Kosovë, u arrestuan pesë të dyshuar për trafikim me njerëz

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “trafikim me njerëz”. Në një komunikatë të lëshuar për media thuhet se policia në Pejë, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka nisur hetimet pas raportimit të një rasti nga një grua kosovare, e cila ka qenë viktimë, shkruan REL.

Në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe dy gra.

“Lidhur me këtë rast, viktima e trafikimit është intervistuar në prezencën e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, si dhe mbrojtësit të viktimave.” thuhet në deklaratë.

Viktima, më pas, thuhet të jetë dërguar në strehimoren e dedikuar për viktimat e trafikimit.

Policia po ashtu tha se, në kuadër të provave, ka konfiskuar dy revole, një sasi të vogël të substancës që dyshohet të jetë narkotike, disa gëzhoja, dy automjete dhe dy telefona mobilë.

Me aktvendim të prokurorit, katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse një e dyshuar do të trajtohet në procedurë të rregullt, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, në Kosovë janë arrestuar 104 persona të dyshuar për vepra që lidhen me trafikimin me njerëz, në mesin e të cilëve 90 shtetas të Kosovës, ka njoftuar më herët Policia e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin që ka publikuar këtë vit për trafikimin e qenieve njerëzore në botë, ka vlerësuar se Kosova “nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz”, porse “bën përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button