fbpx

Tetova në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, problemi mbetet i pazgjidhur

Në Maqedoninë e Veriut me ardhjen e vjeshtës vjen dhe problemi i ndotjes së ajrit. Qyteti i Tetovës vazhdon të mbetet në top listat botërore për ajrin më të ndotur në nivel global. Nivelet e grimcave të dëmshme të ajrit të ndotur të cilat i kalojnë vlerat e lejuara periudhën e fundit janë në rritje. Ky problem, prej vitesh i shoqëron tetovarët dhe deri më tani për të njëjtin nuk është gjetur zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Aktualisht ky qytet gjendet në vendin e dytë të faqes NUMEBO si qyteti me indeksin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë. Ndërkaq sipas programit AirCare, sot niveli i PM 2.5 më ajër është i lartë, ndërsa cilësia e ajrit është e keqe.

Organizatat ekologjike tani e disa vite alarmojnë për ndotjen e ajrit në Tetovë

Sipas organizatave ekologjike të Tetovës, ndotja në qytetin e Tetovës vazhdon dhe si problem nuk u zgjodh as sipërfaqësisht. Nga ku me hyrjen në sezonin dimëror problemi thellohet më tepër për shkak të lëndëve djegëse edhe në amvisëri, që e mbingarkon situatën e ajrit të ndotur.

Narta Kasa Iseni, nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” për Portalb.mk tha se në ndotje kontribuojnë faktorë të ndryshëm ku bëjnë pjesë të gjithë nga pak. Ajo tha se ende në faqen e Komunës nuk funksionon numri ku mund të raportohen ndotësit.

Narta Kasa Iseni, foto: Portalb.mk
Narta Kasa Iseni, foto: Portalb.mk

“Inspektorati duhet të aktivizohet në forma të ndryshme për përndjekjen e ndotësve mirëpo në të njëjten kohë edhe institucionet duhet të ndihmojnë me paketa te ndryshme për amvisëritë pasi që pas paralajmërimeve për krizë energjetike, mendojmë që situata do thellohet. Gjithsesi duhet te fillohet prej diku dhe te intervenohet ne zvogëlimin e ndotjes aty ku mundet me shpejte, siç janë kaosi i trafikut, standardet ekologjike te automjeteve që janë në qarkullim, ndryshim i sistemit te ngrohjes dhe lëndët djegëse për institucionet publike, pastrimi i qytetit nga mbeturinat dhe sistemim i mirë i grumbullimit te mbeturinave, transport publik efikas dhe funksional.” tha Narta Kasa Iseni.

Ngadhnjim Mehmeti gjatë protestave për mbylljen e fabrikës “Jugohrom”

Në të njëjtën vijë janë edhe nga organizata “Eco Guerila”, Ngadhnjim Mehmeti për Portalb.mk tha se me fillimin e sezonit të ngrohjes fillon edhe rritja e nivelit të ndotjes për shkak të inversionit të ajrit.

“Përveç shumë faktorëve, edhe mënyra e ngrohjes së amvisërive, bizneseve dhe institucioneve është një nga faktorët kyç që ndikojnë në ndotjen e ajrit. Ministria e ambientit vitet e fundit zbatoi një projekt me subvencionimin e invertorëve si zëvendësim për ngrohjen me dru, me qëllim që të ulet sadopak ndotja. Mirëpo në vende të varfra si Maqedonia e Veriut ngrohja me energji elektrike është luks, posaçërisht tani kur paralajmërohet krizë globale energjetike.” tha Ngadhnjim Mehmeti.

Pandemia Covid-19 vetëm se thellon problemin dhe komplikimet nga ajri i ndotur

Nga pikëpamja mjekësore sipas Dr. Ratko Davidovskit, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore, ky është një problem mjaft serioz për tetovarët, që përkeqësohet me pandeminë COVID-19.

Ratko Davidovski, foto nga arkivi
Ratko Davidovski, foto nga arkivi

“Sipas një studimi Tetova qëndron në vendin e parë për nga numri i vdekjeve nga ndotja e ajrit për periudhën rreth viteve 2013 deri në 2016. Kombinimi i ndotjes së ajrit dhe Covid-19 rrit rrezikun e formave më të rënda të komplikimeve, diku nga 40 në 50 për qind. Kombinimi i Kovidit dhe ndotjes së ajrit ka efekt shumë të keq, grimcat PM10 do të kontribuojnë në një farë mënyre për bartësin e virusit thellë në traktin e frymëmarrjes së njerëzve.” tha Ratko Davidovski

Si ekspert i ekologjisë për Davidovskin problemet dhe rekomandimet mbeten të njëjta, ndërkaq theksoi se gazifikimi do të ishte një mbështetës shumë i madh në përmirësimin e situatës me ajrin e ndotur.

