Tetovë, konvikti studentor nuk është gati as për këtë semestër, premtohet nga 2016

Ende nuk është gati konvikti studentor në Tetovë, edhe pse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kohë më parë thanë se konvikti pritet të përfundonte në maj/qershor të këtij viti. Zëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani dha premtim të ri, shkruan Portalb.mk.

Zëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani për Portalb.mk tha se ka mbetur të mbarohet puna e interierit brenda.

“Çështja e parë ishte ndërtimi. Çështja e dytë tani është pajisja me interierin. Ndërsa, ka dalë edhe një çështje e tretë e cila mbetet jashtë marrëveshjes fillestare të Qeverisë së kaluar, kjo është të rregullohet oborri. Kur të kryhet oborri dhe interieri, faktikisht do të kompletohet dhe futet në përdorim.” tha Arafat Shabani.

I pyetur për atë se kur do të jetë gati konvikti, Shabani tha pas zgjedhjeve do të vazhdojnë procedurat.

“Shumë shpejtë, unë mendoj se para Vitit të Ri duhet të kompletohen të gjitha punët që janë në proces.” tha Arafat Shabani.

Ndërtimi i shtëpisë studentore në Tetovë është investim me vlerë prej 166,5 milionë denarëve, objekti do të ketë 305 krevate. Përveç dhomave të fjetjes, në këtë shtëpi studentore është parapa të ketë edhe dhomë teknologjike, leximore, sallë ku studentët do të mund të ushtrojnë fitness, hapësirë për meze, etj.

Gazetari i Portalb.mk ishte te konvikti për të parë se deri ku kishin arritur punimet. Kështu duket konvikti studentor sot:

This slideshow requires JavaScript.

Premtohet nga viti 2016

Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i konviktit studentor në Tetovë, bëhet fjalë për vitin 2016, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Kujtojmë se ministër i Arsimit dhe Shkencës në atë kohë ishte Abdylaqim Ademi.

Megjithatë, përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u morr në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të këtij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Konvikti pritet të jetë gati para vitit të ri, ashtu si deklaroi zëvendës-ministri i Arsimit, Arafat Shabani.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i papërballueshëm për një student. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë. Ka studentë të cilët nga mungesa e konviktit detyrohen që të udhëtojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button