30 vjet në kërkim të kushtetutës më të mirë

Shkruan Emir Kurtishi

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar nëpër tre faza kryesore të ndryshimeve esenciale të saj. E para, 17 nëntori i vitit 1991 shënon vendimin e shpalljes dhe miratimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. E dyta, nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe e treta e ashtuquajtur Marrëveshja e Prespës, si burime specifike të së drejtës kushtetuese të vendit tonë.

Kushtetuta e RMV-së ka ditur shpesh herë të jetë gjenerator i krizave juridike dhe politike në vend. Edhe përskaj faktit që ka pësuar ndryshime, edhe atë 8 herë së fundmi me ndryshimin e emrit zyrtar si rezultat i ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, për nga ndryshimet kushtetuese është ekuivalente me Kushtetutën e Çekisë së vitit 1993, Letonisë së vitit 1991 dhe Moldavisë së vitit 1994. Por, dallimi esencial mes kushtetutave të përmendura konsiston në funksionin më të rëndësishëm në shtetet multietnike siç është RMV-ja, funksioni dhe potenciali koheziv, si lidhëzat e një këpuce të gërshetuara që nuk lejon që këmba të dal jashtë saj.

Kësisoj, Kushtetuta e RMV-së vazhdon t’i parcializojë qytetarët e këtij vendi, posaçërisht shqiptarët të cilët sot e kësaj dite lëngojnë për një status të barabartë kushtetues që e kërkonin dhe pjesërisht është arritur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001. Dy qëllimet e Kushtetutë së SHBA-së, që përbënë si një kontratë shoqërore, kombinim i ideve të Lokut, Rusosë dhe Monteskjesë, të cilët përfundimisht u përcaktuan për federatë e cila do të garantonte koherencën mes popujve, ishte “bashkimi më i përsosur” dhe sigurimi i të drejtave të njeriut nën ndikimin e të drejtës natyrore edhe pse ato vonë janë miratuar përmes 10 amendamenteve kushtetuese, me arsyetimin se ato nënkuptohen.

Andaj, edhe teza e Medisonit njëri ndër shkruesit më kryesor i Kushtetutës së SHBA-së, qëllimi kryesor i kushtetutës është kufizimi i mundësisë që shumica të dëmtojë pakicën, është leksioni që është dashur ta mëson deri më tani RMV-ja. 30 vjetori i kushtetutës së saj, i gjen dhe i ka shndërruar qytetarët e saj në viktimë kushtetuese në margjinat e betonuara që nga viti 1991, paçka pse pretendon të integrohet tash e ca kohë në BE, ajo vazhdon t’i trajtojë shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të këtij shteti si qytetarë dytësor, me çka nuk reflekton dhe nuk e pasqyron unitetin e qytetarëve të RMV-së.

Mjafton, të bëhet një analizë preambulës aktuale të Kushtetutës së RMV-së, e cila u ndryshua, u plotësua por nuk u korrigjua, theksi vazhdon të qëndrojë mbi karakterin etnik të shtetit, ajo që shpesh herë është përmendur në opinion se “populli Maqedonas!” shquhet si komb konstitutiv (etnos), pra M-ja e madhe vazhdon qëndrojë dhe mjafton ky detaj në shikim të parë i parëndësishëm, të të kategorizojë ty si pjesëtarë të komuniteteve të tjera etnike apo në formulimin e përdorur në preambulën e kushtetutës “…dhe qytetarë që janë pjesë e popullit shqiptarë, popullit turk, popullit serb, popullit vlleh, popullit romë, popullit boshnjak dhe të tjerët.” Kjo në start paraqet diskriminim të hapur që u bëhet qytetarëve/shtetasve të këtij shteti.

Këto 30 vite të zbatimit të kushtetutës, kemi parë çfarë nuk kemi parë, të gjitha këto peripeci kanë shpërfaqur shumë sfida dhe probleme serioze gjatë aplikimit të saj, nga krijimi i precedentëve juridiko-kushtetues e deri te shkeljet më flagrante të saj dhe kjo për shkak të gjuhës së kushtetutës, si krejt kushtetutat tjera që karakterizohen me gjuhë abstrakte dhe të gjerë, të hartuara në forma të parimeve kushtetuese e cila më pas autorizon që normat e njëjta kushtetuese të materializohen dhe të konkretizon me norma ligjore, vendime gjyqësore e deri te praktika kushtetuese.

Kjo tregon se interpretimi i saj nga persona joadekuat, e në funksion të zbatimit të politikave ditore, e vështirëson dhe krijon probleme serioze, të tilla në Maqedoninë e Veriut ke me shumicë, gjë që nuk është qëllim esencial i kushtetutës.

Përvjetorët e tilla, vlerësoj se duhen shënuar në shtetin tonë, aq më tepër të stimulohen dhe të organizohen debate të mirëfillta shkencore për analiza dhe rishikime serioze kushtetuese, se çka dhe ku mund të intervenohet, të plotësohet dhe të ndryshohet, ashtu siç ka thënë edhe Benjamin Franklin: “kushtetuta nuk garanton lumturinë por vetëm të kërkuarit e saj. Ju duhet ta përvetësoni atë vetë”, kështu që, ajo duhet t’u përshtatet rrethanave aktuale reale shoqërore, për të siguruar funksion ekskluziv dhe koherencë më të madhe mes qytetarëve të saj.

Kjo padyshim do ta demokratizonte edhe më tepër shoqërinë, rrjedhimisht edhe shtetin tonë, në kohën kur presim datë për fillimin e bisedimeve për në BE. Po qesë nuk mësojmë nga gabimet e të kaluarës dhe të njëjtat lejojmë që të përsëriten dhe nuk i ndreçim, do të vazhdojmë të lëngojmë për një jetë më të lumtur. Titujt e intervista që më ranë në sy këto ditë e që janë të zhvilluara vite më parë, përmes fjalëve të Lubço Georgievskit “Ishim shumë naiv”, Stojan Andov “Maqedonia vonë e kapi hapin” dhe “Nuk treguam qartë se çfarë Maqedonie do të ndërtojmë” Abduraham Aliti, tregojnë për gabimet në percepcion të gjeneratave të kaluara pa dallim dhe mbizotërimin e një fryme dhe realiteti të ndryshëm të zhvilluar vite më herë në vendin tonë dhe e njëjta mendoj se kushtet janë pjekur që të përmirësohen dhe të përshtatet me frymën civilizuese evropiane dhe të hiqet diskriminimi që u bëhet tash e një kohë qytetarëve të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button