Escobar: Po punojmë në zgjidhjen e problemeve me shkeljen e të drejtave të pakicës maqedonase në Bullgari

Zëvendësndihmësi i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Gabriel Escobar tha se, ambasadorja amerikane në Sofje punon në zgjidhjen e çështjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke u përgjigjur në pyetjen për problemet e pakicës maqedonase në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Në seancën dëgjimore për angazhimin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor të nënkomitetit për punë të jashtme për Evropë në Dhomën Përfaqësuese, kongresmenja Klaudija Teni tha se Bullgaria ka 16 vendime nga Gjykata Evropiane për të drejta të njeriut për shkelje të të drejtave të njeriu dhe të drejtës për asociim të pakicës maqedonase dhe ka pyetur Escobarin çfarë bën qeveria amerikane që të sigurojë që Bullgari i përmbush obligimet e saja si anëtare e NATO-s, në lidhje me këto shkelje të të drejtave të njeriut.

“Ambasadorja jonë në Sofje, së bashku me partnerët e saj, punon në terren që të sigurojë se këto probleme do të adresohen. Partneriteti ynë me partnerët evropian është themeluar në vlera, jo vetëm të interesit të përbashkët, por edhe në ndarjen e vlerave dhe gjithçka që e cenon atë lidhje është arsye për shqetësim të madh për ne”, u përgjigj Escobar.

Ai gjatë këtij debati foli edhe për eurointegrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se, porosia më e fuqishme që mund ta dërgojë tani Bashkimi Evropian, është të caktojë datë për fillim të negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para fundit të këtij viti.

Sipas tij, dy vendet kanë kryer punën e vështirë që ka qenë e nevojshme dhe se anulimi i procesit të anëtarësimit nxit dyshim në ardhmërinë evropiane të rajonit.

“Për këtë, sekretari shtetëror Blinken dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrel më 14 tetor publikuan deklaratë të përbashkët se anëtarësimi në BE është rruga e vetme përpara për rajonin. Paqja, stabiliteti dhe prosperitet janë qëllimi ynë i përbashkët”, tha Escobar.

Kujtojmë se, procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, vazhdon të jetë i bllokuar nga ana e Bullgarisë. Ditëve të fundit, autoritetet bullgare kanë poositur se procesi do të vazhdojë të jetë i bllokuar përderia nuk pranohen kërkesat e tyre.

Presindeti bullgar, Rumen Radev tha se “derisa të zgjidhet çështja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi i bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk sheh se si do të hapet dera për negociatat për anëtarësim në BE, kurse ish kryeministri Bojko Borisov se “nuk do të ketë bisedime me Maqedoninë e Veriut deri sa pakica bullgare të përfshihet si e tillë në Kushtetutë”. Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button