Asgjë nuk është bërë për projektin e transferimit të administratorëve në sektorin privat në RMV

Transferimi i të punësuarve prej sektorit publik në atë privat nuk ka filluar, pavarësisht se i njëjti është premtuar që nga viti 2019-të kur me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) udhëhiqte Damjan Mançevski. Këtë veprim më pas e premtoi dhe ministri aktual Jeton Shaqiri. MSHIA nuk jep të dhëna se çfarë kanë bërë me këtë projekt, ndërkaq Sindikata e Administratës thotë se ata askush s’i ka kontaktuar në lidhje me këtë projekt prej kur është votuar qeveria “Zaev 2”, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit 2020, shkruan Portalb.mk.

Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Pavarësisht se ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri premtoi për Portalb.mk, se projekti për transferimin e administratorëve prej sektorit publik në atë privat, do ta shqyrtojnë pas shtatorit të këtij viti, MSHIA, deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë informate se çfarë po ndodh me këtë projekt.

Deklaratat e ministrit:

  • 28.09.2020: Si opsion të hapur për uljen e të punësuarve në sektorin publik janë paketat e hapura për kalim në sektorin privat. Transferimi i të punësuarve është një pjesë e vendosjes së riorganizimit të mirë profesionale, aktive, efikase të administratës dhe sektorit publik, duke e reduktuar fuqinë punëtore në mënyrë që të mos dëmtohen të punësuarit, ndërkaq në këtë mënyrë do të përfitojë sektori privat në pjesën ku ka mungesë të punësuarve.
  • 14.02.2021: Nuk është zhvilluar ende si koncept, faza e zhvillimit të këtij koncepti është pasi të kalojnë ligjet për nëpunës administrativ dhe të punësuarit në sektorin publik. Pas kalimit të ligjeve do të diskutohet një ide në nivel qeverie, me Ministrinë e Financave, Ekonomisë, Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për ta koordinuar një program i cili asnjëherë nuk do të bëhet në dëm të administratës.

ueb-faqen e Ministrisë, nuk mundëm të gjejmë asnjë kumtesë apo informatë në lidhje me rrjedhën e projektit në fjalë. Portalb.mk, disa herë nëpërmjet e-mail, sms porosive, por edhe thirrjeve telefonike, kërkoi nga shërbimet e Ministrisë dhe vetë ministri Shaqiri, që të na përgjigjen se deri ku është procedura e transferimit të administratorëve, megjithatë deri në publikimin e këtij teksti ata nuk na i hapën telefonat dhe as na kthyen përgjigje me shkrim.

Portalb.mk, kontaktoi me Sindikatën e Administratës dhe Administratës shtetërore, e cila ishte një prej zërave që e kundërshtonte këtë projekt, që nga fillimi i promovimit të tij. Kryetari i Sindikatës, Bllagoja Rallpovski thotë se paraprakisht, kur ka qenë ministër Mançevski, kanë qenë në kontakt, por prej kohës së pandemisë askush s’i ka kontaktuar për projektin në fjalë.

Bllagoja Rallpovski, foto: Sindikata e Administratës
Bllagoja Rallpovski, foto: Sindikata e Administratës

“Prej kur është formuar kjo qeveri, askush nuk na ka kontaktuar. Pra prej kohës së pandemisë, ka një vjet e gjysmë. Ne ishim kundër kësaj, që prej fillimit, pasi që duhej që të bëhej analizë funksionale. Ata morën para nga Evropa dhe kjo analizë funksionale duhej që të tregojë se ku të punësuar më pak apo më shumë, por edhe si është profili i tyre që të munden të caktohen të punësuarit që sektori publik të jetë funksional, ndërkaq ata që do të ishin tepër, do të duhej t’u gjendej zgjidhje se çfarë të bëhet me ata. Ata nuk arritën që ta bëjnë as atë, derisa ishte Damjan Mançevski. Gjithçka ka shkuar poshtë, kot harxhohen para. E kur të jashtmit na “ngrehin veshin”, pastaj të punësuarit në sektorin publik e kanë fajin”, thotë Rallpovski.

Ai thotë se, lëre që nuk është bërë transferimi prej sektorit publik në atë privat, por ka ndodhur e kundërta.

“Sipas ESSH-së në vitin 2017-të kishte 170 mijë të punësuar në sektorin publik, ndërkaq në vitin 2021, tremujori i parë, ka 205 mijë të punësuar. Pra, në vend transferimit prej sektorit publik në atë privat, ka ndodhur anasjelltas”, shton Rallpovski.

