Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për t’i tejkaluar problemet me votimin biometrik

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka angazhuar 400 persona staf teknik për të shmangur të gjitha problemet, të cilat u shfaqën gjatë votimit biometrik në raundin e parë zgjedhor më 17 tetor, përkatësisht për të evituar problemet të cilat kanë të bëjnë me pajisjet që u aplikuan për herë të parë e kanë të bëjnë me leximin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve, raporton REL.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se edhe rezultati nga procesi i votimit nga 44 komunat që kanë shkuar në balotazh nga gjithsej 80 komuna, do të dihet shumë shpejt siç u kumtuan rezultatet e zgjedhjeve gjatë raundit të parë.

Procesi i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut gjatë raundit të parë më 17 tetor u përcoll me shumë probleme teknike rreth votimit biometrik, duke shkaktuar radhë të gjata para qendrave të votimit. Për shkak të ndërprerjes së votimit në disa qendra si rrjedhojë e problemeve me aparatet për regjistrimin e gishtërinjve të njohur si fingerprint, u vazhdua dhe koha e votimit nga 30 minuta deri në tre orë.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, për Radion Evropa e Lirë është shprehur i bindur se në raundin e dytë në të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë shkuar në balotazh, dinamika e votimit do të zhvillohet shpejt, pa ngecje dhe pa probleme pasi në të gjitha qendrat e votimit është caktuar një person me njohuri të Inxhinierisë Teknologjike me instruksione të qarta për të shmangur problemet teknike gjatë votimit biometrik.

“Rreth 90 për qind e problemeve me votimin biometrik kishin të bënin me mungesën e njohurive të anëtarëve të Komisioneve Zgjedhore për të përdorur aparatet për verifikimin e gjurmëve të gishtërinjve, para se qytetarët të marrin fletën e votimit. Prandaj në çdo qendër votimi tani kemi ekspert të Teknologjisë Informative për t’i evituar këto probleme”, ka thënë Dashtevski.

Edhe në raportin e OSBE ODIHR-it ishte apostrofuar si problematike mungesa e hapësirës kohore për të testuar cilësinë e aparateve për regjistrimin e shenjave të gishtërinjve, si dhe trajnimin e stafit të përfshirë si komisioner në qendrat e votimit.

Probleme u paraqitën dhe në mbledhjen e rezultatit zgjedhor, përkatësisht sublimimim (mbledhjen) e rezultateve të atyre që kanë votuar me fingerprint dhe atyre që kanë votuar vetëm me kartë identiteti, duke vendos shenjat e gishtërinjve në një listë të veçantë.

Problemet e kësaj natyre kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve thotë se janë tejkaluar dhe se rezultatet nga balotazhi i së dielës, do të bëhen publike në një afat rekord.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button