Spasovski: Spekulimet për tragjedinë e autobusit vetëm e dëmtojnë hetimin

Spekulimet në publik për tubat e benzinës, piroteknikë e kështu me radhë vetëm dëmtojnë hetimin, nuk ndihmojnë. “Me sa di unë, këto nuk janë tuba benzine që mund të jenë shkaku i aksidentit”, tha ministri i Brendshëm Oliver Spasovski në një deklaratë për BTV të Bullgarisë, transmeton 360 Shkallë.

Ai shtoi se beson thellë në organet hetuese të Bullgarisë.

“E lëmë hetimin për të vërtetuar të gjitha faktet dhe sigurisht të dhënat më të rëndësishme duhet të vijnë nga autoritetet shtetërore të Bullgarisë. Duhet të konstatojmë shkakun e aksidentit, nëse është faktor njerëzor apo ndonjë lëshim teknik.” tha Spasovski.

Ministri theksoi se Drejtoria doganore dje ka ndërmarrë aktivitete lidhur me sqarimin e procedurave, me ç’rast janë suspenduar dy doganierë dhe është ushtruar përgjegjësi disiplinore për udhëheqësin.

“Nevojitet hetim i detajuar dhe përgjegjësi penale për këdo që ka marrë pjesë në veprime të tilla.” shtoi Spasovski.

Prokuroria bullgare në një konferencë për shtyp sot hodhi poshtë versionet e tubacioneve të karburantit apo një akt terrorist në autobusin e Besa Trans- Shkup si shkak i aksidentit. Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Bullgarisë, Borislav Sarafov, tha se versioni i gabimit njerëzor është më i afërti deri më tani, për të cilin po shqyrtohen kushtet ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor.

Tre ditë pas aksidentit të autobusit të RMV-së në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore, autoritetet bullgare thanë se në autobusin e aksidentuar kanë gjetur 44 trupa të pajetë, ndërkaq 7 persona janë lënduar dhe 1  nuk dihet se ku është. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button