RMV, vitin e ardhshëm do të hamë pemë dhe perime më të shtrenjta, ja pse

Gjatë vitit 2022 perimet dhe pemët që do t’i kemi në tryezë do të jenë më të shtrenjta, ndryshe nga ky vit. Kjo po bëhet gjithnjë e më e sigurt, shkruan Faktor, përcjell Portalb.mk.

Për shkak të ndryshimeve klimatike, rritjes së çmimeve të karburanteve dhe përgjithësisht rritjes së çmimeve të ushqimeve, do të paguajmë më shumë për pemët dhe perimet vitin e ardhshëm. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një sërë rritjesh çmimesh, të cilat nuk do t’i anashkalojnë as ushqimet e prodhuara në vend. Arben Halili, kryetar i Qendrës për Bujqësi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm Rural – CESARD, deklaroi se pemët dhe perimet do të shtrenjtohen dhe kjo është e pashmangshme, sepse vendi po përballet me thatësira.

“Prodhimtaria te ne është ad hoc, sezonale dhe i paplanifikuar. Ndryshe do të ishte nëse shteti do të kishte një strategji dhe do të planifikohej prodhimi, pra të prodhonte aq sa mund të thithë tregu. Kur shtrenjtohen mjetet bazë për prodhimtari e aty hyjnë karburantet, preparatet, atëherë do të kërcejnë edhe çmimet e mbjelljes, fuqia punëtore, madje edhe çmimet e ushqimit do të rriten. Ajo që do të prodhohet do të jetë më pak, por do të jetë më e shtrenjtë”, thotë Halili.

Ljube Pampuleski nga Shoqata e pemtarëve “Blagoj A. Kotlarovski” nga Resnja thotë se deri në Vitin e Ri është e mundur që të ketë rritje të çmimit të mollëve dhe thjesht blerja e mollëve nga 40 deri në 50 denarë për kilogram në Shkup. të jetë një e kaluar. Ai shpjegon se tani çmimi i blerjes së mollëve është i ulët dhe shkon nga 10 deri në 15 denarë, dhe ka njerëz që i ofrojnë pemishtet me qira ose shitje dhe për këtë arsye pret që çmimi i mollëve të rritet për 50 për qind në të ardhmen. Veç kësaj, si faktor që e godet këtë degë, ai i përmend ndryshimet klimatike.

“Tani jemi në një fazë kritike dhe nëse bëhen kalkulime jemi  jo rentabil. Disa njerëz nuk do të mund të vazhdojnë me prodhimtari dhe këtu luan rol mosha, sepse bartës të aktivitetit janë personat rreth 60 vjeç. Lëndët e para janë të shtrenjta dhe njerëzit e moshës së mesme nuk duan të merren me këtë punë”, tha Pampuleski.

Ai shpjegon se ushqimi që nuk gjendet në sasi të mjaftueshme në treg zakonisht mban çmim.

“Çmimet e ushqimeve do të rriten minimalisht dhe problemi është se tek ne prodhimtaria është spontane. Nuk kemi sasi që të kënaqim tregun e një vendi të madh, Gjermanisë apo Suedisë, por prodhimi ynë zakonisht përfundon në Serbi dhe ajo që mbillet në parcela të vogla përfundon në tregjet lokale. Çmimet do të rriten minimalisht për konsumatorët dhe fermeri për fat të keq nuk do të jetë më i pasur, sepse që në fillim do të ketë shpenzime më të mëdha”, thotë një ekonomist dhe ish-fermer nga Gjevgjelia.

Risto Velkov, fermer nga Strumica, tha se farat dhe plehrat janë më të shtrenjta, kurse fuqia punëtore po zvogëlohet dhe sipas këtyre rrethanave, kulturat e hershme të perimeve duhet të shtrenjtohen.

“Në fund, oferta dhe kërkesa do ta përcaktojnë çmimin, edhe pse sipas rritjes së çmimit të lëndëve të para, produktet duhet të jenë më të shtrenjta. Ne nuk kemi fuqi punëtore dhe aftësia për punë e një personi në të 20-at dhe të 60-at nuk është e njëjtë”, tha Velkov.

Ai shton se koha do të tregojë nëse dhe sa do të shtrenjtohen perimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button