Ish-kryeministri bullgar Borisov akuzohet për përhapje të lajmeve të rreme për vaksinat

Ministri i Shëndetësisë Stojço Katsarov akuzoi ish-kryeministrin Bojko Borisov për përhapjen e lajmeve të rreme se vaksinat me afat të skaduar po sillen në Bullgari, përcjell Portalb.mk.

Ministri dërgoi letër zyrës së prokurorit, me pretendimin se Borisov, i cili është kreu i partisë më të madhe të vendit, GERB, duhet të mbahet përgjegjës për përhapjen e lajmeve të rreme dhe kërcënimin e sigurisë kombëtare.

“Ata po imunizojnë popullatën me vaksina të skaduara – Pfizer – datën e skadimit e kanë më 30 shtator”, njoftoi Borisov më 24 tetor.

“Pandemia është një krizë kombëtare që prek të gjitha sferat e jetës publike. Përhapja e lajmeve të rreme nga një ish-kryeministër dhe lider i partisë është akt i rrezikshëm shoqëror që mund të ndikojë në vendimin e shumë njerëzve”, shtoi Katsarov. Sipas ministrit të shëndetësisë, fjalimi i Borisovit është pjesë e fushatës së tij zgjedhore.

Më 10 shtator, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) miratoi datë të re skadence për vaksinën Pfizer. Afati i ruajtjes u zgjat nga gjashtë muaj në nëntë muaj në të njëjtat kushte magazinimi.

“Kjo mund të ndikojë në shëndetin dhe të kushtojë jetën e një numri të pacaktuar njerëzish”, tha ministri i Shëndetësisë.

Vetëm 22% e popullatës në Bullgari janë të vaksinuar kundër Kovid-19, që është niveli më i ulët në BE. Vendi ka aktualisht vdekshmërinë më të lartë nga virusi, së bashku me Rumaninë.

GERB mbrojti Borisovin dhe deklaroi se “GERB është partia politike që ka bërë më së shumë fushatë për nevojën e vaksinimit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button