Në vend për prodhim të energjisë elektrike, gazrat serrë nga fermat në RMV përfundojnë në atmosferë (Infografik)

Në Konferencën e OKB-së për ndryshime klimatike (COP 26), 104 shtete nga mbarë bota ranë dakord të reduktojnë emetimet e metanit në atmosferë të paktën për 30% deri në vitin 2030. Ky gaz mbetet në atmosferë shumë më shkurtë se dyoksidi i karbonit, por potenciali që metani të nxehet është 80 herë më i madh se CO2 gjatë një periudhe 20 vjeçare. Prandaj, reduktimi më modest i emetimeve të metanit në atmosferë kontribuon me rritje të kontributit në zbutjen e ngrohjes globale, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Metani lirohet në atmosferë kryesisht nga prodhimi dhe transporti i naftës, gazit dhe qymyrit, si dhe në disa sektorë bujqësorë dhe dekompozimi i deponive. Sipas të dhënave nga Raporti i fundit dyvjeçar për ndryshime klimatik i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, 96,4 % e gazeve serë të emetuara në vend janë dyoksid karboni, ndërsa emetimet e metanit janë 2,8 % dhe 0,8 % oksid nitrik.

Presioni ndaj vendit për të ulur emetimin e metanit, por edhe të oksidit nitrik, duket se është më i madh në sektorin e bujqësisë dhe mbetjeve, që janë prodhuesit më të mëdhenj të metanit. Shoqata “Koalicioni Rural” për Meta.mk thotë se në sektorin Bujqësi, pylltari dhe përdorime të tjera të tokës pikërisht Blegtoria emeton rreth 50 % nga emetimet e përgjithshme të gazeve serë.

“Afër 80 % e emetimeve të gazeve serrë si rezultat i aktiviteteve të prodhimit blegtoral janë metani, nga fermentimi i eterik te gjedhet,” shpjegojnë nga “Koalicioni Rural”.

Për shkak të varësisë së popullsisë nga bujqësia e veçanërisht nga blegtoria, vendet si India kanë refuzuar të nënshkruajnë Marrëveshjen e Reduktimit të COP26 për shkak të frikës se masa do të prekë numër jashtëzakonisht të madh të popullsisë rurale, raporton Reuters.

Strategji ka, heshtje për veprim konkret

Ndryshe nga India, Maqedonia e Veriut e miratoi këtë verë Strategjinë e veprimit afatgjatë për klimën, në të cilin pikërisht për sektorin e Blegtorisë dhe reduktimin e metanit janë vendosur masa konkrete që duhet të ndërmerren në periudhën në vijim. Kështu, janë paraparë masat në vijim: reduktimi i emetimeve të metanit nga fermentimi enterik te lopët qumështore për 3%, reduktimi i emetimeve të oksidit nitrik nga menaxhimi i plehrave për 20%, reduktimi i emetimeve të oksidit nitrik nga menaxhimi i plehrave në fermat e derrave për 13 % dhe reduktim të emetimeve të oksidit nitrik nga lopët qumështore për 20 % në fermat me më pak se 50 gjedhe.

Në lidhje me udhërrëfyesin konkret dhe afatet për zbatimin e masave të tilla, para një jave i dërguam pyetje deri te Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, por Meta.mk nuk ka pranuar përgjigje për asnjërën pyetje.

Shoqata “Koalicioni Rural” sqaron se në vend janë të regjistruara mbi 5.000 ferma me gjedhe dhe 2.315 ferma derrash. Përkundër zvogëlimit të numrit të gjedheve, blegtoria kontribuon me 40% në vlerën e përgjithshme të bujqësisë maqedonase.

“Duhen politika për të inkurajuar fermerët që të zbusin emetimet e tyre dhe, natyrisht, të përdorin inpute me intensitet të ulët të emetimeve”, shpjegojnë nga “Koalicioni Rural”.

Ata konkludojnë se në ferma nuk i kushtohet kujdes i veçantë trajtimit të duhur të mbeturinave të fermave.

“Kryesisht fermerët e vegjël i trajtojnë mbeturinat në mënyrë shumë tradicionale, nuk u intereson emetimi i gazeve serë por edhe humbja e substancave prej tyre. Kryesisht trajtohet si mbetje dhe nuk i njihet vlera e vërtetë e përdorimit”, shtojnë nga “Koalicioni Rural”.

Në vend të prodhohet energji elektrike, metani lëshohet në atmosferë

Vendi duhet të punojë në praktika të reja të zhvillimit teknologjik, stimulime financiare dhe rregullatore për fermerët, reagime dhe veprime të organizatave të shoqërisë civile për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë së fermerëve, por edhe ndërtimin e objekteve energjetike për prodhimin e biogazit.

Sipas Regjistri i centraleve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë të Agjencisë për energjetikë, në fund të tetorit të këtij viti ka pas vetëm tre impiante të biogazit për prodhimin e energjisë elektrike, me kapacitet të instaluar prej 7 megavat dhe plan për prodhim vjetor prej 58.592 megavat orë energji elektrike.

