Negociatat për formimin e qeverisë së re në Holandë thyen rekord të ri

Bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës në Holandë thyen rekordin sot për negociatat më të gjata pas-zgjedhore për formimin e qeverisë, me 226 ditë dhe që ende vazhdon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rekordin e mëparshëm e mbante qeveria e fundit, e cila përbëhej nga katër partitë e njëjta që aktualisht përpiqen të ndërmjetësojnë marrëveshjet mbi një plan politikash për një mandat të ri katërvjeçar.

Bisedimet e zvarritura pasqyrojnë peizazhin e përçarë politik holandez që doli nga zgjedhjet e përgjithshme të 17 marsit, në të cilat 17 parti fituan të paktën një vend në Dhomën e Ulët të Parlamentit me 150 ulëse. Udhëheqësit kërkojnë të kapërcejnë dallimet ideologjike që shtrihen nga mënyra e trajtimit të krizës klimatike deri te politika e eutanazisë.

“Javën e ardhshme do të ketë më shumë bisedime dhe ndoshta më shumë pas kësaj”, tha kryeministri në detyrë, Mark Rutte për transmetuesin holandez NOS teksa po shkonte në bisedimet e koalicionit. “Ka shumë punë për të bërë”, tha ai.

Pas negociatave disa mujore, ku përfshihen parti nga i gjithë spektri politik, bisedimet janë ngushtuar në katër partitë e njëjta, të udhëhequra nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit Rutte me tre mandate, që formuan koalicionin e fundit.

Administrata e mëparshme e Rutte dha dorëheqje pak para zgjedhjeve duke marrë përgjegjësinë politike për skandalin që përfshin departamentin e taksave të vendit, e cila etiketoi gabimisht si mashtrues mijëra prindër që pretendonin shtesa për fëmijë.

Pavarësisht dorëheqjes së tij, Rutte mbetet politikani më i votuar në mesin e elektoratit holandez ndërsa partia e tij konservatore doli përsëri fituese nga zgjedhjet, duke fituar pak më pak se 22 për qind të votave. Kjo do të thotë se ai është në linjë për mandatin e katërt si kryeministër dhe do të bëhet udhëheqësi më jetëgjatë i vendit.

Në shtator, ministrja e Jashtme Sigrid Kaag, e cila ishte pjesë e kabinetit që dha dorëheqje në janar dha dorëheqje përsëri nga roli i saj në detyrë për evakuimet kaotike holandeze nga Afganistani pas rmarrjes së pushtetit nga talebanët.

Por, Kaag mbetet kreu i partisë së dytë më të madhe në parlament të qendrës, pro-evropiane D66 dhe është një lojtare kyçe në negociatat e vazhdueshme të koalicionit.

Në mungesë të një koalicioni, qeveria e fundit e Rutte, e qeverisë së përkohshme, nuk mund të marrë vendime të mëdha politike.

Megjithatë, ajo vazhdon të luftojë pandeminë e COVID-19 ndërkaq ministrat u takuan sot për të diskutuar se cilat masa nevojiten për të frenuar rritjen e fundit të infeksioneve.

Ndërsa është dashur një kohë shumë e gjatë për formimin e qeverisë, holandezët kanë ende kohë për të mposhtur rekordin e Belgjikës fqinje. Në dhjetor 2011, Belgjika arriti të formojë qeveri vetëm pas negociatave që zgjatën 541 ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button