Erdogan anuloi pjesëmarrjen në samitin e klimës “për çështje sigurie”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi sot se ka anuluar pjesëmarrjen në konferencën për klimën në Glasgou të Skocisë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me protokollin e sigurisë, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Ai nuk dha më shumë detaje, por deklaroi para gazetarëve në bordin e aeroplanit të tij se organizatorët e samitit nuk kishin arritur të adresonin shqetësimet që delegacioni i tij kishte pasur për çështje të sigurisë.

“Kërkesat tona nuk u plotësuan prandaj ne hoqëm dorë nga pjesëmarrja. Nuk ishte vetëm çështje e sigurisë por edhe reputacionit të vendit tonë.” citohet të ketë thënë Erdogan.

Mediumi me bazë në Londër, Middle East Eye, ka cituar zyrtarët turq të kenë thënë se organizatorët kishin kufizuar numrin e pjesëmarrësve nga Turqia.

Organizatorët nuk e kanë komentuar këtë çështje, raporton AFP.

Konferenca për Klimën në Glasgou ka nisur më 31 tetor dhe vazhdon deri më 12 nëntor. Shkencëtarët kanë thënë se mbajtja e temperaturës mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius do të shmangë ndikimin më të keq klimatik.

Parlamenti i Turqisë këtë vit ratifikoi marrëveshjen e Parisit për klimën e cila shërben si bazë për vendet që po bëjnë përpjekje për të frenuar ngrohjen globale.

Erdogan ka theksuar shqetësimin e tij për çështjet mjedisore përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen brenda dy viteve të ardhshme.

Raportet mes Turqisë dhe vendeve perëndimore janë përkeqësuar në shumë drejtime.

Erdogan muajin e kaluar kërcënoi se do të dëbonte 10 ambasadorë perëndimorë për deklaratën e tyre të përbashkët në mbështetje të një lideri të burgosur të shoqërisë civile. Pastaj, Erdogan hoqi dorë nga kërcënimi i tij pasi ambasadat lëshuan deklarata publike duke thënë se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë.

Blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes nga ana e Turqisë gjithashtu ka tensionuar raportet e këtij vendi me aleatët e NATO-s, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një takimi të zhvilluar më 31 tetor në Romë të Italisë, presidenti amerikan, Joe Biden i ka thënë Erdoganit se të dyja vendet duhet të shmangin krizat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button