Ratifikim sa më të shpejtë të memorandumit midis Shkupit dhe Athinës, kërkoi Xhaferi nga homologu i tij grek

Parlamenti grek akoma nuk i ka miratuar ratifikimet që promovojnë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në disa fusha, përfshirë këtu edhe atë të integrimit evropian, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në takimin me kryeparlamentarin grek Konstantinos Tasoulas në margjinat e Konferencës së kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në Athinë, transmeton Portalb.mk.

Xhaferi, siç njoftuan nga kabineti i tij, kërkoi ratifikimin e memorandumeve sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që ato të vihen në funksion. Ai u shpreh i kënaqur që takimi i parë me homologun e tij grek po zhvillohet në Athinë, në vitin kur Greqia feston 200 vjetorin e fillimit të luftës për pavarësi. Lidhur me bashkëpunimin bilateral parlamentar, Xhaferi vlerësoi ekzistencën e grupeve të bashkëpunimit në legjislaturat e dy vendeve si bazë e shkëlqyer për zhvillimin e komunikimit të ngushtë dhe shprehu shpresën që së shpejti anëtarët e dy grupeve do të zhvillojnë takim të përbashkët.

Siç njoftoi kabineti i Xhaferit, Tasoulas shprehu kënaqësi për këtë, siç e quajti ai, takim i parë i shumëpritur në nivel të kryetarëve të Kuvendit dhe theksoi se kjo konfirmon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke ecur përpara. Ai u pajtua që Grupet e bashkëpunimit duhet të krijojnë dhe zhvillojnë bashkëpunim parlamentar dhe, në veçanti, në vend që ta mbajnë ekzistencën e tyre vetëm në letër, theksoi se Parlamenti grek do të maksimumin që përmes mekanizmit për bashkëpunim, të cilin e kanë në dispozicion, t’i ndihmojë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe në shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimeve evropiane.

“Tasoulas përshëndeti guximin e dy vendeve në zgjidhjen e çështjeve të vështira dhe theksoi se, pas pranimit të Marrëveshjes së Prespës, ajo duhet respektuar dhe ruajtur me kujdes. Përveç kësaj, ai i shprehu respektin kryeparlamentarit Xhaferi për angazhimin e tij personal dhe përpjekjet  për zgjidhjen e çështjeve madhore dhe të vështira. Duke përshëndetur lëvizjen e vendit drejt anëtarësimit në NATO, Tasulas shprehu besimin se hapi i ardhshëm për Maqedoninë e Veriut do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke përsëritur mbështetjen e Greqisë për këtë proces. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për përpjekjet që po bëjnë si kryetarë të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve dhe ajo që është rënë dakord të zbatohet në praktikë. Ata potencuan edhe besimin reciprok, si rezultat i të cilit është marrëveshja dhe bashkëpunimi midis dy palëve për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore”, njoftuan nga kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë.

Në fund të takimit, Kryetari Xhaferii i drejtoi ftesë të hapur ndaj homologut të tij Konstantinos Tasullas për të vizituar Republikën e Maqedonisë së Veriut në kohën kur këtë do e lejojë agjenda e tij dhe me këtë rast të drejtohet para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button