Bajden në Evropë

Presidenti amerikan Xhozef Bajden po viziton Evropën në kohën e krizës energjetike dhe rritjes së ndikimit rus në Evropë. Samiti i G-20 dhe ai i ndryshimeve klimatike në Skoci bashkë me shqetësimet amerikane rreth së ardhmes së Evropës, janë një ndër temat e agjendës së Uashingtonit. Nën drejtimin e administratës së Bajden-it, amerikanët po rikthehen më sigurt në skenën ndërkombëtare dhe me një angazhim të drejtpërdrejtë në institucionet ku ish presidenti Donald Tramp u tërhoq në vitet 2017-21. Agjenda ekonomike dhe diplomatike e Bajden-it do të ketë ndikim në Bashkimin Evropian, në përpjekjet për të zvogëluar ndikimin ruso -kinez dhe krizën energjetike me pasoja të vazhdimit të varësisë evropiane dhe të shteteve të Ballkanit nga Rusia e Putinit.

Megjithatë, agjenda e presidentit Bajden është krejtësisht ekonomike dhe ka të bëjë me luftën politike në Kongresin Amerikan në mes dy partive për miratimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike deri në dy trilion dollarë e që duhet thënë se do të ketë efekte pozitive jo vetëm në SHBA, por dhe në Evropë, në Ballkan dhe në Azi. Pa këtë pako ekonomike, SHBA do të mbetet jashtë konkurrencës me Kinën, ku BE-ja viteve të fundit është e varur mjaft dhe ku po aty SHBA-ja po mundohet të zëvendësojë rolin e fuqisë së butë kineze dhe atë ekonomike. Energjia diellore, e turbinave të erës dhe gazit të lëngshëm janë tre fushat ku SHBA do të bëjë përpjekje për të shtrirë ndikimin e saj të përhershëm në Evropë dhe në vendet ku Rusia dhe Kina po shkatërrojnë demokracitë e reja dhe ekonomitë e brishta. Përdersia Bajden e ka filluar vizitën nga Vatikani e më pas takimi me presidentin francez Emanuel Makron, në Ballkan gjërat vazhdojnë të mbeten pezull. Lideri i Bosnjës Serbe Millorad Dodik kërcënon me ndarje nga Federata dhe formimin e ushtrisë së pavarur serbe. Diplomati i lartë amerikan për Evro-azinë Gabriel Eskobar ka bërë të njohur se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria deri në fund të vitit duhet të fillojnë bisedimet me BE-në, kurse për Serbinë dhe Kosovën si version më të dëshirueshëm e ka paraqitur njohjen reciproke. Së këndejmi duhet nënvizuar se asgjë konkrete nuk ka në mes dy shteteve për sa i përket mbylljes së bisedimeve dhe nënshkrimit të ndonjë marrëveshje zyrtare në mes dy vendeve.

Vizita e Bajden-it në Evropë mund të jetë një nxitje e fortë për palët në konflikt që të arrihet një zgjidhje me ndërmjetësimin evro-amerikan, por prapseprap nuk është garanci se pa një plan të qartë për të ardhmen e Ballkanit dhe të Evropës, SHBA-ja do të të ketë sukses në politikat e rajonit dhe ato transatlantike.

Ka shenja që plani i Bajden-it dy trilion, të aprovohet gjatë këtij viti dhe nismat amerikane të bëhen më konkrete me aleatët evropianë dhe shtetet mike të Ballkanit Perëndimor. Padyshim se pandemia e ka bërë të vetën dhe prania e vonshme amerikane në Ballkan me vaksina ka krijuar disa epërsi për rusët dhe kinezët kur flasim për fuqinë e butë. Bajden dhe diplomatët e tij në Ballkan tash e kanë rastin të dëshmohen se SHBA do të jetë e pranishme me projekte konkrete e jo vetëm me fraza të kumtesave nga DOS-i dhe agjencitë tjera të zhvillimit ndërkombëtar. Ndërprerja e rrugëve të forcimit të oligarkëve ballkanikë që paraqiten si figura të stabilitetit, duhet të jenë një ndër përparësitë e administratës dhe agjendës amerikane për Ballkanin. Ka të ngjarë që derisa amerikanët të bëhen gati për nisma të reja, aktorët tjerë kundërshtarë të Uashingtonit të kenë ndërruar taktikë duke i lënë pas euro-amerikanët në strategji si në BE dhe në Ballkan. Mirëpo vizita e Bajden-it mund të vlerësohet pozitive për shtetet mike të Uashingtonit dhe paraqet një ndryshim nga politika e jashtme e Trampit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button