TAKIMI I PARË DHE I FUNDIT ME POETIN VEHBI SKËNDERI

Qe janari i vitit 1996 kur në Tetovë takova poetin e shquar Vehbi Skënderin (1927-2011), i cili kishte ardhur në Festivalin e Poezisë “Ditët e Naimit”, të themeluar një vit më parë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë me në krye akademik Ali Aliun.

Para takimit nuk kisha lexuar asgjë prej tij. Ia kisha dëgjuar vetëm emrin, por nuk e dija se eshtë ndër poetët më të mirë të gjeneretës së tij; se ishte njohës i disa gjuhëve të botës; se poezitë ia pëlqente fort Lasgush Poradeci; se kishte fituar çmime të rëndësishme në konkurse letrare; se, bashkë me disa krijues të tjerë, qe dënuar në vitet e përplasjeve ideore me regjimin monist; se iu hoqën veprat nga raftet e bibliotekave e librarive; se u dëbua nga Tirana bashkë me familjen dhe punoi si hamall në një fshat malor të Dajtit…, edhe përkundër të dhënës se kishte qenë pjesëmarrës në luftën antifashiste dhe dy herë ishte plagosur rëndë. Për këto gjëra më foli vetë poeti gjatë shoqërimit dy ditor, me ç’rast bëra dhe një intervistë për revistën letrare BREZI 9, pjesë të së cilës po sjell në vijim për respekt të lexuesve të PortAlbit:

Kam munguar 50 vjet në këto troje dhe Ju më keni munguar 50 vjet. Në çastet kur do të nisesha për këtej mendoja rreth kësaj brenge, plage, tragjedie të madhe kombëtare dhe më erdhi vetvetiu ky motiv: Mur, o mur i nëmur!/ Çapem mbi kalldërm / Në Dibër të madhe / e shpirt pendë./ 50 vite mall, / 50 vite mall, / Oh, ç’mall i rëndë / andej na pret serbi / këtej shqiptari / këtej na pret plumbi / andej litari / mur, o mur i nëmur! / mur, o mur i nëmur! / Mur – gurë varri.

Vjet, kur u bë inaugurimi i Universitetit të Tetovës, kam ndjekur në ekran edhe lëvizjet më të imëta dhe të gjitha ngjarjet që ndodhën më pas. Jam ndjerë shumë fatkeq që s’munda të marr pjesë në këtë ngjarje të madhe kombëtare. Gjëja e parë që bëra pas arritjes në Tetovë ishte shkuarja në UT. Në sekretarinë e UT takova rektorin, profesorët, studentët. Ngula këmbë të shkoja në auditoret ku zhvilloheshin leksionet. U futa pra mes studentëve dhe u thashë pikërisht këtë: Sikur Skënderbeu me kapidanët e tij trima, që mbrojtën kështjellën e Krujës., ashtu edhe Ju, që dukeni kaq të zakonshëm, kaq të thjeshtë, kaq të parëndësishëm., jeni kah mbroni kështjellën moderne të Krujës, jeni kah mbroni shpirtin e kombit shqiptar.

Qëndrimi diskriminues i disa qarqeve në Shqipëri ndaj kulturës që kultivohej këndej, në Kosovë, Maqedoni, nuk ka asnjë justifikim. Ky turp më ka bërë shpesh herë të skuqem. Ishte e turpshme kur thuhej: Poet nga Kosova, Krijues nga Maqedonia… Sikur s’ishin ata bisqet e një trungu. Kjo bëhej që kurrë të mos lidheni për trungun e përbashkët, të vjetër me mijëra vjet. Këto qenë akte të neveritshme e mizore që u kanë bërë e vazhdojnë t’u bëjnë serbëve shërbime kolosale…

Kam nisur të shkruaj që në fillore. Shkruaja ca bejte, si: Shqiponja po fluturon, / shkëmb me shkëmb vet qëndron. / Bilbili me zën’e tij, kën-don si një çilimi. Isha shumë i ndikuar nga Naimi dhe shkruaja kësisoj: Ujq e derra nëpër ferra, / dhentë blegërijnë, / malet oshëtijnë, / pyjet vetëtijnë.

Më 1953 botova veprën time të parë me poezi, ndërsa, pak më pas, me librin „Përsëri mëngjez” bëra emër, sepse libri u prit shumë mirë dhe u cilësua si vepër që sjell freski në poezinë tonë, si për figuracionin origjinal si për strukturën e vargjeve. Më 1974 mora goditjen më të rëndë të jetës sime. M’i ndaluan e m’i dogjën librat.
Unë akoma sot s’e di pse më dënuan. Vetëm e di se më shpallën agjent e kryeagjent. Veprat e mia i pat përshëndetur edhe Lasgushi i madh, po. Ma torturuan edhe familjen. Kam punuar dhjetë vjet punë të rënda, punë hamalli edhe pse s’kishin asnjë mikrofakt kundër meje. Më dhimbsej vajza të cilës ia ndërprenë shkollimin.
Edhe unë mendoj se letërsia e krijuar gjatë kohës së diktaturës ka nevojë për analiza më serioze dhe objektive, faqe për faqe e kapitull pas kapitulli. e pastaj të thuhet kush duhet të fshihet e kush duhet të mbetet nga ata libra e ata autorë. Po mos të harrojmë se gjatë asaj periudhë kanë krijuar edhe pena si Dh. Xhuvani, Jakov Xoxa, Petro Marko, Zija Çela. Sa për ata që gërvallen për fshirjen e tërësishme të krijimtarisë 50 vjeçare po e shtroj një pyetje: Kush mund t’ia heq letërsisë shqipe, bie. fjala, Jakov Xoxën dhe „Lumin e vdekur”? Kush ka guxim ta quajë antivlerë këtë poemë brilante?.

Po them diçka edhe për Kasem Trebeshinën, për këtë disident më konsekuent e më vital, ndoshta në tërë Evropën. Është turp të flasish për letërsinë shqiptare pa zënë në gojë K. Trebeshinën, i cili ka shkruar 45 drama dhe aq vepra të tjera poetike, romane, novela. Trebeshina është Haveli shqiptar. Edhe në luftë qe burrë mbi burrat. 3-4 herë i plagosur, ndërsa menjëherë pas saj u shfaq si kapedan i letrave tona. Ai kurrë s’u pajtua me kanunet absurde të Realizmit Socialist. Ai qe një rrebel e kryengritës i vërtetë. Në fund më vie keq që s’kemi mundësi të bisedojmë edhe për Bilall Xhaferin, L. Poradecin, J. Xoxën, M. Greblleshin, A. Asllanin etj, por të shpresojmë se këtë do ta bëjmë në ndonjë përvjetor më të rëndësishëm të revistës suaj shumë, shumë simpatike

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button