Shtohen ankesat e konsumatorëve të pakënaqur, raporti i KE-së: RMV e përgatitur mesatarisht në këtë fushë

Institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut thonë se e kanë prioritet mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, por, nga ana tjetër çdo ditë e më shumë rritet numri i ankesave nga qytetarë të pakënaqur nga produktet apo shërbimet që ofrohen në vend. Nga ISHP thonë se këtë vit është shtuar numri i paraqitjeve nga qytetaret, Agjencia për ushqim ka shkatërruar mijëra tonelata ushqim të pasigurt në treg ndërsa nga Ministria e Ekonomisë thonë se kanë dorëzuar në KE projektligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorit i cili është i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe do të sigurojë mbrojtje më të mirë të konsumatorëve, shkruan Portalb.mk.

Përderisa në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për RMV u raportua se: “Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përgatitur mesatarisht në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit. Nuk është bërë progres në periudhën raportuese”. Në Inspektoratin Shtetëror të Tregut (ISHT) çdo ditë e më shumë rriten ankesat e qytetarëve. Gjatë vitit 2020 ky institucion ka regjistruar gjithsej 1986 ankesa, ndërsa gjatë këtij viti (sipas përllogaritjeve deri në muajin tetor) janë regjistruar gjithsej 1886 ankesa nga qytetarët në të gjitha drejtoritë e ISHT-së.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut çdo ditë përballet me rritje të ankesave nga qytetarët e pakënaqur. Ankesat e qytetarëve kanë të bëjnë me produkte nga segmente të ndryshme të tregut. Shumica e ankesave kanë të bëjnë me produktet teknologjike dhe dhe pajisjet elektro-shtëpiake. Është rritur edhe numri i ankesave për aranzhimet turistike, natyrisht ankesa janë paraqitur edhe për produktet dhe shërbimet e tjera që ofrohen në treg si dhe për parregullsi të tjera në funksionimin e subjekteve tregtare”, deklaruan nga ISHT.

Në pyetjen e Portalb.mk nëse ISHT disponon mjaftueshëm kapacitete në plotësimin e nevojave të qytetarëve të cilat siç duket janë gjithmonë e më të shumta, nga ky institucion u shprehen indirekt vetëm duke theksuar se të gjitha ankesat shqyrtohen brenda afatit ligjor.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut ndërmerr gjithçka në kapacitetin tonë ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve dhe eliminimin e parregullsive në tregun e mallrave dhe shërbimeve. Inspektorati Shtetëror i Tregut në punën e tij gjithmonë ka prioritet në zgjidhjen e ankesave për konsumatorët e pakënaqur”, thanë nga ISHT.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka shkatërruar mijëra tonelata ushqim të pasigurt

Në një njoftim të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari thuhet se mbi 95 tonë ushqime të pasigurta janë shkatërruar nga shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe operatorët e ushqimit nga korriku deri në shtator, si pjesë e 11,270 inspektimeve.

“Shumica e ushqimeve të pasigurta, gjegjësisht 79.064 kilogramë janë asgjësuar nga inspektorët e ushqimit dhe veterinerët zyrtarë, ndërsa vetë operatorët e ushqimit, në përputhje me planet e zbatuara HACCP, si të pasigurta kanë anuluar 13.073 kilogramë ushqim të pasigurt me origjinë shtazore dhe joshtazore”, njoftojnë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Nga kontrollet e rregullta dhe të jashtëzakonshme nga ky institucion janë miratuar 448 masa edukative, 14 kundërvajtje dhe 3 kallëzime penale ndaj operatorëve të ushqimit.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari bëjnë të ditur se gjatë vitit 2020 janë realizuar mbi 54.000 kontrolle në objektet ku shiten produkte ushqimore. Edhe pse janë ngritur 290 kallëzime për kundërvajtje sa i përket cilësisë së ushqimit, deri më tani nuk është ngritur asnjë kallëzim penalë ndaj personave juridikë për këto dyshime.

Ministria e Ekonomisë: Është dorëzuar në KE projektligji ri për mbrojtjen e konsumatorit

programin nacional 2021-2022 për mbrojtjen e konsumatorëve, në pikën e parë të Ministrisë së Ekonomisë theksohet:

  • Mbajtja e një takimi pune për implementimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit me direktivat e reja të Bashkimit Evropian.
  • Objektivi 1. Mbajtja e një takimi pune për zbatimin e Ligjit të ri për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve me direktivat e reja të Bashkimit Evropian dhe Ligjin e ri për rregulloret teknike të produkteve dhe vlerësimin e konformitetit.

Ndërkohë në raportin e fundit të KE-së për vendin tonë, mes tjerash theksohet se: Nuk pati përparim në miratimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin e rregullave kombëtare të sigurisë së produkteve me direktivat e BE-së.

Megjithatë, nga Ministria e Ekonomisë deklaruan për Portalb.mk se draft-version i Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit është dorëzuar në KE.

“Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit në fuqi është hartuar dhe zhvilluar nën ndikimin e mëtejshëm të legjislacionit evropian. Të gjitha ndryshimet në ligj kanë për qëllim harmonizimin e legjislacionit kombëtar dhe kjo është arritur në masë të madhe. Projektligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit është i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe rregullon dispozitat që mundësojnë zbatimin e ligjit evropian në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe detyrimet e përcaktuara më qartë që duhet të përmbushin tregtarët dhe personat juridikë ndaj konsumatorët. Një draft-version i Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit është dorëzuar në KE dhe sipas komenteve të KE-së, ligji është rishikuar për të plotësuar dispozitat e reja”, deklaruan nga Ministria e Ekonomisë.

Nga ky institucion theksuan se legjislacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut rregullon të drejtat e konsumatorëve për herë të parë me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, nga 29 korriku 2000. Megjithatë, për shkak të nevojës për harmonizim më të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian, në vitin 2004 u miratua Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ndryshime të mëdha në këtë ligj janë bërë me miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, të datës 25 shkurt 2011. Ai krijoi një kapitull të ri që trajton praktikat e pandershme të tregut, sjelljet mashtruese të tregut, si dhe parashikon mbrojtjen kolektive, e cila rregullon procedurën, juridiksionin, vendimet, si dhe procedurën e ankimit, në rast të shkeljes së të drejtave të konsumatorit dhe sjelljes agresive të tregut.

Nga Ministria e Ekonomisë shtojnë se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit është akti juridik më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, të drejtave të konsumatorëve, të drejtave dhe detyrimeve të shoqatave të konsumatorëve, si dhe kompetencat e administratës shtetërore për mbrojtjen e konsumatorëve. Mbrojtja e konsumatorëve është në kompetencë parësore të Ministrisë së Ekonomisë megjithatë kjo fushë nuk mund të rregullohet me një ligj të vetëm dhe nuk përfundon me punën dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë.

LEXO: Konsumatori në RMV, i pasigurt dhe i pambrojtur, kritikohet edhe në raportin e KE-së

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button