SHGM dhe SPGPM: Drejtësia selektive për 27 prillin është padrejtësi për qytetarët dhe për gazetarët

27 prilli i vitit 2017 është simbol i mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili mbahet mend si e enjtja e zezë për gazetarët në Maqedoni, të cilët ishin viktima gjatë ndërhyrjes në Kuvendin e RMV-së. Kjo është arsyeja që sot, më 2 nëntor, në “Ditën ndërkombëtare për ndërprerjen e mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”, para Prokurorisë Themelore Publike në organizim të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikatës të Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjëesve Mediatik (SPGPM), u mbajt një konferencë për media në të cilën u drejtuan Mlladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së, Pavle Bellovski, kryetar i SPGPM-së dhe gazetarja Dushica Mrgja.  

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski kujtoi dhunën ndaj gazetareve, gazetarëve, fotoreporterëve, kameramanëve, qytetarëve, si dhe kushtetutës që ndodhi atë ditë.

“Sot jemi këtu për të shprehur protestën tonë, në mes të një drame tjetër politike, por ka ardhur koha për të trajtuar krizën reale që zgjat dhe shënon tre dekadat e mbijetesës sonë… Kjo krizë nuk është politike, por është një krizë drejtësie, është një krizë e sistemit gjyqësor, i cili ka qenë gjithmonë një instrument për të parandaluar apo inkurajuar trauma të reja shoqërore. Dhe çfarë morëm ne nga 27 prilli – morëm edhe një mesazh se jemi të penguar të bëjmë punën tonë ashtu siç e meritojnë qytetarët. Dhe nuk jemi këtu për të kërkuar solidaritet nga qytetarët, por jemi të vetëdijshëm se ky është problemi ynë i përbashkët, të gazetarëve dhe të publikut, të cilit duhet t’i shërbejmë. Ndryshime thelbësore shoqërore nuk mund të ndodhin nëse gjyqësori dhe mediat nuk çlirohen nga politika dhe nuk mund t’u shërbejmë qytetarëve me dinjitet. Prandaj kjo është detyrë e të gjithëve dhe për këtë insistojmë në drejtësi. Drejtësi për 27 prillin edhe për ne edhe për ata që përfaqësojmë dhe për të cilët ekzistojmë – qytetarët”, tha Çadikovski.

Në konferencën për media foli edhe kryetari i SPGPM-së, Pavle Bellovski, i cili tha se për ngjarjet e 27 prillit, deputetët kanë marrë drejtësi, ndërsa mungoi drejtësia për gazetarët. SHGM dhe SPGPM si organizata partnere nuk dyshuan në asnjë çast dhe për më shumë se 5 vjet punuan në idenë se si t’i jepet fund dhunës ndaj gazetarëve përmes zgjidhjeve ligjore.

“Por, për të folur se cilat do të ishin përfitimet nga ndryshimet ligjore në Kodin Penal, le të kthehemi pak mbrapa. Kaluan saktësisht 5 vite e një javë, pasi unë dhe ekipi ynë mediatik u sulmuam dhe kjo bëri jehonë në publik. Një vit më vonë, ekipi gazetaresk i A1 u sulmua në sheshin Maqedonia. Ishim në krizë politike dhe qytetarët na shihnin si shënjestër e sulmit për të dërguar mesazh, fatkeqësisht një mesazh me grushte. Për këtë arsye SHGM dhe SPGPM nuk hezituan dhe iniciuan ndryshime në Kodin Penal në mënyrë që të marrin fund sulmet ndaj gazetarëve, gjegjësisht të sanksionoheshin sulmet si sulme ndaj një zyrtari. Edhe sot, 5 vite më vonë, nuk mund të themi se kemi proceduar një rast të tillë sepse ligji është ende në Kuvend dhe nuk është miratuar”, tha Bellovski.

Gazetarja Dushica Mrgja theksoi të mos harrohet 27 prilli, e enjtja e zezë, ku gazetarët ishin të sulmuar nga të gjitha anët:

“Para 4,5 vitesh unë kam qenë gazetarja e parë që dëshmoi këtu në Prokurorinë Publike. 4,5 vjet më vonë, sulmuesi im nga Kuvendi as nuk është identifikuar, e lëre më të ketë procedurë për të. Për dallim nga kjo, sulmuesit e politikanëve u dënuan, disa me aktgjykime përfundimtare, disave iu reduktuan dënimet, e disa u amnistuan si rezultat i tregjeve politike që u bënë. Për ta qenë absurdi edhe më i madh, ne me vetiniciativë, me mbështetjen e SHGM-së dhe shoqatat mediatike, ngritëm paditë tona private. Dhe shikoni ironinë në Maqedoni – gjyqtarët na nënçmonin, na fyenin, madje disa kolegëve ua kontestonin të drejtën e tyre dhe pyesnin se a jemi me të vërtetë gazetarë, dhe të gjithëve na pyetën se çfarë po kërkonim më 27 prill në Kuvend. Unë vetëm dua t’u përgjigjem, shpresoj në emër të të gjithë kolegëve që ishin të enjten e përgjakshme në Kuvend më 27 prill dhe në atë qendër famëkeqe të shtypit, nëse kanë harruar atë që shikonin në televizion, ne ishim ata që raportonim, ekipet tona dërguan regjistrimet dhe raportet. Më 27 prill në Kuvend gazetarët e shpëtuan shtetin. Them me përgjegjësi të plotë se po të mos kishim qenë aq të zhurmshëm sa që ishim, me gjithë terrorin që u përballëm, 27 prilli do të kishte përfunduar shumë më keq me më tepër viktima. Prandaj nuk duhet harruar 27 prilli dhe e enjtja e përgjakshme – duhet të ketë drejtësi për gazetarët!”, Mrgja.

foto SHGM

SHGM dhe SPGPM u bëjnë thirrje institucioneve që të hetojnë seriozisht dhe efektivisht të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe t’i ndëshkojnë autorët e sulmeve. Pa një qëndrim të tillë të institucioneve sulmet do të vazhdojnë dhe do të bëhen më agresive, ndërsa kjo mund të rrezikojë edhe jetën e gazetarëve. Institucionet duhet të kuptojnë se sulmi ndaj gazetarit është në të njëjtën kohë sulm ndaj lirisë së fjalës, të drejtës së qytetarëve për t’u informuar dhe demokracisë në përgjithësi.

Me këtë ngjarje, SHGM dhe SPGPM si anëtarë të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve iu bashkuan fushatës globale për të luftuar mosndëshkimin e sulmeve ndaj punonjësve mediatik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button