fbpx

Komuna e Tetovës nuk tregon se për çfarë i ka paguar disa qytetarë gjatë kohës së fushatës zgjedhore

Komuna e Tetovës së fundmi në xhirollogarinë e disa qytetarëve ka lëshuar të holla në shuma të ndryshme, nga 5,000 deri në 9,000 denarë. Duke qenë se këto transaksione janë kryer gjatë fushatës zgjedhore, Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet e Portalb.mk se për çfarë saktë janë përdorur këto mjete. Reaguan edhe nga nisma “Më mirë për Tetovën.”

Në ueb-faqen open.finance ku jepen të dhëna në lidhje me pagesat të cilat i realizojnë institucionet, shihet se nga Komuna e Tetovës gjatë datave 4 dhe 14 tetor ka lëshuar para në llogaritë e disa qytetarëve, shumat që janë lëshuar janë nga 5,000; 6,000; 8,000 dhe 9,000 denarë.

Marrë parasysh faktin se këto mjete janë lëshuar gjatë fushatës zgjedhore, kjo ngre dyshime se mos vallë këto mjete janë keqpërdorur. Prandaj të enjten (21 tetor) Portalb.mk dërgoi pyetje deri te Komuna e Tetovës se kush janë këta persona, për çfarë u janë dhënë këto para këtyre qytetarëve dhe a bëhet fjalë për ndonjë aktivitet, mëditje apo diçka tjetër.

Mirëpo, nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk se për çfarë u janë dhënë këtyre qytetarëve këto mjete, edhe pse zëdhënësja e komunës tha se do na njoftojë.

Për të njëjtën çështje dje reaguan edhe nga nisma “Më mirë për Tetovën” të cilët tani më janë pjesë e këshillit komunal,  të cilët kërkuan që kryetarja Teuta Arifi të prononcohet për keqpërdorimet financiare që u zbuluan në komunë me ndihmën e USAID dhe IRI.

“Nga kryetarja aktuale Teuta Arifi kërkojmë që para raundit të dytë zgjedhor publikisht të arsyetojë para qytetarëve çdo kontratë që është nënshkruar, dhe të sqarojë për çfarë lloj angazhimi/shërbimi bëhet fjalë. Qytetarët kanë denoncuar raste me emra dhe mbiemra ku familjarë dhe miq të kryetares, si dhe famijlarë dhe të afërm të udhëheqësisë së Komunës kanë pranuar të ardhura nga Komuna, ndërsa të njëjtit nuk kryejnë ndonjë funksion në komunë, janë të angazhuar në vende tjera pune, ose jetojnë dhe veprojnë në shtete tjera, gjegjësisht nuk janë fizikisht prezent në shtet.” thanë nga Më mirë për Tetovën.

Ata madje kërkuan edhe nga Avokati i Popullit dhe organet e hetuesisë që të reagojnë urgjentisht, dhe në bazë të denoncimeve të inicojnë procedure hetimore për vepër penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Tetovës.

Portalb.mk u drejtua edhe te zyra e Avokatit të Popullit për të njëjtën çështje. Nga atje thanë se në një afat brenda dhjetë ditëve do të japin përgjigje dhe qëndrimin e tyre.

Kjo është lista me emrat e qytetarëve dhe shumat të cilën Komuna e Tetovës e ka lëshuar në llogarinë e tyre:

This slideshow requires JavaScript.

Në opininonin publik kohëve të fundit qarkullojnë fjalë se në Tetovë gjatë periudhës parazgjedhore janë realizuar punësime të shumta, andaj Portalb.mk kontaktoi edhe me Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit për të pyetur në lidhje me atë se a ka ankesa për punësime gjatë fushatës parazgjedhore dhe a kanë vërejtur raste të tilla në Tetovë. Nga atje thanë se të njëjtën e kanë shqyrtuar dhe pas kontrolleve është konstatuar se nuk ka raste të dorëzimit të raportimeve me pretendime për ankesa për punësime parazgjedhore në Tetovë.

Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Tetovës tregohet jotransparente ndaj taksapaguesve të saj. Gjatë muajit shtator, e njëjta nënshkroi një kontratë në vlerë rreth 57 mijë euro për marrje me qera të pajisjeve për skenë (ndriçim, sistem i zërit dhe skena). Portalb.mk kontaktoi për të pyetur se për çfarë do të përdoren të njëjtat marrë parasysh faktin se atë kohë ishim në periudhë parazgjedhore dhe tragjedia e spitalit modular sapo kishte ndodhur. Nga komuna thanë se çdo vit bëjnë hapjen e procedurave të prokurimit në bazë të planit vjetor për furnizime publike, që dmth bëhet fjalë për furnizime të rregullta dhe të planifikuara vjetore.

“Me ketë shërbime mbulohen aktivitetet e sektorit për veprimtari publike, ngjarjet kulturore, sportive, edukative, si dhe shënimi i ngjarjeve dhe datave që janë pjesë e programit për sport, kulturë, arsim dhe mbrojtje sociale. Gjithashtu me këto shërbime mbulohet edhe organizimi i ngjarjeve publike, konferencave si dhe eventeve të tjera që janë pjesë e programit të punës të komunës së Tetovës.” thanë nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk kërkoi listën e ngjarjeve të organizuar vitin e kaluar nga komuna e Tetovës, dokumentet dhe raportet financiare se sa kanë kushtuar si dhe cilat do të jenë ngjarjet konkrete që do të organizohen këtë vit me këto mjete. Por nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën.

Ndryshe, Komuna e Tetovës, disa herë është treguar jo transparente duke mos publikuar dokumente me karakter publik dhe duke mos u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve. Portalb.mk ka kontaktuar dhe ka kërkuar përgjigje për tema të interesit publik disa herë nëpërmjet emaileve zyrtare, thirrjeve dhe mesazheve por përgjigje në shumë raste nuk kemi marrë.

Disa nga rastet ku Komuna e Tetovës është treguar jotransparente:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button