Mungesa e bibliotekës, nevoja më e madhe e të rinjve nga Komuna e Tearcës (VIDEO)

Qendra për Edukim dhe Zhvillim-CED në kuadër të fushatës ‘Më dëgjo’ organizoi panel diskutim me temë ‘Prioritetet e të rinjve në komunën e Tearcës, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i sapo-zgjedhur i kësaj komune. Nga rezultatet e kësaj fushate, nevoja më e madhe e të rinjve nga kjo komunë është mungesa e bibliotekës komunale ndërsa transporti publik është në vend të dytë, shkruan Portalb.mk.

Përmes kësaj fushate të rinjtë patën mundësi të votojnë për prioritetet e të rinjve në Komunën e Tearcës, ndërsa gjatë panelit të diskutimit pjesëmarrësit patën mundësi dhe nga kryetari i ri, Nuhi Neziri të dëgjojnë ide dhe masa për përmirësimin e tyre.

Metin Muaremi, foto: CED
Metin Muaremi, foto: CED

Metin Muaremi, nga CED tha se përmes takimeve që i kanë pasur ne rajonin e Tearcës dhe Tetovës, fokus grupeve të ndryshme patën mundësinë t’i dëgjojnë cilat janë problemet me të cilat të rinjtë ballafaqohen në këto rajone.

“Prej atyre problemeve të cilat i identifikuam ne i nxorrëm gjashtë dhe të cilat i vendosëm në ueb faqet tona, ku pat votime nga të rinjtë nga këto rajone. Ideja ishte të ketë kyçje më të madhe të të rinjve dhe të rinjtë të vendosin për ardhmërinë.” tha Metin Muaremi.

Sipas votimit të të rinjve nga ky rajon këto janë gjashtë nevojat e të rinjve më të mëdha:

  1. Biblioteka komunale
  2. Transporti publik
  3. Kinema multifunksionale
  4. Mbështetje për punësim
  5. Themelimi i Këshillit Rinor
  6. Radio online
Nuhi Neziri, foto: CED
Nuhi Neziri, foto: CED

Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri tha se gjatë fushatës parazgjedhore kanë bërë hulumtime për nevojat e të rinjve në këtë komunë, dhe rezultatet kanë qenë përafërsisht të njëjtat.

“Atë për të cilën ne mendojmë dhe jemi të bindur se këto politika mund ti zhvillojmë janë hapësirat që duhet t’i krijojë komuna, për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë. Në plan të parë kemi bërë fotografimin e gjendjes faktike në çdo vendbanim të Komunës së Tearcës për të parë mundësitë reale mbi të cilat ne si institucion i vetëqeverisjes lokale mund të inicojmë dhe të marrim projekte për të realizuar dhe krijuar hapësira të mundshme dhe ngritjen e hapësirave të reja për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e të rinjve.” tha Nuhi Neziri.

Pas prezantimit, të pranishmit diskutuan më hollësisht për problemet dhe nevojat e të rinjve në këtë komunë si dhe dhanë sugjerimet e tyre.

Më dëgjo- Tearcë, foto: CED
Më dëgjo- Tearcë, foto: CED

Ndryshe, ‘Më dëgjo’ në partneritet me Westminster Foundation for Democracy (WFD), është fushatë informuese për ndërgjegjësimin e problemeve dhe prioriteteve të tyre që i kanë në nivel lokal. Fushata zbatohet në partneritet me katër organizata, pjesë e të cilave është edhe CED. Komunat në të cilat zhvillohet kjo fushatë janë: Karbinca, Kumanova, Likova, Tearca, Tetova dhe Shtipi. Fushata është pjesë e projektit të Nismës për demokraci në Ballkanin Perëndimor të zbatuar nga WFD me mbështetjen e Qeverisë Britanike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button