RMV, Antikorrupsioni u bëri thirrje funksionarëve të sapo zgjedhur që të paraqesin gjendjen e pronës

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit i përkujtoi të gjithë këshilltarët e sapoemëruar, kryetarët e komunave dhe funksionarët për dispozitat e Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe se gjatë ushtrimit të kompetencave dhe detyrave publike nuk guxojnë të udhëhiqen nga interesa personale, familjare, partiake dhe etnike, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KSHPK, Biljana Ivanovska, në seancën e sotme, theksoi parimin e integritetit dhe detyrës gjatë ushtrimit të funksionit të kenë kujdes në konfliktin eventual të interesave, ndërsa në rast të ekzistimit të dyshimit për konflikt të interesave, janë të obliguar të kërkojnë mendim nga Antikorrupsioni.

“Kryetarët e zgjedhur të komunave dhe anëtarët e Këshillave të komunës, përkatësisht të Qytetit të Shkupit, kanë për obligim të dorëzojnë deklaratë për gjendjen e pronësisë dhe konfliktit të interesit, më së voni në afat prej 30 ditësh nga dita e zgjedhjes. Kryetarët e komunave apo anëtarët e këshillave të cilëve u ka mbaruar funksioni, gjithashtu kanë për obligim të dorëzojnë deklaratë për gjendjen e pronësisë dhe konfliktit të interesit, në afat prej 30 ditësh nga dita e përfundimit të funksionit. Kryetarët apo anëtarët e këshillit janë të obliguar në afat prej 30 ditësh të paraqesin çdo rritje të pronës së tyre, përkatësisht pronës së anëtarëve të familjes së tyre në vlerë që e tejkalon 20 paga mesatare në periudhën tre mujore paraprake”, deklaroi Ivanovska.

Kryetari i komunës apo anëtari i Këshillit të komunës, theksoi Ivanovska, nuk mund të jetë anëtar i organit drejtues apo mbikëqyrës i shoqatës tregtare, ndërmarrjeve publike, agjencive, fondeve dhe të gjitha personave të tjerë juridike me kapital dominues shtetëror, përpos nëse nuk është e përcaktuar ndryshe me ligj.

Antikorrupsioni, në vazhdimin e seancës së saj, shqyrtoi dhe vendosi për më shumë lëndë, mes të cilave edhe për marrëveshjen për incizim me dron të sipërfaqeve të pyjeve në luginën e Shkupit për detektim të hershëm të sëmundjeve bimore nga ana e Qytetit të Shkupit, ndërsa ku është angazhuar kompania e partnerit të ministres së Arsimit.

Anëtarja e Antikorrupsionit, Katica Nikollovska theksoi se, për këtë lëndë ka pasur mjaft reagime në opinion dhe se janë drejtuar në Qytet të Shkupit për marrjen e dokumentacionit të plotë për zgjedhje të kompanisë.

“Procedura është zbatuar në pajtueshmëri me Ligjin për furnizime publike. Është publikuar dhe është planifikuar me planin vjetor për furnizime publike. Janë zbatuar të gjitha procedurat përmes sistemit elektronik. Është paraqitur vetëm një kandidat. Është nënshkruar marrëveshje dhe është realizuar në kuadër të mjeteve të planifikuara. Pretendimet në opinion se kompania është zgjedhur me ndikim të ministres nuk janë vërtetuar. Procedura për lëndën janë ndërprerë”, deklaroi Nikollovska.

Antikorrupsioni gjithashtu ka shqyrtuar edhe lëndën për 280 punësimet në SHA “Postat”, për të cilat konstatoi se nuk janë vërtetuar pretendimet se bëhen punësime partiake para zgjedhjeve.

KSHPK në seancën e sotme, shqyrtoi dhe hodhi poshtë më shumë paraqitje nga qytetarë, për shkak se janë të pabaza apo nuk kanë kompetenca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button