BORXHI I EUROPËS 

Europa i ka më shumë borxh Ballkanit sesa anasjelltas. Kjo është teza e filologut, filozofit dhe helenistit gjerman Tomash Alexander Szlezak (1940).

Ky autor, që njihet si njëri nga njohësit më të mirë të filozofisë së Platonit, në librin Çka Europa u detyrohet grekëve”, shkruan se vlerat qytetërimore dhe kulturore të Europës së sotme (e cila më shumë se term gjeografik është term kulturologjik), janë huazuar nga antikiteti grek. Ndërkaq, kultura antike greke, si sistem i hapur, kishte huazuar shumë nga kulturat tjera.

Europa e sotme, sipas tij, i detyrohet qytetërimit antik për demokracinë, pluralizmin, tolerancën, relativizimin, racionalizmin, shpirtin kozmopolit, interesimin për historinë (me Herodotin dhe Tukididin), për dramën me temë aktuale (me Euripidin dhe Aristofanin) apo për filozofinë (me Platonin dhe Aristotelin).

Europa e sotme – e cila krenohet me vlerat e mësipërme, gjithashtu edhe me kulturën laike, me hapjen ndaj kulturave tjera, me ndjenjën për përparim, me respektimin e vlerave etike, artistike e kulturore – ka ndikuar më pas te kultura amerikane dhe australiane.

Megjithatë, Europa nuk kujtohet vetëm për vlerat e mësipërme, por edhe për kolonializmin, gjenocidin, eksploatimin, luftërat fetare, nacionalizmin dhe totalitarizmin.

Europa, shkruan ky autor, shprehu agresivitet ndaj kulturave tjera, veçanërisht ndërmjet shekujve VII dhe XIV.

Europa ka trashëguar shumëçka nga demokracia e Athinës. Në këtë polis secili qytetar, me dy prindër nga Athina dhe me shërbim të kryer ushtarak, ishte propozues dhe krijues ligjesh (përveç grave që nuk kishin të drejtë vote); ishte interpretues i ligjeve në gjyqet popullore; ekzekutues i tyre kur shërbente në funksione të ndryshme dhe u kërkonte përgjegjësi pushtetarëve.

Autori, megjithatë, nuk e himnizon demokracinë athinase, sepse asaj i mungonte katalogu i kodifikuar i të drejtave themelore, gjykata kushtetuese, mbrojtja e pakicave, partitë (heteritë nuk vepronin si parti politike), mendimi proporcional (trysnia për kompromis), ekspertiza (sepse për mungesë specialistësh çdo qytetar gjykonte se çka ishte e drejtë e çka jo) dhe qeveria. (f. 139 – 140).

Përkundër kësaj, pluralizmi dhe relativizimi u bënë themelet e bindjeve politike të modernes europiane dhe amerikane. Grekët e vjetër, sikurse europianët e sotëm, punuan për ta arritur lirinë politike dhe lirinë personale.

Sipas Szlezak-ut, moderna dhe shkenca europiane nuk mund të paramendohen pa ndikimin e shkencës dhe artit antik.

Europa i detyrohet Greqisë antike edhe për paraqitjen fiktive të realitetit (mimesisin), për pastrimin e veseve dhe pasioneve të këqija nëpërmjet mëshirës dhe frikës (katarsisin), për letërsinë homerike, lirikën, retorikën, filozofinë, demokracinë, dialogun, agoran, kulturën e qytetit, por edhe për sportin.

Szlezak i çmon veprat letrare dhe filozofike të antikitetit, sepse arritën ta ndryshonin mënyrën e të menduarit të njeriut.

Ai bën krahasime ndërmjet Iliadës së Homerit dhe Epit të Gilgameshit. Shkruan për ndikimet e kulturave tjera mbi kulturën greke, veçanërisht ato të Lindjes. Vepra Odiseja, sipas tij, përveç se ka vlerë artistike, arriti të zbulonte hapësira të reja gjeografike e kulturore. Odiseu nuk paraqitet vetëm si hero, trim dhe i gatshëm për sakrificë, por edhe si i vetëpërmbajtur, i arsyeshëm, i urtë, dredhak dhe mashtrues. Duke mos u udhëhequr vetëm nga idealet e lavdisë dhe atdhedashurisë, ia zbuloi Europës disa vlera tjera themelore, si: martesën (me Penelopën), atdheun (me Itakën) dhe familjen.

Kultura antike greke ndikoi në kulturën romake. Kjo kulturë ishte antropocentrike (njeriu në qendër). Ky koncept u ndryshua në mesjetë, e cila ishte teocentrike (Zoti në qendër). Rilindja europiane i riktheu idealet e antikitetit dhe ishte antropocentrike, por nuk ishte anti-religjioze. Këto ideale i ushqyen edhe periudhat tjera të historisë dhe kulturës europiane.

Gjurmët e kulturës së lashtë dominojnë edhe në kulturën e sotme europiane. Dominojnë në letërsi, filozofi, historiografi kritike dhe në mendimin politik. Kultura greke dhe romake ndikuan në krijimin e identitetit të sotëm europian.

Europa, përkundër huazimeve, ka ditur të jetë arrogante, madje edhe në raport me popujt europianë që nuk janë pjesë e BE-së, por vlerat e kulturës antike i kanë shijuar para saj.

Szlezak kërkon që Europa të jetë e hapur. Ai beson se Europa intelektuale nuk do të largohet nga filozofia, letërsia, politika dhe historia greke, as nga besimi i saj tek individi, nga fryma e hapjes ndaj kulturave tjera, nga fryma e mirëkuptimit ndërkulturor. Nëse ndodh e kundërta, pra largimi nga vlerat e sipërthëna, atëherë Europa, sipas autorit, do ta humbiste justifikimin politik dhe moral për të qenë faktori vendimtar në formësimin e kulturës botërore të së nesërmes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button