Sulmet e hakerëve

Maqedonia e Veriut (MV) javën që shkoi u integrua plotësisht në strukturën ushtarake komanduese të NATO-s. Askush nuk e kishte menduar se një ditë një shtet i kontestuar nga të gjitha fqinjët do të bëhet anëtare e NATO-s dhe një vend që gjatë qeverisjes së Gruevskit ishte bërë pjesë e lojërave për një prani të përhershme të Rusisë në rajon. Maqedonia e Veriut tashmë ka hyrë në rrugën e sigurt euro-atlantike duke qenë anëtare e plotë e NATO-s dhe kjo nuk është punë e vogël për një vend që ishte buzë greminës dhe konflikteve të brendshme. Tani e tutje Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s ka më shumë siguri nga sulmet e jashtme e në veçanti ato kibernetike ku Ballkani dhe MV janë objekt i sulmeve ruse.

Pasi ShBA dhe aleatët janë treguar zemërgjerë me Shkupin zyrtarë duke e ndihmuar me miliona dollarë dhe euro, mbetet që qeveria dhe ministria e Mbrojtjes të punojnë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit e sidomos në fushën e zbulimit, kundërzbulimit, dezinformimit dhe atë të mbrojtjes së infrastrukturës nga sulmet kibernetike, pra nga viruset prej sulmeve të hakerëve të huaj që kanë për synim destabilizimin e infrastrukturës kritike, caqeve të caktuara qeveritare dhe natyrisht sektorin ekonomiko-financiar.

Qeveria dhe organet gjegjëse tani e tutje duhet të fokusohen në identifikimin e burimeve të brendshme që mund të preken nga aktorët e huaj si nga Rusia dhe Serbia pa përjashtuar këtu dhe shtetet tjera të interesuara për hyrje në sistemin e sigurisë së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, rol kryesorë duhet të luajë Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK), ajo e Sigurisë Publike, e ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimi Inteligjent i MPJ dhe informatorët pranë ambasadave. Përgjegjësia më shumë bie mbi AKS-më e cila me atë krypto-analizës, analizës inteligjente, burimeve të hapura dhe atyre njerëzore e ka për detyrë të parashikojë, zbërthejë dhe godasë jo vetëm hakerët, por edhe armiqtë që synojnë të dëmtojnë një vend anëtar të NATO-s dhe shtetin përkatës. Jo vetëm kaq, kur një shtet inkuadrohet tërësisht në NATO, atëherë edhe shkëmbimi i informacioneve sekrete bëhet më lehtë, më sigurtë dhe rritet besueshmëria në mes vendit të ri dhe Komandës Ushtarake të NATO-s, e ku zakonisht në krye të saj është amerikan.

Nuk përjashtohet mundësia që agjentë të huaj të hynë në vendet anëtare të NATO-s dhe të marrin informacione dhe të zbulojnë sekrete. Zakonisht në vendet e sapo anëtarësuara, agjencitë e huaja të spiunazhit kanë për qëllim rekrutimin e individëve të profileve të ndryshme dhe atë duke filluar nga sektori i punëve të brendshme, i mbrojtjes, punëve të jashtme, OJQ, universitetet, mediat etj etj, ku me interes është informacioni dhe përmbajtja e mesazheve të koduara nga rekrutët e vendit. Andaj, Shkupi mund të themi se ka hyrë në një fazë stabiliteti, megjithatë  nuk duhet përjashtuar të gjitha mundësitë e depërtimit të agjencive të huaja të spiunazhit dhe të sulmeve kibernetike në sistemin e  MV-së me anë të formave të ndryshme. Ashtu si NATO dhe anëtarët e saj bëjnë përpjekje maksimale në fushën e mbrojtjes, poashtu kundërshtarët, organizatat globale ushtarake dhe ato jo shtetërore i forcojnë të gjitha kapacitetet sulmuese dhe të mbrojtjes. Maqedonia e Veriut duhet të sillet ashtu si paraqitet gjendja. Dhe pa dilema të jetë në anën e duhur të aleatëve jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime konkrete në fushën kibernetike dhe të kundërzbulimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button