Gratë janë vlera e vërtetë e shoqërisë, kështu tha artistja italiane Sarsano në ekspozitën e saj në Tetovë (VIDEO)

Mbrëmë, në hapësirat e Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik “LOJA”, u mbajt ekspozita “Currency- A women’s work” (Valuta – Puna e grave) nga artistja italiano-gjermane, Silvia Sarsano e cila ka qëndruar në Tetovë për disa javë. Artistja në veprat e saja të cilat janë të punuara mbi pëlhura të qëndisura të zonës së Tetovës, ka pasqyruar realitetin dhe historitë e grave tetovare. Sarsano mendon se nuk flitet mjaftueshëm për këtë temë dhe siç thotë ajo, gratë janë vlera e vërtetë e çdo shoqërie edhe pse ato janë të diskriminuara, shkruan Portalb.mk.

Kjo ekspozitë u realizua në kuadër të Programit READ Artist Residency, i cili ju jep shkrimtarëve dhe artistëve ndërkombëtarë mundësinë për të zhvilluar një projekt arti përgjatë një periudhe të caktuar kohore për të reflektuar dhe konsoliduar në praktikën e tyre artistike në një kontekst specifik.

Silvia Sarsano u përzgjodh në këtë projekt për të qëndruar në Tetovë disa javë.

Bujar Luma, drejtori i LOJA-s tha se përzgjedhja e Silvias ka ardhur me një konkurrencë goxha interesante

“Fakti që ne kemi përzgjedhur Silvian ka qenë jo vetëm për shkak të portofolios të saj por edhe për shkak të temës të cilën ajo e prezantoi për ta punuar në Tetovë.” tha Bujar Luma.

Ekspozita “Currency- A women's work”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ekspozita “Currency- A women’s work”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Artistja italiano-gjermane, Silvia Sarsano tha se kur e kuptoi që do të vijë në Maqedoninë e Veriut filloi të mbledh informacione më shumë nga se dinte  dhe ajo që e goditi më shumë ishin etnitë që jetojnë së bashku, andaj për këtë ajo vendosi që të mos fokusohet te dallimet, port e ajo që është tipar i përbashkët i të gjitha grave të zonave ballkanike.

Sarsano zakonisht pikturon gratë dhe nisur nga ky fakt ajo vendosi që nëpërmjet artit të saj, kombinuar me pëlhura të qëndisura me dorë të vendit, të pasqyrojë realitetin, sfidat dhe historitë e grave tetovare.

Silvia Sarsano, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Silvia Sarsano, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ekspozita quhet “Currency- A women’s work” (Valuta- Puna e grave). Secila prej pikturave është qëndisje e punuar me dorë, punë tipike e punuar me dorë, dhe është një punë e bërë kryesisht nga gratë. Doja të nisja nga ky art dhe zanat tipik i rajonit dhe të tregoja historitë e grave që jetojnë dhe qëndrojnë në Tetovë. Të tregoj historitë e tyre sepse flitet shumë për temën e etniteteve të ndryshme, por jo mjaftueshëm për gratë që janë më të disavantazhuara se burrat, kështu që të gjitha këto janë gra që kanë histori të ndryshme, janë prindër të vetëm, disa prej tyre janë të mbijetuar të abuzimit në familje, artiste, aktiviste dhe kështu që desha vetëm të tregoj historitë e grave të Tetovës.” tha Silvia Sarsano.

Portretet e grave janë të pikturuara në profil jo rastësisht, Salsano e lidh këtë me imazhet që gjenden në para, prandaj ekspozita quhet “Valuta”, sepse ajo vlerëson se gratë janë vlera e vërtetë e çdo shoqërie dhe ato janë kryesisht të nënvlerësuara dhe jo të paguara mjaftueshëm.

Kështu mendon edhe drejtori i LOJA-s, Bujar Luma i cili shprehet se Silvia prek një temë të jashtëzakonshme të gjysmës së shoqërisë, të punës që nuk njihet, të përkushtimi të gjysmës së shoqërisë- gruas, e cila është një kockë lidhëse përmes të gjitha kulturave tona, por që sipas Lumës në fakt nuk është prezent në hapësirën publike, nuk ka njohjen që e meriton.

Bujar Luma, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bujar Luma, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ne këtu në Tetovë nuk është se kemi shumë mundësi për komunikim, ne nuk e shohim kulturën dhe të gjithë këto aktivitete që I bëjmë për shprehje të artistëve. Këtu ne mundohemi ta bëjmë një qendër ku kultura bëhet mjet për komunikim, për njohje. Ne kemi një identitet kulturor të pakontestueshëm që nuk na konteston askush, kjo duhet të na krijojë neve një siguri për hapje dhe ne mundohemi që të ndërtojmë mbi këtë narrativ që të kemi një hapje që të mos kemi frikë dhe jo njihemi me kulturat tjera por kjo të jetë një mundësi të njihemi me kulturën tone vetë dhe që të kuptojmë se hapësirat publike njëjtë u takon djemve dhe vajzave, të gjithë atyre që ndihen ndryshe në çdo sens, ne këtë mundohemi që ta ofrojmë në hapësirë publike.” tha Bujar Luma.

“Vazhdoni të luftoni” kështu u drejtohet Silvia grave dhe vajzave tetovare duke theksuar se ata janë gra shumë të forta dhe përpiqen të gjejnë rrugën e tyre në një shoqëri që nuk është e lehtë për ta.

“Mos u dorëzoni, vazhdoni të pikturoni, vazhdoni të bëni fotografi, shprehni vetveten, studioni, udhëtoni, takoni njerëz të tjerë, takoni artistë të tjerë sepse ndonjëherë takimi me artistë të tjerë ndihmon në sjelljen e ideve të reja.” tha Silvia Sarsano.

Ekspozita “Currency- A women's work”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ekspozita “Currency- A women’s work”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, qëndrimi i Sarsanos u realizua në kuadër të Programit READ Artist Residency, të cilin LOJA e realizon me përkrahje nga Instituti Gëte. Silvia ishte artistja e tretë për këtë vit. Fillimisht ishte artisti turko-austriak Denis Beser dhe pas tij artistja kosovare-amerikane Shqipe Malushi. Nga LOJA njoftojnë se ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button