Kodra e Diellit e lënë në mëshirë të fatit, Qeveria hesht për investimet

Ende nuk dihet se çfarë u bë me investimet në Kodrën e Diellit dhe kush do të jetë investitori të cilit do t’i jepet me koncesion kjo qendër skijimi për 99 vitet e ardhshme. Qeveria hesht edhe përkundër faktit se kryeministri në largim Zoran Zaev rreth pesë muaj më parë tha se investitori po punon në përgatitjen e projektit, pa e treguar emrin, shkruan Portalb.mk.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse nga atje konfirmuan se janë duke mbledhur informacion për pyetjet e Portalb.mk në lidhje me investimet në Kodrën e Diellit, marrëveshjet dhe procedurat se deri ku kanë arritur.

Vazhdon të mbetet e paqartë për qytetarët se kush do jetë investitori i cili do e merr me koncesion menaxhimin e Kodrës së Diellit, sepse për këtë nuk ka informata nga Qeveria se a është nënshkruar ndonjë marrëveshje apo deri në çfarë faze kanë arritur procedurat.

E vetmja gjë që dihet deri tani është se Qeveria e Maqedonisë së Veriut para pesë muajsh ka njoftuar shkurtë se investitori po punon në përgatitjen e projektit, pa treguar se kush është, madje as nëse i njëjti e ka fituar koncesionin.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe ndërmarrja e cila momentalisht e menaxhon Kodrën e Dielli ELEM Turs” thanë se nuk kanë kompetenca për atë se kush e merr me koncesion Kodrën e Diellit.

As nga nisma “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” nuk kanë informata nga institucionet për atë se deri ku ka arritur kjo procedurë, madje nga atje thonë se edhe komisioni I formuar për Kodrën e Diellit është jofunksional.

“Nuk kemi informacione, çdo gjë është në stagnim. Ministria e Ekonomisë dhe komisioni nuk funksionojnë, dyert janë të mbyllura. Vetëm një mbledhje e kemi pasur, asnjë  mbledhje tjetër nga muaji shkurt.” thanë nga “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit.”

Në fund të muajit maj kryeministri Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian, emri i të cilit mbetet “i besueshëm”.

“Jemi në fazën finale për të arritur marrëveshje juridike finale në qendrën e skijimit Kodra e Diellit në vlerë prej 50+50 milionë euro. Projekti është sipas Ligjit për koncesione me partneritet publik-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes. Thelbi është të jepen koncesione 99-vjeçare, njërit nga investuesit më të mëdhenj të qendrave të skijimit në Evropë për të cilin emri ende mbetet i besueshëm. Rendi është që investitori vetë të publikojë atë kur të vendoset. I gëzohemi këtij investimi, sepse do të japë një dimension të ri të turizmit dimëror.” ka thënë Zaev.

Investime në “Kodrën e Diellit” në vlerë prej 30 milionë eurove, ishin paralajmëruar edhe më 2012, nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Ai kishte paralajmëruar se projekti do të realizohej në disa faza dhe për të do të shpallej edhe ofertë për gjetjen e një investitori ndërkombëtar.

Investime për “Kodrën e Diellit” kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili kishte thënë se një investitor nga Katari ishte i gatshëm të investonte në këtë qendër turistike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button