Ndërtimi i centralit të ri të biogazit në fshatin Saramzalinë të Ovçe Poles që do të prodhojë energji elektrike për 2750 amvisëri; Burimi: Qeveria e RMV

Impiantet e biogazit do të reduktonin emetimet e metanit dhe oksidit të azotit nga bujqësia, pasi mbetjet do të përdoreshin si burim i biogazit.

“Biogazi mund të përdoret si gaz natyror dhe do të prodhohet edhe pleh i cilësisë së lartë, që është një tjetër përfitim afatgjatë nga trajtimi i duhur i mbetjeve nga fermat blegtorale, për të cilat, për fat të keq, askush nuk dëshiron ende të reket për shkak të mjeteve të mëdha financiare që duhen investuar”, thonë nga “Koalicioni Rural”.

Çfarë thonë rezultatet statistikore?

Të dhëna nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se emetimet e metanit në Maqedoninë veriore janë në rënie gjatë viteve, por emetimet e oksidit nitrik arritën rekordin më të lartë në vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe, vendi ka lëshuar ​​okside nitrike në vëllim prej 141.16 kilotonëve, që është sasia më e madhe në periudhën nga viti 1990 e deri më sot.

Infografik, Meta.mk
Infografik, Meta.mk

Kundrejt kësaj, emetimet rekord të metanit prej 0,94 kilotonë u regjistruan në fillim të viteve 1990, që në vitin 2019 kjo sasi të reduktohet në 0,63 kilotonë. Pavarësisht kësaj, lirimi i metanit në atmosferë nga sektori Mbetjet arriti në 52% të pjesëmarrjes totale, me mundësi për rritje të mëtejshme për shkak të rritjes së sasisë së mbetjeve që gjenerohen në vend dhe përqindjes së vogël të riciklimit, kompostimit dhe djegies së mbetjeve të tilla. Në vend s’ka asnjë impiant që do të përdorte metanin e shkarkuar nga deponitë për të prodhuar energji.

Sektori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore ka pjesë në pjesëmarrjen e  përgjithshme të emetimeve të metanit me 27 %, por ndryshe nga mbetjet, prodhimi bujqësor në tre dekadat e fundit nuk ka pas tendencë të rritjes, por rënie të vëllimit të prodhimit. Lopët qumështore dhe bagëtitë e tjera, si dhe derrat, kanë pjesëmarrjen kryesore në emetimet e metanit në sektorin e bujqësisë dhe nga kultivimi i këtyre kafshëve.

BE dhe të rinjtë janë shansi për veprim klimatik në Blegtori

Sipas Shoqatës “Koalicioni Rural”, që vendi të mund t’i reduktojë emetimet e gazeve serë në sektorin e bujqësisë, fokusi duhet të vendoset tek mundësia që kemi me Politikën e re të përbashkët bujqësore të Bashkimit Europian dhe fermerët e rinj.

“Janë pikërisht të rinjtë pjesa e popullsisë që është më së miri e informuar dhe më e angazhuar për nevojën për të ndërmarrë veprime klimatike. Tani është koha e duhur për të vendosur politika që i integrojnë të rinjtë me njohuri dhe aftësi në prodhimin bujqësor, të fituara përmes sistemeve formale të arsimit, të lidhen me tokën bujqësore, me mjetet për prodhimtari bujqësore dhe me burimet e financave të nevojshme për të filluar biznesin e tyre në këtë sektor”, theksojnë nga kjo shoqatë.

Profesionistët e rinj mund të vijnë me ide të reja, të cilat ajo që ne e shohim sot si negativitet në bujqësi sa i përket ndryshimeve klimatike do t’i kthejë në një avantazh. Nuk duhet të harrojmë, thonë nga “Koalicioni Rural”, se përqendrimi i shtuar i dyoksidit të karbonit është një potencial i rëndësishëm për intensifikimin e prodhimit të biomasës.

Gjigantët e mëdhenj të qumështit dhe mishit në botë janë problem

Sado i rëndësishëm të jetë kontributi kombëtar i çdo vendi veç-e-veç në reduktimin e emetimeve të gazeve serë në bujqësi, në nivel ndërkombëtar, veprimi i korporatave të mëdha blegtorale është vendimtar. Ata kanë ferma kafshësh në mbarë botën dhe para fillimit të COP 26, asnjë nga 20 kompanitë më të mëdha që gjenerojnë “shumicën dërrmuese” të emetimeve të gazeve serë në blegtori nuk kishte qëllim konkrete për reduktimin e emetimeve të metanit në atmosferë shkruan gazeta Guardian.

Gazeta e publikoi listën e një korporate franceze dhe një japoneze e mishit dhe qumështit, të cilat i kanë pasur rezultatet më të këqija në uljen e emetimeve të gazeve serë. Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet t’i detyrojnë gjigantët e tillë të ndërmarrin plane konkrete për të reduktuar emetimet e metanit dhe oksidit nitrik nga fermat e tyre blegtorale, përveç kontributeve kombëtare të secilit vend në bujqësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button