fbpx

Nuk është e vërtetë se vaksinat kundër Kovid-19 do ju vrasin

Për dallim nga pretendimi në postim se vaksinat vrasin, shumë herë në studime shkencore dhe në mënyrë empirike në jetën e përditshme është vërtetuar se rreziku nga Kovidi dhe komplikimet e tij është shumë më i madh se ai nga vaksinat dhe efektet e padëshiruara të tyre. Rreziqet e njohura të Kovid-19 dhe komplikimet e tij, si problemet shëndetësore afatgjata dhe vdekja, janë shumë më të rënda se sa efektet e padëshiruara të vaksinës, shkruan në faqen e internetit të Qendrës amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve. Sa i përket pretendimit nga postimi sipas të cilit një pjesë e fitimeve të Pfizer” u shpërndahet politikanëve në Maqedoni, ai është krejtësisht i pabazë dhe i pambështetur me asnjë provë, shkruan Vërtetmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook në të cilin pa kurrëfarë provash pretendohet se fitimet e „Pfizer“, që supozohet se janë reth 35 miliardë euro, u ndahen funksionerëve politik, sepse ata në asnjë çast nuk kanë mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur nëse duan apo nuk duan të vaksinohen. Gjithsesi, ky është një manipulim.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vaksinimi është vullnetar dhe bëhet me pëlqimin me shkrim të personit që vaksinohet, e që dorëzohet në pikën e vaksinimit. Askush nuk është i detyruar të vaksinohet, por nëse një qytetar refuzon të vaksinohet, qeveritë në mbarë botën kanë të drejtë të mbrojnë shëndetin publik. Domethënë, të parandalojnë përhapjen e koronavirusit duke e kufizuar hyrjen dhe daljen në disa objekte më të mëdha tregtare, apo në evente ku marrin pjesë qindra apo mijëra qytetarë. Por, pavarësisht masave të tilla, ka shumë qytetarë që vendosin të mos vaksinohen dhe të jetojnë pa i vizituar këto ambiente, të mos shkojnë në restorante dhe kafene. Askush nuk i detyron ata të vaksinohen.

Në pjesën e dytë të postimit të cilin po e recenzojmë thuhet:

Kovidi është një mashtrim. Refuzoni vaksinat. Luftoni për lirinë tuaj.

Keni shërbetorë të satanës në Kuvend.

Të paguar që t’ju vrasin. Me vaksina.

Ruani fëmijët tuaj.

Me këtë thirrje qëllimisht  ngjallet panik dhe rrezikohet shëndeti publik, pasi pretendohet se “vaksinat do ju vrasin”. Është vërtetuar shumë herë edhe në studimet shkencore dhe në mënyrë empirike në jetën e përditshme se rreziku nga Kovidi dhe komplikimet e tij është shumë më i madh se rreziku nga vaksinat dhe efektet anësore të tyre.

Për shembull, njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kanë rreth 50 përqind më pak gjasa të vuajnë nga simptomat afatgjata të Kovid-19 në krahasim me ata që nuk janë të vaksinuar. Kjo thuhet në një studim të ri të publikuar në The Lancet, që gjithashtu konfirmon se njerëzit e vaksinuar me dy doza të vaksinës e që infektohen kanë shumë më pak gjasa të shtrohen në spital ose të vuajnë nga simptoma të rënda.

Ne zbuluam se gjasat për të zhvilluar simptoma për 28 ose më shumë ditë pas infektimit me dy doza të vaksinës u përgjysmuan, thonë hulumtuesit në King’s College London.

Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) në uebfaqen e saj zyrtare thekson se vaksinat kundër Kovid-19 janë të sigurta dhe efikase, se miliona qytetarë në Shtetet e Bashkuara kanë marrë vaksinën kundër Kovid-19 nën monitorimin më të rreptë në historinë amerikane. Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) rekomandon që të gjithë mbi moshën 12 vjeç të pranojnë vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur për ta mbrojtur veten nga Kovid-19 dhe komplikimet që shkakton ai.

Rreziqet e njohura të Kovid-19 dhe komplikimet e tij, si problemet shëndetësore afatgjata dhe vdekja, janë shumë më të mëdha se sa rreziku i mundshëm për të pasur një efekt anësor të rrallë nga vaksina, shkruan në uebfaqen e CDC-së. 

