COP26, Samit kritik për veprim për të luftuar ndryshimet klimatike globale

Samiti global i OKB-së COP26 i muajit të ardhshëm në Glasgow të Skocisë i cili po konsiderohet si një pikë kthese e rëndësishme në trajtimin e ngrohjes globale, një nga kërcënimet më të mëdha më të cilat është përballur ndonjëherë njerëzimi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Samiti do të jetë i pari që vlerëson nëse bota ka bërë ndonjë përparim që nga Marrëveshja e Parisit për Klimën e vitit 2015, një pakt të cilin Turqia e nënshkroi në fillim të këtij viti, duke pranuar lëvdata të shumta.

Në këtë samit, vendet ranë dakord të punojnë së bashku për reduktimin e gazrave serrë, për përshpejtimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe për uljen e ngrohjes globale në “nivelin nën” 2 gradë Celsius, duke e kufizuar atë në 1.5 gradë Celsius nëse është e mundur.

Megjithatë, angazhimet e parashtruara në Paris janë ende shumë larg të bëhen realitet.

Në dritën e kësaj, shumica besojnë se COP26 është para një urgjencë të jashtëzakonshme pasi vitet e fundit fatkeqësitë natyrore kanë prekur gjithnjë e më shumë rajone në mbarë globin dhe miliona njerëz janë përballur me stuhi, përmbytje dhe zjarre.

Kështu që ngjarja e këtij viti po shihet si e rëndësishme, ku liderët dhe negociatorët botërorë, përfaqësues të qeverive, liderë biznesi dhe anëtarë të publikut do të ulen për 12 ditë bisedimesh mbi politikën e ndryshimeve klimatike.

Pritshmëri të mëdha

Një nga treguesit kryesorë të suksesit në Glasgow do të jetë sa më shumë qeveri që të jetë e mundur të paraqesin plane të reja dhe më ambicioze të veprimit për klimën drejt uljes së ngrohjes globale në pikën 1.5 gradë Celsius.

Dallimi midis 1.5 dhe 2 gradë Celsius është i rëndësishëm: çdo shkallë rritje mbart rreziqe të pakthyeshme për njerëzit, komunitetet dhe ekosistemet.

Kjo ndarje në dukje e vogël, por e frikshme, është arsyeja pse një nga qëllimet kryesore të Samitit në Glasgow është “të mbajë gjallë objektivin prej 1.5 gradë Celsius”.

Një qëllim tjetër është kanalizimi i fondeve për të luftuar ndryshimet klimatike në vendet në zhvillim.

Në bisedimet e OKB-së për klimën, vendet e pasura kishin premtuar më parë 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020 për të ndihmuar vendet e pazhvilluara të trajtojnë efektet e ndryshimit të klimës.

Por, ky synim nuk është arritur ende, pasi sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) muajin e kaluar tregon se në vitin 2019, viti i fundit për të cilin ka të dhëna, janë mbledhur vetëm rreth 80 miliardë dollarë.

Pra, një rezultat i prekshëm për këtë çështje pritet edhe nga samiti. Megjithëse askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë nga samiti, është e qartë se pritshmëritë janë më të larta se kurrë.

Çfarë është COP?

COP, një shkurtesë për “Konferenca e Palëve”, do të marrin pjesë vendet që kanë nënshkruar Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).

Mbledhjet e numëruara të COP-it organizohen nga një vend i ndryshëm çdo vit, ku takimi i parë, COP1 u mbajt në Berlin në vitin 1995.

COP26 fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nëntorin e kaluar në Glasgow, por është shtyrë për një vit për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe tani po mbahet nga Britania e Madhe në partneritet me Italinë.

Konferenca e fundit, COP25, u mbajt në Madrid të Spanjës, në nëntor 2019 dhe përfundoi me shumë çështje të pazgjidhura, por u arrit një marrëveshje për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit.

Cilët liderë botërorë do të marrin pjesë?

Mbi 100 liderë botërorë pritet të marrin pjesë në konferencë, por numri i pjesëmarrësve të konfirmuar aktualisht është deri më tani më i vogël.

Së bashku me presidentin turk Recep Tayyp Erdoğan, liderët që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre përfshijnë presidentin amerikan Joe Biden, kryeministrin britanik Boris Johnson, kryeministrin izraelit Naftali Bennett, kryeministrin australian Scott Morrison, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in.

Presidentët e Rusisë dhe Kinës, dy vende që janë ndër pesë burimet kryesore në botë të gazeve serrë, thuhet se kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në këtë ngjarje.

Mbretëresha Elizabeth II, 95-vjeçe, ishte planifikuar të paraqitej në samit, por Pallati Buckingham tha se pas qëndrimit të saj në spital për një natë javën e kaluar për kontrolle shëndetësore, mjekët e saj e kanë këshilluar të pushojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button