Reaktor: Në RMV nevojiten politika që nxisin kujdesin e përbashkët dhe përfshirjen më të madhe të burrave në përkujdesje

Gati dy vjet pas fillimit të pandemisë me Kovid 19, situata vazhdon të theksojë pabarazitë në të gjitha sferat e jetës, ndërsa pabarazia gjinore bëhet edhe më e theksuar, thuhet në hulumtimin e organizatës Reaktor. Mesatarisht, gratë në Maqedoninë e Veriut, thuhet më tej, kryejnë 72,5% të punëve totale të përkujdesjes së papaguar, ndërsa kontributi i burrave mezi tejkalon një të katërtën e ngarkesës totale të punës. Në nivel ditor, krahasuar me meshkujt, femrat shpenzojnë 18 herë më shumë kohë duke larë enët, 12 herë më shumë kohë duke pastruar, 9 herë më shumë kohë duke gatuar dhe 3 herë më shumë kohë duke u kujdesur për fëmijët, përcjell Portab.mk.

Statistikat zyrtare për Maqedoninë e Veriut, sipas anketave të përdorimit të kohës, edhe më tej e konfirmojnë ndarjen stereotipe gjinore dhe tregojnë se burrat shpenzojnë mesatarisht më shumë kohë në punë të paguar (punësim), ndërsa gratë shpenzojnë më shumë kohë në punë përkujdesjeje pa pagesë. Në një ditë pune, meshkujve iu kompensohet me pagesë mesatarisht 70.9% e kohës së kaluar në punë, ndërsa femrave iu paguhet vetëm 37.6% e kohës që e kalojnë në punë.

Kur bëhet fjalë për balancimin e përgjegjësive ndërmjet prindërve, legjislacioni aktual nuk lejon modele të përbashkëta të pushimit prindërore, të cilat do të marrin parasysh rolin e të dy prindërve në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve dhe do të lejojnë ndarjen dhe kombinimin prindëror, atëror dhe të lehonisë, sipas nevojave të prindërve, si të nënave ashtu edhe baballarëve. Në këtë drejtim, studimi i fundit nga Reaktor, që u fokusua në përvojat dhe qëndrimet e të mësuarit në distancë në shkollat ​​fillore dhe të mesme, konfirmon se gratë, gjegjësisht nënat/kujdestaret, kanë qenë kujdestaret kryesore për fëmijët e tyre derisa shkollat ​​ishin të mbyllura (për shkak të pandemisë KOVID-19 ).

“Nëse puna e kujdesit të papaguar nga gratë në Maqedoninë e Veriut vlerësohet me pagën minimale, ajo do të kishte një vlerë monetare prej 1,917,895,508 €, që është 17,18% e produktit të brendshëm bruto (BPV) të Maqedonisë së Veriut për vitin 2019. Duke e pasur këtë parasysh, është koha që më në fund të njohim vlerën e kujdesit të papaguar dhe të fillojmë të shqetësohemi për ekonominë e kujdesit informal”, thuhet në hulumtim.

Studimi edhe një herë e vërteton se nevojiten ndryshime urgjente në legjislacionin kombëtar dhe se ligjet duhet të njohin më mirë lejen e përbashkët për pushim prindëror që do t’u garantojë grave dhe burrave të drejtën për pushim prindëror për t’u kujdesur për fëmijët në muajt e parë, ndërsa theksohet nevoja për përfshirjen e politika më të ndjeshme gjinore, të cilat do të marrin parasysh edhe burrat kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj fëmijëve.

Hulumtimi thekson se politikat publike dhe private duhet të orientohen në krijimin e mjediseve të punës që promovojnë dhe mbështesin iniciativa për baraspeshë mes punë dhe jetës, të tilla si krijimi i objekteve të kujdesit për fëmijët (kopshtet) brenda vendeve të punës, aranzhimet fleksibël të punës, pushim i dyfishtë prindëror, transport publik i sigurt me mundësi për qasje të lehtë, qasje deri te qendrat për pushim, rekreative dhe sportive, etj.

Politikat e tilla mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së njerëzve, por edhe kontributin e tyre në shoqëri dhe punë, konkludohet në studim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button