fbpx

Ende nuk është gati ueb-faqja në shqip e Agjencisë për Rini dhe Sport, përkundër premtimeve të zëvendës-drejtorit Rustemi

Agjencia për Rini dhe Sport ende nuk e ka gati versionin shqip të ueb-faqes, edhe pse në gusht për Portalb.mk njoftuan se në mes të shtatorit e njëjta do të jetë gati. Zëvendës-drejtori i Agjencisë, Avni Rustemi edhe pse një vit është në krye të këtij institucioni, ende nuk ka arritur ta përkthejë faqen e internetit të së njëjtës, madje i njëjti është i pakapshëm në telefon, shkruan Portalb.mk.

Nga Agjencia për Rini dhe Sport, në muajin gusht informuan për Portalb,mk se u ka arritur donacioni i OSBE-së për ueb faqen e re, e cila do të jetë në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht. Sipas Agjencisë, në atë kohë numërimi mbrapsht kishte filluar dhe në një afat prej pesë javësh ueb-faqja do të lëshohej në përdorim, por sot që flasim, ueb-faqja nuk është lëshuar në përdorim dhe kanë kaluar gati se dy muaj.

Paraprakisht nga kjo Agjenci thane se kanë përkthyes të punësuar dhe se të njëjtët janë duke punuar në përkthimin e dokumenteve, që sipas tyre janë shumë dokumente për t’u përkthyer.

Portalb.mk kontaktoi Agjencinë disa herë gjatë muajit shtator si nëpërmjet emaileve, thirrjeve dhe mesazheve, se pse ende ueb faqja nuk është përtkhyer. Në mënyrë të njëjtë vepruam edhe ditët e fundit, por përgjigje nuk morëm.

As zëvendës-drejtori Avni Rustemi deri tani nuk arriti të realizojë premtimin për ueb-faqen në shqip, përkundër premtimeve të tij publike, madje i njëjti është i pakapshëm në telefon.

Avni Rrustemi, foto: TV21.
Avni Rrustemi, foto: TV21.

Rrustemi, disa herë në paraqitje publike ka premtuar se ueb faqja e agjencisë do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe edhe në atë angleze, kjo nuk ka ndodhur.

Në shkurt të këtij viti, Rrustemi për “TV21” u ankua se tre muaj është kohë e shkurtër për të përkthyer ueb faqen edhe në gjuhën shqipe, ka kaluar gati se një vit ndërkaq ueb faqja vazhdon të jetë vetëm në një gjuhë, edhe pse opsioni për anglisht ekziston ajo nuk është funskionale

“Ueb sajti tani për tani është vetëm në gjuhën maqedonase, në gjuhën angleze nuk funksionon, nuk ka 3 muaj që kam pozitën e zëvendës drejtorit, për tre muaj në qoftë se ka dikush që ka mund të bëje ueb sajtin, ju lutem.” deklaroi Avni Rrustemi në TV21 me 10 shkurt .

Ai atëherë potencoi se ueb faqja e re e Agjencisë për Rini dhe Sport është në procedurë e sipër dhe siguroi se kjo e fundit do të jetë edhe në gjuhën shqipe, kanë kaluar tetë muaj nga ky premtim publik ndërsa ueb-faqja ende nuk është gati në gjuhën shqipe.

Ndryshe, edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button