fbpx

RMV, shifra alarmante të dhunës ndaj grave, institucionet nuk punojnë sa duhet në këtë drejtim vlerësojnë ekspertët

Thuaj se për çdo ditë dëgjohen raste të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, përdhunime dhe të ngjashme. Ky fenomen është mjaft i përhapur edhe në vendin tonë. Shifra të larta vërehen në raportime, por ky numër mund të jetë më i lartë në realitet marrë parasyshë edhe numrin e grave të cilat nuk e raportojnë dhunën, ndër shkaqet është edhe mosbesimi në institucionet kompetente dhe pavarësia ekonomike. Për këtë të fundit alarmojnë ekspertët nga fusha të ndryshme se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Dhuna ndaj grave paraqitet në forma të ndryshme, si ajo fizike, psikike, seksuale dhe të tjera ku arrijnë deri në vrasje, që njëherit janë edhe nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti janë regjistruaj gjithsej 2,779 vepra penale të dhunës në familje dhe numri i të dhunuarve nga këto raste është 2,996, ku pjesa më e madhe e të dhunuarve janë gra. Dhunuesit në këto vepra janë kryesisht bashkëshortët. Portalb.mk përgatiti infografik për këtë.

Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje
Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje

Sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjatë këtij viti deri me 31 shtator janë regjistruar gjithsej 42 vepra penale në lidhje me dhunën në familje të kryera ndaj grave, të cilat janë kryer duke shkaktuar lëndime trupore, ose duke rrezikuar sigurinë e personave të dhunuar. Ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara për vitin 2020 është 80.

“Në këto vepra janë përfshirë burra të cilët ishin në cilësinë e bashkëshortëve, djemve, baballarëve, ish-burrave, bashkëshortëve të jashtëligjshëm e të tjerë. Në këto vepra shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet si marrëdhëniet e prishura familjare, çrregullimet nervore, alkooli dhe veset, droga dhe arsye të tjera, ku gjatë kryerjes është përdorë forcë fizike. Të njëjtit pas denoncimit të rasteve menjëherë janë privuar nga liria dhe ndaj tyre janë përgatitur parashtresa përkatëse deri në Prokuroritë Themelore Publike në Tetovë dhe Gostivar.” thanë nga SPB Tetovë.

Nga atje shtuan se i kompletojnë në tërësi të gjitha lëndët në pjesën e kompetencave të veta ligjore, ndërsa çdo gjë tjetër më pas është në kompetencë të institucioneve tjera, si Prokuroria dhe gjykatat.

Institucionet nuk i trajtojnë si duhet rastet e dhunës ndaj grave

Rita Behadini, kryetare e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” alarmon se duhet të ketë trajnim të policëve për viktimat e dhunës, sipas saj ata që i pranojnë raportimet e dhunës ndaj grave duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të trajnuar se si t’i pranojnë këto raste pasi nuk mundet viktima e dhunës të kthehet në shtëpi.

Rita Behadini
Rita Behadini

“Ne si organizatë kemi frikë t’i drejtojmë viktimat e dhunës në polici, sepse kthehen duke na thënë polici më tha shko në shtëpi, ke bë diçka, ti i ke fajet, ke bë diçka, shko në shtëpi qetësoje burrin, do kalojë. Viktimat e dhunës, veçanërisht gratë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përveç që janë të diskriminuara se janë gra ata janë të diskriminuara për faktin se janë shqiptare. Qasja në institucione, qasja në ndihmë psikologjike dhe në organizata të ndryshme dhe zakonisht ato e kanë të pamundur ndonjëherë të raportojnë dhunën.” tha Rita Behadini.

Për atë se duhet të ketë edukim të policëve për personat e dhunuar  pajtohet edhe inspektorja Nermine Izairi, e cila pohoi se diçka e tillë nuk ndodh.

” Ne jemi personat e parë të cilët takohemi me viktimën e dhunës në familje, ne jemi ato që duhet të marrim masa. Duhet të ketë bashkëpunim me të gjitha institucionet, sidomos nëse ka nevojë që viktima të strehimohet në strehimore ku Maqedonia e Veriut ka shumë pak, edhe ato që ekzistojnë janë me kapacitet të vogël. ” tha Nermine Izairi.

Ligjërisht qëndrojmë shumë mirë, por praktikisht jemi për të ardhur keq

Sipas profesoreshës të së Drejtës Penale në UEJL- Vedije Ratkocerit, Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft nga aspekti normativ në drejtim të parandalimit të dhunës ndaj grave, por ajo çfarë mungon në vendin tonë është mungesa e përkrahjes institucionale.

Vedije Ratkoceri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Vedije Ratkoceri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Republika e Maqedonisë së Veriut sa i përket aspektit normativ ka bërë mjaft në këtë drejtim, duke hartuar strategji për parandalim të dhunës në familje, duke miratuar ligj të veçantë që nga viti 2014 për të parandaluar dhunën në familje, madje duke miratuar ligj të ri në janar të këtij viti i cili ka hy në fuqi në maj të po këtij viti i cili ligj është në harmonizim të plotë me Konventën e Stambollit. Ajo çfarë mungon për momentin është inkriminimi në kodin penal si vepër e veçantë e femicidit (vrasje e grave) dhe të dënohet më ashpër. Ajo çka mungon më së shumti në vendin tonë është mungesa e përkrahjes institucionale. Kjo mungesë e besimit në institucione shpesh herë i demotivon gratë që të denoncojnë dhunën, i demotivon ato që të paraqesin dhunën dhe të parandalojnë ndoshta tragjedinë që mund të pasojë më tej.” tha Vedije Ratkoceri.

