fbpx

KËTU DHE ATJE

Isuf Sherifi i është përkushtuar poezisë, e cila është për të mënyrë komunikimi me botën, është mënyrë jetese, ngushëllim, lidhje me botën e tij të largët si gjeografi dhe të afërt si frymë, si hije, si shajni.

Ai jeton në Zvicër, është autor i disa librave, kurse poezitë i janë përkthyer në gjuhën gjermane dhe janë përfshirë nëpër antologji kombëtare e ndërkombëtare. Poezia e tij mund të përkthehet në gjuhë të tjera dhe ta ruajë bukurinë origjinale. Pra, nuk humb shumë gjatë përkthimit, siç thuhet.

Isuf Sherifi nuk është poeti në mërgim, por poeti në ekzil, sepse ka qenë i përndjekur për shkak të perlës që e ka brenda qenies së tij, siç thuhet në një tregim të Gibranit.

Rruga jetësore e Isuf Sherifit na përkujton thënien e Bodlerit për Edgar Allan Po-në: “Ka një kamxhik që përherë i fshikullon poetët”. Kamxhiku i jetës i fshikullon poetët që shohin përtej asaj që duket.

Kthimi i njeriut nga ekzili, sipas Kunderës, është i pamundur. Udhëtimi i tij drejt vendlindjes është sikurse udhëtimi i Uliksit drejt Itakës. Ai është i huaj në vendin ku ka lindur dhe në vendin ku jeton. Ai kudo është “tjetri”, “i ndryshmi”.

Krijimtaria letrare e poetëve në ekzil shpesh nuk e ka marrë vëmendjen e merituar në vendet e tyre të origjinës dhe kjo ka ndodhur për shkaqe jashtëletrare. Kështu ka ndodhur me poetët që e kanë ruajtur lirinë e brendshme në një botë mizore ku ligjin e ka bërë tirania.

Ka krijues në ekzil që kanë pushuar së shkruari në gjuhën amtare dhe nuk i kanë ruajtur referencat me kulturën e tyre, sikurse ka vepruar Nabokovi, Siorani dhe shumë shkrimtarë të tjerë.

Ka krijues në ekzil që kanë shkruar në gjuhën amtare dhe i referohen sistemit të tyre kulturor, ashtu siç ka vepruar Solzenjicini dhe shumë krijues tjerë.

Isuf Sherifi nuk ka hequr dorë nga gjuha amtare dhe as nga lidhja me vendlindjen. Ai i ka ruajtur lidhjet dhe referencat me kulturën, historinë dhe gjeografinë tonë. Ai nuk mund t’i shkëpuste këto lidhje, sepse përherë ka qenë një mbrojtës i të shenjtës gjuhë, nëpërmjet së cilës, siç thotë Hajdegeri, arrijmë deri te qenia. Nëpërmjet gjuhës e njohim anën e padukshme të jetës, ekzistencës, botës. Poeti, nëpërmjet gjuhës së poezisë, i zbulon shumë të panjohura të qenies dhe jetës.

Isuf Sherifi shkruan edhe për ankthin ekzistencial në shoqëritë postmoderne dhe postindustriale. Në poezinë e tij flitet për tjetërsimin dhe shpërfytyrimin e njeriut që jeton në një botë të paqme së jashtmi, por me prishje ekuilibrash në planin e brendshëm, atë shpirtëror.

Isuf Sherifi, pra, si poet, është Këtu dhe Atje.

Ai merret edhe me tema aktuale, të cilave ua vesh petkun universal.

Isuf Sherifi merret me frymën, flatëroren dhe të jashtmen që ndikon në qenien e poetit dhe aty trazon dhembje, zhgënjim, mall dhe revoltë.

Ai shpesh shkruan për “gjëra serioze” me doza të matura ironie.

Poezia e tij na trazon ndjenjat dhe na shtyn të mendojmë, kurse kjo është veçanti e poezisë europiane të këtij shekulli.

Isuf Sherifi e shmang prozaizmin në krijimtarinë e tij poetike (ndonëse “poezia moderne është prozë që thotë shumë”, siç thotë Ferlingeti.) Ai i herr bimët e egra dhe të tepërta nga kopshti i tij poetik.

Krijimtaria letrare e Isuf Sherifit, ndonëse prore ka përfituar vlera të reja, ka një konstantë të përhershme, si në planin e ligjërimit poetik, po ashtu edhe të motiveve që i trajton, por ndryshon si ndjeshmëri. Ashtu siç ndryshon vetë jeta.

Ky ndryshim në ndjeshmëri ndodh sa për shkak të pjekurisë artistike të poetit, sa për shkak të moshës, por edhe të faktorëve tjerë që ndikojnë në gjendjen emocionale të tij. Kjo shumëllojshmëri ndjeshmërie e pasuron artin në përgjithësi dhe artin e Isuf Sherifit në veçanti.

Isuf Sherifi është poet me kulturë të gjerë leximi, vargu i të cilit është i ngjeshur, kurse mesazhet jepen me shumë delikatesë. Poezia e tij është e pasur me figura stilistikore që nuk e rëndojnë ligjërimin poetik.

Libri më i ri poetik Fryma, i botuar nga “Ditët e Naimit” (2021), ka poezi me motive refleksive, sociale, intime etj. Poezitë e shkurtra janë sentenciale dhe me përfundime befasuese. Te poezitë sentenciale poeti huazon nga areali i letërsisë gojore shqiptare, por poezia e tij shpalon kuptime të reja. Sentenca risemantizohet dhe zbulon shtresa më të thella kuptimore se sa sentenca burimore.

Në librin e ri, ku autori ka përfshirë poezi që i ka përpunuar gjatë kohë dhe me shumë përkushtim, deri sa e kanë marrë formën përfundimtare, ka poezi që mund të lexohen ndaras, por së bashku me poezi të tjera shpesh krijojnë tërësi mbresëlënëse.

Libri Fryma na krijon kënaqësi të veçantë estetike, na trazon emocionalisht dhe shpreh mendime të thella për motive të ndryshme që lidhen me botën tonë kombëtare dhe atë universale.

Besoj se ky libër është me horizont të hapur pritjeje dhe do të komunikojë me lexuesin e sotëm dhe të nesërm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button