe merkurin, i cili është një stabilizues. Por përqendrimet e tyre në vaksinë janë shumë të ulëta, të njëjta ose të ngjashme me ato që gjenden në ujin e pijshëm, tha doktor Davidovski dhe theksoi se njerëzit nuk duhet të kenë frikë të vaksinohen, sepse vaksinat janë të sigurta.

Doktor Ratko Davidovski nga Qendra e shëndetit publik në Tetovë
Foto: Vërtetmatësi

Në këtë link, mund të lexohet për një nga studimet që konfirmon se vaksina nuk shkakton sterilitet.

Edhe në Gostivar përhapen dezinformata për dëme të supozuara që i shkaktojnë vaksinat, thotë për “Vërtetmatësin” Doktor Ratko Naumovski, shef i Repartit infektiv në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar.

Po të kishin qenë të dëmshme nuk do ishin vaksinuar punonjësit shëndetësorë, thekson ai.

Edhe pse ligji për pandeminë e liron doktor Naumovskin nga përgjegjësitë e tij të punës – sepse ka diabet, ai vazhdon të shkojë në punë. Ai thotë se ka dëshirë që të ndihmojë, se pacientët duhet t’i dëgjojnë mjekët dhe të besojnë në shkencë. Pacientët e pyesin shpesh nëse duhet të vaksinohet dhe ai ua tregon shembullin e tij personal, se gjatë punës vazhdimisht është i rrethuar me persona të sëmurë, por është vaksina ajo që e mbron.

Doktor Ratko Naumovski, shef i Repartit infektiv në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar 
Foto: Vërtetmatësi

Tek ne periudha më e rëndë ishte gjatë korrikut, gushtit dhe fillimit të shtatorit. Mund të them se të gjithë ata që ishin vaksinuar kishin një pasqyrë klinike më të lehtë, ndryshe nga ata që nuk kishin pranuar asnjë dozë të vaksinës. Interesi për vaksinën tani ka rënë. Të gjitha llojet e informacioneve për vaksinën vijnë nga të gjitha anët, madje ndërhyn edhe politika dhe politikanët. Askush nuk duhet të ndërhyjë në shëndetësi, ne si punonjës shëndetësorë nuk na intereson se nga erdhi virusi, nëse është lëshuar për ndonjë qëllim…Ne jemi të interesuar t’i ndihmojmë njerëzit, të mbrojmë shëndetin e tyre dhe t’i shpëtojmë nga vdekja. Po shpërndahen dezinformata se vaksinat janë të dëmshme, madje edhe se përmbajnë çipa, etj… Kjo ndikon tek njerëzit, kanë frikë se mos kenë pasoja. Por vaksinat janë të sigurta. Çdo vaksinë jep simptoma lokale dhe të përgjithshme si temperaturë, dhimbje koke. Këto simptoma janë të zakonshme për çdo vaksinë, jo vetëm për vaksinën kundër Kovid-19. Unë jam diabetik, pranoj insulinë dhe kam të drejtë mos shkoj në punë për shkak të pandemisë. Por unë jam këtu, t’i mjekoj gostivarasit. Jam vaksinuar dhe apeloj që ata që nuk janë vaksinuar ta marrin sa më parë vaksinën që të mbrohemi, thotë doktor  Naumovski.

Edhe të dhënat e Ministrisë së shëndetësisë tregojnë se vdekshmëria nga Kovid-19 është shumë më e ulët në qytetet ku ka një mbulim më të madh me vaksina, ndryshe nga qytetet si Tetova. Qyteti poshtë Sharës me valën e fundit u përball me vetëm 19 përqind të vaksinuar, që pati si rezultat një numër të madh viktimash dhe hospitalizimesh në muajt korrik dhe gusht.

Edhe аnalizа e fundit e Ministrisë së shëndetësisë ( 19.11.2021 ), tregon se personat e pavaksinuar vuajnë më shumë nga virusi. Sipas analizës për periudhën nga 06.08 deri më 18.11.2021 në territorin e vendit tonë pozitivë me Kovid-19 kanë qenë 53.682 qytetarë, 31 përqind nga të cilët, ose  16.702 persona kanë qenë plotësisht të vaksinuar.

Është i madh numri i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me Kovid-19. Sipas statistikave për muajt e kaluar, 36.980 qytetarë, ose 69 përqind e rasteve me Kovid-19 nuk kanë qenë të vaksinuar. Përqindja e personave të hospitalizuar që nuk kanë qenë të vaksinuar është e lartë, nga 534 pacientë që për momentin ndodhen në spital, 123 janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës. Vdekshmëria tek personat e pavaksinuar është shumë më e lartë, tregon analiza e Ministrisë së shëndetësisë.

 

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button