Tetovë, Kasami i hoqi korsitë e biçikletave, gjykata thotë se lënda ende është në proces gjyqësor

Sot në Tetovë filloi largimi i shtyllave sinjalizuese të korsive për biçikleta, Kasami tha se shtegu i biçikletave ka proces gjyqësor, gjegjësisht padi kundër kryetares së kaluar Teuta Arifit, pasi i njëjti është realizuar në kundërshtim me ligjin. Kasami tha se ka vendim nga ana e gjykatës për tu eliminuar këto shtigje, ndërkaq nga Gjykata Themelore e Tetovës thanë se procedura për këtë rast është në vazhdim, shkruan Portalb.mk.

Me pikënisje nga Gjykata e Tetovës filluan të largohen shenjat sinjalizuese për korsitë e biçikletave.

Një nga arsyet për këtë vendim sipas kryetarit Kasami është se shtegu i biçikletave ka proces gjyqësor, gjegjësisht padi kundër kryetares së kaluar Teuta Arifit, pasi i njëjti është realizuar në kundërshtim me ligjin. Kasami tha se ky projekt si shumë projekte të tjera të udhëheqsisë paraprake është realizuar në kundërshtim me ligjin.

Bilall Kasami
Bilall Kasami

“Ne jemi të detyruar si Komunë që të respektojmë vendimin e gjykatës për largimin e atyre sinjalizuesve. Nga momenti që erdhëm në krye të detyrës, kemi një vendim nga ana e gjykatës që kërkon shtegu i biçikletave të eleminohet, të largohet dhe rrugët të kthehen në gjendjen paraprake, për cka ka edhe padi kundër komunës dhe ishkryetares. ” tha Bilall Kasami.

I pyetur për atë se a ka dhënë leje policia për t’i vendosur këto shtigje Kasami tha se nuk ka pasur leje, duke shtuar se ka vendim gjyqësor që të reagohet në bazë të kërkesës së policisë që të largohen këto pengesa dhe rruga të kthehet në gjendjen paraprake.

“Policia ka ngritur procedurë penale në gjykatë dhe në bazë të asaj situate ne veprojmë sot. Është në procedurë kërkesa për padi që mos të ketë pasoja më të mëdha. Në kërkesë të gjykatës ne e largojmë këtë korsi që pastaj të nisim projektin dhe në bazë të të gjitha dokumentacioneve në bazë të procedurave ligjore të shohim zgjidhjen.” tha Kasami.

Gjykata e Tetovës për Portalb.mk tha se ka inicim të procedures për kundravajtje dhe procedura është në vazhdim.

Pasi filloi largimi i shtyllave dhe pasi që Kasami tha që aty ka proces gjyqësor, gazetari i Portalb.mk së bashku me gazetarin e TV 21 u drejtuan drejt MPB-së dhe GjykatësTthemelore të Tetovës për të parë se çfarë realisht ka në këtë proces dhe deri në çfarë faze ka arritur, ka ose nuk ka vendim.

Nga Ministria e Punëve Brendshme thanë se Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, dy herë këtë vit, dërgoi paralajmërime adekuate me shkrim, për rregullimin e shtegut të ri për biçikleta në Tetovë.

“Pasi nuk është vepruar në mënyrë adekuate pas dy paralajmërimeve, SPB Tetovë në prill dërgoi kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse kundër një personi juridik dhe personi përgjegjës.” thanë nga MPB.

Gjykata Themelore Tetovë, foto nga Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë, foto nga Portalb.mk

Nga Gjykata Themelore e Tetovës thanë se pas inspektimeve të Departamentit për Kundërvajtje dhe sistemit AKMIS të Gjykatës Themelore të Tetovës, te Gjykata Themelore në Tetovë është dorëzuar kërkesë për inicimin e procedurës për kundërvajtje e regjistruar kundër të pandehurit Komuna e Tetovës – si person juridik dhe Teuta Arifit – si person përgjegjës në personin juridik, për kundërvajtje të dënueshme nga neni 348 paragrafi 1 pika 8 dhe pika 9 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, të pandehurit janë thirrur më parë nga kjo gjykatë dhe procedura është ne vazhdim.

Skepticizëm që në fillim të punëve të korsive

Kur filloi ndërtimi i shtigjeve të biçikletave para rreth shtatë muajsh, pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë.

Në muajin prill për Portalb.mk, profesori i komunikacionit rrugor në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë, Blerim Neimi, bëri një analizë për shtigjet e reja të biçikletave. Ai potencoi se shtegu i biçikletave nuk ishte bërë në përputhje me standardet e infrastrukturës rrugore.

Madje në rrjetet sociale qarkulluan fotografi të ndryshme, me anë të së cilave u ironizua me shtigjet e biçikletave në Tetovë dhe mënyrën se si janë realizuar ata. Fotografitë u publikuan edhe në disa media të Shqipërisë dhe në disa faqe ndërkombëtare.

Sa ju kushtuan tetovarëve shtigjet e biçikletave

Bëhet fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i njëjti është i gjerë 1 metër kurse ka kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.

Nga Komuna e Tetovës gjatë realizimit të punimeve u munduan ta mbajnë “top sekret” firmën e cila ka fituar tenderin dhe punonte në realizimin e shtigjeve për biçikleta në Tetovë, nga ku nuk dëshiruan ta komentojnë as çmimin.

Çmimi i realizimit të këtij projekti nga aktivistët dhe qytetarët u konsiderua shumë i lartë.

Bilall Kasamilistën e prioriteteve për 100 ditëshin e parë ka paraparë disa pika për sa i përket komunikacionit, edhe atë: lehtësimi i komunikacionit urban, ndalimi i qarkullimit komionëve edhe mjeteve transportuese të rënda gjatë ditës në qytet, largimi i veturave dhe mjeteve tjera jo funksionale të parkuara me vite në rrugë, trotuare dhe hapësira publike të lira, pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre si dhe rregullimi dhe kontrollimi i komunikacionit urban.

Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me komunikacion të ngarkuar, ku ka raste ku qytetarëve ju duhen mesatarisht nga 15 deri 30 minuta për të arritur nga qendra deri te UEJL, apo anasjelltas, pa mos e llogaritur kohën e gjetjes së vend-parkimit e cila është një problematikë në vete. Deri sa nuk krijohet një regjim i ri në komunikacion, qytetarët e Tetovës do të vazhdojnë të ballafaqohen me këtë problem.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button