Gazifikimin si faktor që do ndikonte pozitivisht në uljen e ndotjes së ajrit e theksoi edhe Ngadhnjim Mehmeti nga Eco Guerila”.

“Ajo që premtohet me vite nga qeveritë por nuk realizohet është rrjeti i gazifikimit. Nëse jo amvisëritë, por objektet publike si shkollat, spitalet e bizneset e mëdha po të fillonin ngrohjen me gazifikim do ishte një hap i madh për uljen e ndotjes.” tha Ngadhnjim Mehemeti.

Punët për gazifikimin për qytetin e Tetovës janë në përpunim e sipër, por ende nuk kanë arritur në fazën e cila mund të ndihmojë në këtë proces. Është ndërtuar stacioni matës dhe shpërndarës i gazit në afërsi të fshatit Falisht të Tetovës. Në përfundim e sipër është edhe ndërtimi i rrjetit të transmisionit, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit. Ndërkaq, nga mesi i vitit të ardhshëm pritet të vihet në funksion i njëjti. Komuna e Tetovës duhet të themelojë ndërmarrje publike enkas për gazifikim, kjo për shkak se secili qytet i cili është përfshirë në këtë proces ka ndërmarrjen e vet për gazifikim ndërsa ndërmarrja qendrore është në Shkup.

Cilat janë planet e menaxhmentit të ri të Tetovës për ekologjinë?

Kryetari i sapo zgjedhur i Tetovës, Bilall Kasami, në programin zgjedhor të tij për qeverisjen e Tetovën, gjegjësisht në faqet 25-26 parasheh se do të angazhohen për një sistem ekologjik të suksesshëm me një program dhe strategji afatgjate për zhvillimin e mëtejshëm të objektivave për ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit.

Aty premtohet se kjo do të bëhet përmes:

  • Nxitjes së prodhimit të energjisë nga burimet përtëritëse,
  • Ndërtimi i një fabrike për riciklimin e mbeturinave,
  • Planimetri e detajuar për kazanat e mbeturinave,
  • Plani afatmesëm për zgjerimin e hapësirave të gjelbra,
  • Sanksionim financiar dhe përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që ndotin ambientin dhe hedhin mbeturina,
  • Financim vjetor për OJQ-të ekologjike,
  • Vendosje e pajisjeve ekologjike për lëvizje në vende të caktuara në qytet,
  • Subvencione për blerje të biçikletave dhe trotineteve elektrik,
  • Subvencionim i inverterëve dhe paneleve solar,
  • Përcjellje e rregullt e ndotësve të ambientit,
  • Pastrimi dhe larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve,
  • Plan aksionar për aktivitete edukuese ekologjike.

Se a do të realizohen apo jo këto premtime në praktikë, mbetet të shihet në periudhën në vazhdim. Deri më tani, nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim, si shembull mund të merren makineritë e NPK “Tetova” ku disa prej tyre janë shumë të vjetra, dhe gjatë kohës kur i pastrojnë mbeturinat ato e ndotin më shumë ajrin, edhe pse së fundmi kjo kompani u furnizua me disa makineri të reja dhe më ekologjike, të njëjtat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar territorin e të gjithë Tetovës.

Ajri i ndotur, problem i të gjithë shtetit jo vetëm i Tetovës

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Ndërkaq, nga Qeveria e RMV-së thanë se shpresojnë se fuqizimi i kapaciteteve dhe rregullimi më i detajuar i obligimeve do të ketë efekt kundër ndotjes së ajrit në një të ardhme të afërt. Në kuadër të kësaj, një nga ndryshimet kryesore të Ligjit për Ajrin ka të bëjë me detyrimet dhe koordinimin e saktë të organeve të pushtetit vendor dhe qendror, të cilat do të përcaktohen me plane të sakta dhe masa të detyrueshme.

Qeveria këtë vjeshtë e paralajmëroi formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë, por vendi për zbatimin e projekteve do të kërkojë para nga Fondi i Përbashkët Global për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve më të mëdha të ambientit për shëndetin e njerëzve, dhe për pasojë shkakton shtatë milionë vdekje të parakohshme në vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button