RMV, autoritetet nuk japin përgjigje konkrete pse nuk janë implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR

Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Maqedoninë e Veriut ka adresuar vërejtje se vendi nuk ka implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nga kjo organizatë thonë se rekomandimet e tyre që përsëriten në çdo raport janë ata të cilat nuk pranohen. Megjithatë, autoritetet kompetente nuk japin përgjigje konkrete se pse nuk janë përfshirë gjitha rekomandimet në ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor që u bënë 12 ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Portalb.mk ju sjell në mënyrë integrale rekomandimet e OSBE/ODIHR që nuk u zbatuan as në këto zgjedhje lokale:

  • Kodi Zgjedhor duhet të rishqyrtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse në mënyrë që të harmonizohet brenda dhe me ligjet e tjera relevante, të jetë në linjë me synimet e OSBE-së, obligimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Rishqyrtimi duhet të bëhet në procedurë publike, pas një procesi konsultimi të gjerë gjithëpërfshirës dhe mjaftueshëm para zgjedhjeve të ardhshme në mënyrë që të garantojë siguri juridike.
  • Në mënyrë që të sigurohet një kornizë gjithëpërfshirëse rregullatore, Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet që të sqarojë dhe konsolidojë udhëzime të detajuara të procedurës së regjistrimit të votuesve. Kërkesat në Kodin duhet të korrespondojnë me funksionalitetin e regjistrit qendror të popullsisë.
  • Duhet të ketë edukim civil që synon zbutjen e aktiviteteve korruptive në fushatat zgjedhore me të dhëna nga agjencitë përkatëse.
  • Duhet t’i kushtohet vëmendje gjithashtu rishikimit të rregullores për të drejtën e votimit në shtëpi, për të rritur pjesëmarrjen.
  • Duhet të merret në konsideratë standardizimi i numrit të nevojshëm të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur më së shumti një për qind i votuesve të regjistruar në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare. Përveç kësaj, siç u rekomandua më herë, mund të merret në konsideratë ofrimi i metodave alternative për mbledhjen e nënshkrimeve në mënyrë që të reduktohen potencialet për frikësim.
  • Partitë politike duhet të respektojnë kërkesat për kuota gjinore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
  • Rekomandohet që autoritetet të ushtrojnë vullnet më të madh politik për të siguruar ndarje të mjaftueshme mes shtetit dhe partisë, si dhe të respektohen rregullat për kuota gjinore.
  • Është rekomanduar që, partitë politike dhe institucionet relevante të ndërmarrin iniciative për të inkurajuar pjesëmarrjen e grave në proces zgjedhor dhe në vendim-marrje politike.

Nga ana tjetër, edhe pse OSBE/ODIHR si dhe Komisioni Evropian qartë thotë që nuk janë pranuar rekomandimet, autoritetet në vend insistojnë se ndryshimet janë bërë me konsultim të gjerë, kur dihet se ato u miratuan vetën 12 ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, pa një diskutim publik dhe konsultime gjithëpërfshirëse.

Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë

“Ministria e Drejtësisë formoi grup punues e cila me muaj bisedoi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në të kanë marrë pjesë të gjitha partitë parlamentare me disa përfaqësues. Deri në detaje janë dakorduar dhe kanë biseduar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përkatësisht si do të votohet në zgjedhjet lokale. Në mbledhje disa herë janë thirrur edhe përfaqësuesit e bashkësive etnike më të vogla. Në lidhje me ndryshimet mes të cilave ishin edhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, deputetët e “Të majtës” me amendamente plotësisht pa nevojë dhe për populizëm i bllokuan ndryshimet. Me qëllim të mos shkohet në zgjedhje pa rekomandimet e implementuara të OSBE/ODIHR”, thanë në përgjigjën për Portalb.mk nga Ministria e Drejtësisë, pa dhënë përgjigje konkrete për pyetjen e drejtuar se pse nuk janë përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR në këto ndryshime, ndërsa theksuan se grupet e punës do të vazhdojnë.

Edhe kryeministri që ende nuk ka deponuar dorëheqjen, Zoran Zaev i ka dhënë një përgjigje pothuajse të njëjtë pyetjes së Portalb.mk se pse ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar pa konsultim të gjerë, siç theksohet në raportin e KE-së.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

“Të gjitha ndryshimet e miratuar janë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, një pjesë e rekomandimeve nuk arritën të përfshihen brenda. Ministria e Drejtësisë formoi grup punues, u diskutua më shumë se një vit. propozim ligji u miratua me 78 vota për, 2 kundër dhe 1 një përmbajtur ku kishte vetëm 1 kundër nga deputetët e bashkësive etnike më të vogla dhe ishte harmonizuar me të gjithë. E dimë se deputetët e “Të majtës” me amendamente intervenuar plotësisht pa nevojë dhe për populizëm i bllokuan ndryshimet që ishin harmonizuar paraprakisht me të gjithë. Në fund u gjet zgjidhje përfundimtare”, tha Zaev.

Për rreth dy muaj do të publikohet dhe raporti përfundimtar më i ri nga OSBE/ODIHR me rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Grupet e punës për ndryshime të mëtejmë në Kodin Zgjedhor, sipas paralajmërimeve të autoriteteve, do të vazhdojnë në periudhën vijuese. Mirëpo, tani për tani kjo nuk dihet se kur mund të ndodhë kjo, duke pasur parasysh situatën e krijuar në vend me paralajmërimin e dorëheqjes së kryeministrit, ku nuk është e sigurt ende nëse vendi do të ketë qeveri të re, apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndëkohë, javëve në vijim pritet të del edhe raporti i detajuar i OSBE/ODIHR në lidhje me zgjedhjet e fundit lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button