Pas fashitjes së zhurmës zgjedhore

Pas tubimeve të zhurmshme parazgjedhore, pas paradave të ekselencave me veshje vezulluese që zbritën te populli (respekt përjashtimeve të cilët nuk i ndryshon posti!), pas dreka-darkave të shtruara për iftiaçlinjtë e gjithçkaje nëpër shtabet partiake të disa subjekteve politike, pas fjalimeve të zjarrta, lavdeve, dhe premtimeve të ekzagjeruara të disa kandidatëve për kryetarë komunash; pas akuzave, fyerjeve, përçmimeve e kacagjelimeve me kundërshtarët politikë; pas humbjeve e zhgënjimeve, fitoreve e festave me tupanë e zurle, me britma e flamuj të lidhur bashkimvëllezërisht mes indianësh e kaubojësh të tebdilosur në pacifistë gjersa ta kalojnë lumin…, pasoi qetësia dhe pritja e së ardhmes ndryshe, nga disa me shumë besim, nga disa me shumë pikëpyetje, përgjigjet e të cilave do t’i mësojmë pas katër vitesh, kur sërish do të kemi zgjedhje për të kërkuar zgjidhjen e problemeve jetike që nuk kanë të sosur.

Sidoqoftë, sovrani e tha të veten dhe asnjeri me dy pare mend në kokë nuk ka të drejtë ta kontestojë vendimin e tij. E vetmja gjë që mbetet për t’u bërë aktualisht është të urojmë fituesit dhe të shpresojmë se do të punojnë më mirë se kolegët e tyre pararendës. Gjithçka tjetër është avullim energjishë, sepse janë zgjedhësit ata që votojnë parësitë e komunave të tyre, të cilat dikush i pret me dyshime, dikush me entuziazëm, kohëzgjatja e të cilit do të varet nga përmbushja e premtimeve të bëra me përbetime, be e rrufe.

Duket absurde, por, pas fashitjes së zhurmës zgjedhore, më rëndë se ata që lënë fotelet e kryetarëve të komunave e kanë ata që ulen në ato fotele. Këtë duhet ta ndjejë që ditën e parë të detyrës secili prefekt i ri, nëse qëllimet e ardhjes në atë post janë të fisme dhe të sinqerta; nëse detyrën e merr me përgjegjësi; nëse është i ndërgjegjshëm se duhet të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve, jo padroni, hajduti dhe shkatërruesi i të ardhmes së tyre; nëse e ka të qartë se pushteti fitohet me premtime dhe humbet për shkak të mosrealizimit të tyre; nëse është i vetëdijshëm se sovrani ndjek këmba-këmbës realizimin e garancive të dhëna para tij për shkolla bashkëkohore, biblioteka, galeri arti, teatro, kinema, fusha sporti, shëtitore, shërbime profesionale në të gjitha institucionet komunale, spitale të pajisura me aparate moderne medicinale, çerdhe fëmijësh, azile pleqsh, ujë të pijshëm, kanalizime, punësime të mbështetura në aftësi profesionale (jo në tesere partiake), parqe, parkingje mbitokësore e nëntokësore, trotuare, rrugë të ndriçuara e pa gropa, kontejnerë pa hedhurina anësore, deponi hedhurinash që nuk e helmojnë popullatën, pyje të paprera, lumenj të pandotur dhe njëmijë të mira të tjera që u janë premtuar njerëzve, të cilët tani presin të realizohen pa asnjë POR dhe pa asnjë AMA. Në veçanti presin realizimin e premtimeve për gjetjen e mënyrave për punësimin e të rinjëve dhe ndaljen e ekzodit të tyre masiv, sepse pa këtë e gjitha do të rezultojë me përsëritjen që përsëritet përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button