Ndër të tjera ajo shton se në luftën kundër dhunës ndaj grave fatkeqësisht angazhohen vetëm gratë ku kemi një mungesë të angazhimit të gjinisë mashkullore. Sipas saj, për të ndaluar dhunën ndaj grave duhet të edukojmë djemtë, që nga vegjëlia tu japim edukatë për barazi gjinore dhe se dhuna nuk është në rregull.

Arta Selmani, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Arta Selmani, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të njëjtin mendim me kolegen e saj e ndan edhe Arta Selmani– profesoreshë universitare e së Drejtës Familjare e cila thekson se element shumë i rëndësishëm për parandalimin e këtij fenomeni është vetë edukimi i gjeneratave të reja, ku theksoi që një jurist të jetë i kompletuar duhet të ketë njohuri të dhunës në familje që ka një rol shumë të madh për ngritjen e vetëdijes jo vetëm juridike por edhe shoqërore.

Gratë të cilat janë viktima të dhunës e të cilat nuk kanë njohuri sit ë veprohet në këto raste, kanë një derë të hapur e cila është klinika Juridike “Pro Bono” e cila ofron ndihmë juridike dhe informata pa pagesë. Këto ofrohen si pjesë e ndihmës juridike primare të rregulluar me Ligjin për ndihmë juridike pa pagesë (Gazeta zyrtare e RMV-së nr.101/2019).

“Ne si Fakultet Juridik në kuadër të Klinikës Ligjore Pro Bona kemi pasur raste ku kemi ofruar ndihmë dhe këshilla juridike për viktimat e dhunës në familje, klinikë kjo e cila funksionon falas në Fakultetin Juridik.” tha Arta Selmani.

Pavarësimi ekonomik i grave shihet si një nga faktorët për parandalimin e dhunës ndaj tyre

Për Rita Behadinin, pavarësia ekonomike e grave është faktor vendimtar në përforcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në familje. Ajo sqaron se pavarësia ekonomike e grave është element shumë i rëndësishëm, pasi sipas saj gratë e pavarura ekonomikisht largohen më lehtë nga mjedisi ku janë pre e dhunës se ata të cilat janë të varruar ekonomikisht qoftë nga bashkëshorti apo dikush tjetër.

Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), nga numri i përgjithshëm i grave nga mosha 15 deri në moshën 65 vjeçe, vetëm 300.549 gra janë të punësuara. Ndërsa për burrat, për grupmoshën e njëjtë ky numër arrin deri në 458.505. Ndërkohë në anën tjetër, sa i përket numrit të grave të pa punësuara dhe popullatë joaktive, numri i përgjithshëm i tyre arrin në 539.905. Ndërsa ky numër për burrat e papunësuar dhe joaktivë është vetëm 383.743.

Situata nuk është më mirë as në Kosovë

Vetëm Brenda këtij viti në Kosovë u shënuan 3 raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë gratë. Dy nga këto raste ishin gra të cilat janë vrarë nga bashkëshortët. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës përveç vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, 1374 raste janë raportuar për dhunë në familje, ku 1063 nga to, viktima kanë qenë gra. Shifrat tregojnë se rastet e dhunës ndaj grave Kosovë rriten, por kjo jodomosdoshmërisht kupton që rastet rriten, në një këndvështrim tjetër kjo nënkupton edhe rritjen e denoncimeve.

Rastet e raportimeve të dhunës në Kosovë ndër vite, sipas Policisë së Kosovës:

  • 2016- 1, 225 raportime
  • 2017- 1,269 raportime
  • 2018- 1,533
  • 2019- 1,914
  • 2020- 2,069
  • 2021- 1.374 (të dhënat para dy muajve)

Ministrja Haxhiu tha se dhuna në familje është përgjegjësi institucionale dhe se duhet raportuar, dhe institucionet të kryejnë punën e tyre, pasi ka shumë jetë të humbura të grave si rezultat i mosveprimit nga ana e policisë, prokurorisë dhe gjykatave .

Albulena Haxhiu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Albulena Haxhiu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Për herë të parë dhuna në familje adresohet si prioritet qeveritar, pra një ndër pesë prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë është adresimi i dhunës në familje. Ne tash për herë të parë e kemi ndryshuar ligjin për ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje, dhunës me baza gjinore, dhunës ndaj grave. Po ashtu ne kemi nëntë strehimore në Kosovë që strehojnë viktimat e dhunës në familje kur ato nuk kanë ku të shkojnë, për shkak të mungesës së pronës. Probleme kemi te mungesa e zbatimit të legjislacionit nga institucionet përkatëse, pra shkojnë me minimumin e dënimit në rast të dhunës në familje dhe mangësi në bashkëpunimit institucional.” tha Albulena Haxhiu.

Ministrja theksoi se ajo ku janë duke u fokusuar si institucione dhe që e njëjta duhet të bëhet edhe në Maqedoninë e Veriut është zbatimi I legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrja e masave ndaj atyre që nuk e kryejnë detyrën, qoftë në nivel ekzekutiv, ashtu edhe në gjyqësor, polic dhe prokuror.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti në Maqedoninë e Veriut hyri në fuqi dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes këtij ligji, shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Në këtë datë zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button