LSDM dhe BDI paralajmërojnë Qeveri dhe shumicë stabile, VMRO dhe ASh: Me BDI-në dhe LSDM-në çdo vit po largohemi më shumë nga BE-ja

Derisa pritet të nisin bisedimet për modifikimin e shpërndarjes së forcave në Parlament pas dështimit të mocionit të mosbesimit të opozitës ndaj qeverisë, socialdemokratët kanë shpallur një shumicë të qëndrueshme qeverisëse që do të miratojë ligjet e bllokuara deri më tani. Artan Grubi u shpreh se shumica parlamentare do të rritet nga të gjithë deputetët që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut stabile. VMRO-DPMNE tha se BDI dhe LSDM kanë pesë vite në pushtet dhe çdo vit po largohemi më shumë nga BE-ja,kurse nga Aleanca për Shqiptarët thanë se Bashkimi Evropian nuk arrihet me Boki13, me Zoki Kiçees, me Vice Zaevin, me gjykatës dhe prokurorë të partizuar, me inspektorë që zhvasin bizneset dhe me deputetë të blerë e të shantazhuar, shkruan Portalb.mk.

Nga LSDM sot njoftuan se në periudhën e ardhshme me shumicën parlamentare dhe Qeverinë stabile  do të sigurojnë që dita e dielë të jetë ditë jopune, rritje të pagës minimale më të lartë.

“LSDM dhe shumica parlamentare të dielën do ta sigurojnë si ditë jopune, paga më të larta për punëtorët dhe si më parë do të vazhdojnë të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve. Ndryshimet në Ligjin e Punës, që parashikojnë që 92 për qind e të punësuarve të marrin një javë pushim dhe tetë për qind e punëtorëve të marrin një shtesë javore deri në 100 për qind, do të kalojnë. Punëtorët dhe sindikatat kanë të drejtë kur kërkojnë këto ligje të cilat opozita në parlament i bllokon me këmbëngulje. Bllokadat dhe pengesat e opozitës së udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të mposhten sërish.” thanë nga LSDM.

Edhe nga BDI thanë se shumica parlamentare është stabile.

Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim tha se shumica parlamentare aktuale është stabile dhe se të gjitha subjektet politike janë të mirëseardhura në këtë përbërje parlamentare, përveç partisë “E Majta”.

“Kishte deputetë që në rend të parë e vendosën interesin e shtetit, interesin e përbashkët të shoqërisë sonë, e jo interesin e dy apo tre liderëve të cilët ishin vënë në shërbim për ta rrënuar rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Unë jam i bindur se edhe shumica parlamentare do të rritet nga të gjithë deputetët që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut stabile, të sigurt, me marrëdhënie të mira ndëretnike, me marrëdhënie të mira nderfqinjësore, një anëtare e denjë e NATO-s, me perspektivë evropiane. Të gjitha ato forca janë të mirëseardhura, përveç partisë “Levica”, e cila nuk ka vend në këto politika. Unë nuk besoj që në këto parti politike nuk ka deputetë të cilët nuk duan që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, dhe të nis bisedimet. Shpresoj që liderët e këtyre partive që u bashkuan me “Levicën” e Apasievit me VMRO-DPMNE-në dhe paritë tjera, do t’u lejojnë deputetëve të tyre të votojnë me bindjen e tyre personale.” tha Artan Grubi.

Ndër të tjera ai mohoi akuzat e Lëvizjes Besa për presion ndaj deputetëve të këtij subjekt politik.

“Absolutisht jo, përkatësisht i ashtuquajturi koalicion “Levica” është ai që ka bërë presion ndaj deputetëve që të mos e shprehin vullnetin e tyre, bindjet e tyre. Rasti me Kastriot Rexhepin është eklatant, ku edhe vet ai deklaroi se ka presione nga partia amë, nga bashkëpunëtorët e deridjeshëm të tij partiak, që të mos votojë sipas bindjeve të tij.” tha Grubi.

VMRO-DPMNE dhe ASH u kundërpërgjigjën ashpër pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë.

Partia Opozitare VMRODPMNE reagoi pas deklaratës së sotme të zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, i cili paralajmëroi zgjerimin e shumicës parlamentare dhe bashkimin e më shumë deputetëve me, siç tha ai, orientim euroatlantik.

“BDI dhe LSDM kanë pesë vite në pushtet dhe çdo vit po largohemi më shumë nga BE-ja. Grubi duhet të ndalojë së vepruari si evropian dhe të prezantohet rrejshëm si faktor, sepse e vetmja gjë që ai përfaqëson është zëdhënës i mafiës në pushtet dhe shërbëtor i interesave kriminale për të cilat populli i Maqedonisë nuk mund të ngrejë kokën. Me Artan Grubin dhe BDI-në mund të jetë vetëm deputet i rrëmbyer dhe jo të integrohet në BE. Kur Artan Grubi flet për vlerat europiane, Evropa ka dhimbje koke Herën tjetër që flet me dikë ku e kishte zemrën, e dimë që zemra e Artanit qëndron në një valixhe me para të vjedhura.” thuhet në reagimin e VMRODPMNE-së.

Nga Aleanca për Shqipëtarët (ASh) si përgjigje ndaj Grubit, deputetëve të Qeverisë u bëjnë thirrje që  të gjithë ata që duan ta shpëtojnë vendin nga krimi i organizuar, nga korrupsioni, nga injoranca, le t’i bashkangjiten opozitës progresive.

“Përrallat me euro-integrime të këtij regjimi të dështuar janë vetëm alibi për të shpëtuar nga drejtësia. Bashkimi Evropian nuk arrihet me Boki13, me Zoki Kiçees, me Vice Zaevin, me gjykatës dhe prokurorë të partizuar, me inspektorë që zhvasin bizneset dhe me deputetë të blerë e të shantazhuar.” thanë nga ASh.

LSDM paralajmëron zgjerimin e shumicës parlamentare, e cila edhe pse mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë nuk doli për votim në Kuvend, “ra” në 59 apo 60 deputetë, pasi Besa u largua nga koalicioni qeverisës. Ndërkaq, VMRO-DPMNE insiston për zgjedhje të shpejta të parakohshme.

Ndryshe, të enjten në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u tentua të votohet mocioni për mosbesimin e Qeverisë së vendit, kërkesë e ngritur nga deputetët e partive opozitare maqedonase dhe shqiptare. Por, opozitës i mungoi një votë prandaj dhe u tërhoq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button