RMV, ndryshimet në Kodin Penal për gazetarët që duhej të miratoheshin para gjashtë muajsh ngecën në Parlament

Ndryshimet në Kodin Penal ende ndodhen në procedurë të institucionit ligjvënës në Maqedoninë e Veriut. Me këto ndryshime prashihet që ata të cilët në të ardhmen do të sulmojnë gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë apo do të pengojnë kryerjen e detyrës së tyre, do të mund të dënohen deri më 3 vjet burg. Këto ndryshime u propozuan nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në qershor të këtij viti, shkruan Portalb.mk.

Reformat e suksesshme në sektorin e mediave, e afrojnë Maqedoninë me Bashkimin Evropian.

Të pyetur nga Portalb.mk, nga Qeveria thanë se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, janë miratuar në gusht dhe tani ndodhen në Kuvend. Megjithatë propozimi për ndryshime në Qeveri ishte dërguar shumë më herët, përkatësisht në pjesën e parë të këtij viti.

Media, foto nga Portalb.mk / Arbnora Memeti

“Qeveria në mbledhje i miratoi ndryshimet e Kodit Penal, gjatë muajit gusht, pas miratimit të së cilës u dërguan në Kuvend. Aty veçmë kanë hyrë në procedurë. Kur ato do të votohen varet prej dinamikës së punës së deputetëve, gjegjësisht Kuvendit. Qeveria pret që deputetët shpejtë dhe unanimisht t’i mbështesin këto ndryshime, të cilat janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e grave, gazetarët nga kërcënimet dhe dhuna dhe mundësim i hapësirës më të sigurt digjitale”, thonë nga Qeveria.

Sidiqoftë, situata politike dhe për rrjedhojë edhe ajo në Kuvend është shumë e tensionuar. Vendi aktualisht nuk ka shumicë stabile parlamentare dhe derisa të ndodhë stabilizimi i saj, nuk pritet që këto ndryshime të miratohen.

Këto ndryshime parashikoheshin që në Kuvend të miratohen në muajin maj, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë, Aleksandar Vidinovski, në intervistë për TV 24.

“Këto ndryshime të Kodit Penal në Ministrinë e Drejtësisë veç më janë bërë, janë dorëzuar në Qeveri për shqyrtim. Pas përfundimit të periudhës për vërejtje ato do të votohen nga Qeveria dhe do të dërgohen më tej në procedurë parlamentare. Pritjet janë se në gjysmën e dytë të majit ato do të gjenden për votim para deputetëve”, tha Vidinovski.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

Numri një i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, në konferencën për media të 27 korrikut ku prezantoi ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, tha se sulmi i gazetarëve do të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar dhe me këtë sipas tij, do të rritet dukshëm siguria e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

“Në të ardhmen, sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohet njëjtë sikur sulm ndaj një personi zyrtar. Vendosim dënime të ashpra edhe për kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve. Në mënyrë shtesë, prokuroria në të ardhmen do të veprojë sipas detyrës zyrtare gjatë rasteve të këtilla. Me këto ndryshime i vendosim fund praktikave të kaluara të mosndëshkueshmërisë për dhunë ndaj gazetarëve, praktikë kur gazetarët ishin të frikësuar, shantazhuar, të mbyllur, të gjykuar joformalisht në frikë të vazhdueshme nga hakmarrja politike dhe institucionale për shkak të kryerjes së punës së tyre në mënyrë profesionale”, deklaroi Mariçiq.

Po ashtu, janë propozuar edhe ndryshime për përgjegjësi qytetare për fyerje dhe shpifje, ku ka ulje të konsiderueshme të shumës që do ta paguajnë gazetarët apo mediat, nëse eventualisht humbasin rast gjyqësor për fyerje apo shpifje.

“Konkretisht, gazetarët në të ardhmen do të paguajnë maksimalisht 400 euro dëmshpërblim për fyerje dhe shpifje, për dallim nga ligji aktual ku kjo shumë ishte 2000 euro. Me ndryshimet e propozuara, për redaktorët dëmshpërblimi nuk guxon të jetë më i madh se 2000 euro, për përkujtim, me ligjin aktual ajo është 10 mijë euro, ndërkaq për personin juridik, nga 15 mijë euro shuma ulet në 5000 euro maksimalisht dëmshpërblim”, deklaroi Mariçiq.

Ministri i Drejtësisë informoi se, si pjesë e këtyre ndryshimeve do të jenë edhe ndëshkimi për shqetësime seksuale. Përkatësisht, me ndryshimet e propozuara, ai i cili do të përcjellë, ndjekë në mënyrë të paautorizuar, apo do të përzihet në jetën personale të një personi tjetër apo nëse vendosë ose tenton të vendosë kontakt të padëshiruar duke lëvizur në hapësirën ku ndodhet ai person, me keqpërdorimin e të dhënave personale, me përdorimin e mjeteve të informimit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, apo do të abuzojë psiqikisht, shqetësoj apo frikësoj do të dënohet me të holla apo dënim me burg deri në tre vjet.

Këto ndryshime në Kodin Penal u inicuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, pikërisht për t’i dhënë fund sulmeve ndaj gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button