Në  kumtesën e Ministrisë së shëndetësisë nga data 15 tetor të vitit 2021 thuhet se nga 6 gushti deri më 14 tetor, nga 1.382 pacientë të vdekur si pasojë e Kovid-19, 83 përqind kanë qenë të pavaksinuar dhe vetëm 17 përqind të vaksinuar. Sipas analizave, personat e vdekur kanë pasur sëmundje kronike të kombinuara.

Numri i të infektuarve me Kovid që nuk janë të vaksinuar është shumë më i madh. Nga data 6 gusht deri më 14 tetor janë infektuar 40 mijë e 208 qytetarë, nga të cilët vetëm 25 përqind kanë qenë të vaksinuar me dy doza dhe 75 përqind të pavaksinuar.

Përqindja e të hospitalizuarve që nuk janë të vaksinuar është 79 përqind, ndërsa të vaksinuarit me dy doza përbëjnë vetëm 21 përqind të të hospitalizuarve me Kovid-19.

Ministria e shëndetësisë thekson rëndësinë e vaksinimit dhe se të gjitha vaksinat në dipsozicion janë të sigurt. Apelojnë tek qytetarët që të vaksinohen, sepse vetëm në këtë mënyrë do arrihet imunitet kolektiv dhe do përhapja dhe mutacionet e Sars CoV 2.

Profesori doktor, Dragan Danillovski për televizionin „Кanal 5“ deklaroi se të gjitha vaksinat parandalojnë format e rënda të sëmundjes dhe vdekjen nga koronavirusi.

Supozohet se në Angli vaksinat kanë parandaluar  reth 60 mijë raste të vdekjes.

Doktor Haris Babaçiq, doktorant në Suedi në Institutin Karolinska, shpjegon se edhe nëse dikush infektohet me Kovid-19 pas pranimit të dy dozave të vaksinës, pasqyra klinike e pacientit nuk do të jetë aq e rëndë dhe ka shumë gjasa që personi në fjalë të mos përfundojë në spital, siç do të ishte rasti me personat e pavaksinuar.

Sa i përket rastit të personit të vaksinuar i cili u infektua dhe vdiq nga Kovid-19, gjë që shkaktoi njëfarë paniku tek popullata, ndjej nevojën të sqaroj se çfarë do të thotë në fakt efikasiteti i lartë i vaksinave në parandalimin e rezultatit fatal nga Kovid-19. Unë nuk di ndonjë procedurë që garanton mbrojtje absolute prej 100% nga çdo sëmundje apo vdekje në asnjë fushë, madje as në mjekësi. Kështu është edhe me vaksinat. Studimet e efikasitetit mund të vlerësojnë se një vaksinë është njëqind për qind efektive në një dizajn të caktuar eksperimental, por në realitet shpesh ndodh që efikasiteti aktual, pra efektiviteti, të jetë disa përqind më i ulët. Një efikasitet prej 99 përqind në parandalimin e vdekjes nga Kovid-19 do të nënkuptonte që nëse tek të pavaksinuarit mund të vdesin 1000 nga 100.000 njerëz, në mesin e  të vaksinuarve nëse infektohen mund të vdesin 10 nga 100,000 njerëz. Edhe nëse vaksinohen të gjithë, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë më raste të vdekjes si pasojë e Kovid-19. Do ketë, por diferenca do të jetë e madhe, krahasuar me atë se si do të ishte nëse popullata nuk do vaksinohej. Në shembullin e dhënë, kjo do të thotë që në 100 mijë të vaksinuar do të shpëtohen 900 jetë. Shpresoj se kjo do të zgjidhë dilemat në opinion, thotë Babaçiq.

Për shkak të dëshmive të lartëpërmendura se vaksinimi parandalon format e rënda të sëmundjes dhe vdekshmërinë, si dhe zvogëlon rrezikun nga hospitalizimi, konsiderojmë se pretendimi se vaksinat vrasin është i pavërtetë. Përkundrazi, ato shpëtojnë jetë. Sa i përket pretendimit në postim se një pjesë e fitimit të Pfizer u shpërndahet politikanëve në Maqedoni, ai është krejtësisht i pabazë dhe i pambështetur më dëshmi.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button