ANALIZË: Rimëkëmbja ekonomike do të varet nga forca e “goditjes” së krizës energjetike!

Projeksione të reja ambicioze për “kthesë ekonomike” në 4 vitet e ardhshme – Qeveria e publikoi planin e ri për rritje të përshpejtuar ekonomike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Përqindje të larta të rritjes së PBB-së, rënie dramatike e papunësisë, investime në vlerë prej miliarda eurosh. Nga qeveria thonë:

“Plani i rritjes së përshpejtuar ekonomike ka një qëllim ambicioz, por të arritshëm për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar”. Çfarë mendojnë ekonomistët?

Pasiguria për shkak të “krizës energjetike” sjell pasiguri për ekonominë…

Projeksione ambicioze për ekonominë, është mirë që planifikohet një sasi e lartë e investimeve publike, reduktim i borxhit publik dhe konsolidim i financave – por, si dhe me çfarë ritmi do të arrihet kjo do të varet nga forca e krizës energjetike me të cilën përballet bota, Evropa, po edhe ne, komentojnë ekonomistët për “Portalb”-in.

“Jemi në mes të një lufte energjetike, situata nuk është naive. Në kushte të tilla është e vështirë të planifikohen investime, nuk kemi një pasqyrë të qartë të situatës energjetike. Prandaj është e vështirë të përcaktohen objektivat.  Nuk mund të flasim për rritje të përcaktuar nga investimet kur situata është e pasigurt me energjinë, me çmimet e energjisë. “Tani kemi pasiguri, si në aspekt të çmimit, ashtu edhe në aspekt të furnizimeve” – konsideron profesori universitar Zoran Ivanovski.

Për dallim prej tij, profesori universitar Sami Bislimi beson se politikat buxhetore nuk paralajmërojnë investime të konsiderueshme publike.

“Do të ishte mirë që qeveria t’i zgjidhë problemet aktuale me rritjen e shpenzimeve buxhetore, me premtime paushalle për rritjen e rrogës minimale, rrogës mesatare, pensioneve dhe transferimeve sociale, dhe pasi t’i mbulojë këto shpenzime, le të llogarisë se sa para kanë mbetur në buxhet për investime?’ – thotë profesor Bislimi.

Investimet publike mund të parashikohen, duhet këmbëngulje politike për realizimin e tyre, por investimet private mund të vihen në pikëpyetje për disa faktorë, ku një prej tyre është kriza energjetike, por edhe për shkak të “mospërputhjes” së rregullativës ligjore.

“Rritja ekonomike e parashikuar mbi 5% në vit do të varet nga realizimi i investimeve.  Nga aspekti i burimit – investimet publike mund të parashikohen dhe financimi i tyre mund të vlerësohet pozitivisht nga instrumentet “e reja” – obligacionet (bonot) për zhvillim dhe projekte, që do të kishin përqindje të ndryshueshme të kamatës. Sa i përket investimeve private, shumat janë mjaft ambicioze, pyetja kryesore është se si dhe mbi çfarë baze do të “motivoheshin” investitorët. Liberalizimi dhe derregullimi janë shumë të rëndësishme në mjedisin e biznesit –  nuk mund të shtrëngohen kriteret për investitorët dhe nga ana tjetër të pritet rritje e investimeve. “Segment kyç është edhe qëndrueshmëria e legjislacionit”, vlerëson profesori Ivanovski.

Papunësi e ulët, gati 160,000 vende të reja pune, bum investimesh – a është e mundur të arrihen…

Me Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, Qeveria ka vendosur objektiva ambicioze – siguron se zgjidhjet për realizimin e tyre janë të sakta dhe sistematike. Sipas këtij plani – rritja mesatare e ekonomisë duhet të jetë mbi 5%. Papunësia duhet të bjerë me një ritëm të shpejtë – në vitin 2026 të arrijë në numër njëshifror.

Objektivat e planit

  • Rritja ekonomike: 5%
  • Investimet publike: 4 miliardë euro
  • Investime private: 8 miliardë euro
  • Vende të reja pune: 156,000
  • Përqindja e punësimit: 54,3%
  • Përqindja e papunësisë (2026): 8,6%

Më shumë investime – më shumë punësime – ky është çelësi për uljen e papunësisë, thonë ekonomistët, por nga ana tjetër paralajmërojnë se rritja e rrogës minimale mund të shkaktojë efekt të kundërt, duke ulur punësimin, veçanërisht në industritë me intensitet të lartë të punës.

Njoftimet për konsolidimin e financave publike – duke e ulur deficitin buxhetor dhe borxhin publik, vlerësohen pozitivisht.

“Stimujt fiskalë aktualë dhe të paralajmëruar për mbështetje dhe ndihmë për shkak të pandemisë, siç pritej, e kanë rritur deficitin buxhetor. Tashmë me planin Qeveria parasheh zvogëlim të deficitit buxhetor dhe kjo duhet të jetë imperativ që duhet ndjekur për të pasure qëndrueshmëri fiskale, për të qëndruar në atë rrugë”, thotë Ivanovski.

Sipas njoftimeve nga Qeveria, Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike do të shoqërohet edhe me një Plan aksional ku do të renditen mekanizmat dhe ritmi i realizimit të objektivave.  Në maj, qeveria e paralajmëroi Planin e Ndërhyrjes për Investime 2021-2027, me vlerë prej gati 8.2 miliardë euro. Megjithatë, disa ekonomistë besojnë se realizimet për sa i përket investimeve kanë ngecur për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të zgjedhjeve lokale dhe rezultatit që do të arrihet në to.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button