Rritja e skepticizmit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese

Rritja e skepticizmit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese, por është ende çështje kohe përpara se rajoni të integrohet në BE. Ky është konkluzioni i panelistëve mbi temën “Tejkalimi i pengesave në rrugën e integrimeve evropiane” në ditën e parë të Samitit të Sigurisë në Beograd, transmeton Portalb.mk.

“Jam e shqetësuar për rritjen e skepticizmit të BE-së për shkak të vonesave të vazhdueshme për fillimin e negociatave.” tha Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në Forum u theksua se për përfaqësuesit e BE-së, perspektiva e Ballkanit Perëndimor është një realitet. Gjëja më e rëndësishme është të tejkalohet pengesa nga Bullgaria, nga ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat më shpejt.

“Ne jemi të shqetësuar se skepticizmi në BE po rritet. Është e vërtetë që disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk po i kryejnë reformat mjaft shpejt, por as Bashkimi nuk po bën atë që është premtuar. Serbia po bën përparim të shpejtë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë gjithçka. Ata janë ende në dhomën e pritjes. Megjithatë, nuk është çështja nëse, por kur do të bëhen pjesë e Bashkimit.” tha Tasos Catsivasileou,  këshilltar i kryeministrit grek.

Pjesëmarrësit në Forumin e Sigurisë së Beogradit ranë dakord se fakti që Ballkani Perëndimor gëzon fonde evropiane do të thotë se Bashkimi po investon në anëtarët e tij të ardhshëm dhe se ky është një tregues se rajoni është pjesë e Evropës.

Ky është Forumi i 11-të dhe këtë vit mbahet me moton “Njerëzimi i vënë në provë” (Testing Humanity). Forumi i Sigurisë në Beograd vazhdon edhe dy ditët e ardhshme, ku marrin pjesë mbi 80 ekspertë nga fusha të ndryshme.

Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button