Çështja e transferimit të punësuarve, përmendet edhe në “Raportin për Ndjekjen e Procesit të Eurointegrimeve”, të publikuar nga Fondacioni “Metamorfozis”. Në raport thuhet se progresi i përpunimit të analizave funksionale, proces që u fillua në vitin 2019-të është i dobët.

“Pa analiza funksionale nuk mundet që në mënyrë të drejtë të udhëhiqen dy procese – zvogëlimi eventual i numrit të të punësuarve në shërbimet e shtetit dhe në përgjithësi numri i administratës apo sektorin publik, por edhe reformim kualitativ  të një pjese të institucioneve në nivel horizontal, gjegjësisht procesin e filluar të riorganizimit dhe optimizimit. Ish ministri Damjan Mançevski, i cili e shtyu këtë proces të analizave funksionale, në vitin 2019-të theksoi se ata janë të rëndësishme edhe për zbatimin e transferimit eventual të të punësuarve nga sektori publik në atë privat”, thuhet në publikimin e Metamorfozis4 nëntor, i cili së shpejti do të jetë në uebsajtin e këtij fondacioni.

raportin e KE-së për vitin 2021 për Maqedoninë e Veriut, thuhet se “është bërë njëfarë progresi në finalizimin e rishikimit funksional dhe horizontal të administratës shtetërore dhe se është e rëndësishme që rishikimi të miratohet nga qeveria. Janë dhënë rekomandime për organizimin e ri të organeve të administratës shtetërore me linja të përmirësuara të llogaridhënies dhe të njëjtat duhet të futen në legjislacionin përkatës, i cili duhet të miratohet dhe zbatohet”.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski
Ish ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski

Ndryshe, në vitin 2019-të, pasi ministri i atëhershëm e zbuloi planin për transferimin e administratorëve, Sindikata e Administratës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e kundërshtoi idenë e Qeverisë ndërkaq, sektori i biznesit kërkoi që fillimisht atyre t’u tregohet për kuadrot që do t’u ofrohen. Nga MSHIA, asokohe deklaruan se transferimi do të realizohet në bashkëpunim me sektorin privat, ndërkaq asnjë i punësuar në administratën publike nuk do të detyrohet që të transferohet.

Për këtë qëllim, Mançevski, më 17 janar të vitit 2020 organizoi takim me odat ekonomike dhe sindikatat, me të cilët janë diskutuar 5 pakot. Për shkak se asokohe ishin paralajmëruar zgjedhje parlamentare për më 12 prill të vitit 2020, ministri paralajmëroi se kjo do të ndodh pas zgjedhjeve.

5 pakot që janë diskutuar:

  1. Transferimi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat, me atë që ndërmarrja private do të ofronte pagë më të lartë, ndërkaq shteti do t’i paguante në një periudhë të caktuar kontributet.
  2. Rikualifikim të të punësuarve nga sektori publik në atë publik, në pajtueshmëri me nevojat që do të na dorëzonin përfaqësuesit e sektorit privat, gjegjësisht odat ekonomike, por edhe Agjencia për Punësim. Harxhimi i këtij rikualifikimi të jetë në supe të shtetit.
  3. Me vullnet të vet, të punësuarit që duan ta lëshojnë sektorin privat, të ofrojmë ofertë atraktive me qëllim që ata vetë ta lëshojnë.
  4. Rikualifikim për nevoja të brendshme, pra një pjesë e analizave funksionale nuk janë që të tregojnë vetëm tepricë të të punësuarve, por edhe mangësi të caktuar të kuadrit, gjegjësisht në administratën publike – pra kemi të identifikuar mungesë të kuadrit.
  5. Është folur edhe për një lloj tjetër me partneritet publiko – privat, por kjo realisht është që vjen nga partnerët tjerë që janë në dialog dhe duhet që plotësisht të punohet.

Megjithatë këto pako mbetën vetëm ide, që deri tani nuk u realizuan dhe autoritetet nuk japin informata se çfarë ka ndodhur.

Projekti në fjalë kishte për qëllim që ta ulë numrin e administratorëve, pas vërejtjeve të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për administratën e stërmbushur publike. Projekti ka filluar në vitin 2019-të, ndërkaq duhet të përfundonte këtë muaj. Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Lajme në lidhje me temën në fjalë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button